Humbje drithëruese e Lulzim Bashës, rritje e madhe e LSI, PS-ja drejt qeverisë
Kur është numëruar diku te 35 % e votave në mbarë vendin duket trendi se si po shkon vota, ndonëse ka edhe me shumë se gjysma e kutive të pa numëruara. Por ajo që duket mjaft qartë mbetet se PD-ja po humbet frikshëm deri afër shkrirjes si parti, duke ditur se ka bërë historinë e këtyre 27 viteve. LSI po rritet fort dhe frikshëm, kurse PS-ja shikohet se po shkon drejt qeveribërjes e vetme. PDIU po reziston dhe duket se mbetet në lojën e madhe, ndërsa LIBRA mundet vetëm në Tiranë të prodhojë një mandat me shumë sforco. PSD në Shkodër po grin PD-në si një makinë mishi.
Kjo duket tabloja e deritanishme e numërimit.
Por në gjithë këtë histori votimesh, PD-ja del me rezultat tragjik. Në një farë mënyre u parandje kjo, pasi çadra u dorëzuar pa motiv, pa transparencë dhe ku dukej se ishte Edi Rama fituesi i pazarit Rama-Basha. Më pas lista e kandidatëve për deputet ishte masakër për historinë e PD, ku u përjashtuan figura historike dhe emblematike si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arben Imami, Ridvan Bode, Astrit Patozi, etj. Ajo marrëveshje-pazar në mesnatë krijoi shumë dyshime se kanë rënë dakort për pazar bashkëqeverisës dhe nuk motivoi më asnjë demokrat për të rikthyer frymën e ardhjes në pushtet, qoftë edhe me koalicion partish të tjera, përjashtuar PS-në. Edi Rama mjeshtërisht e poshtëroi liderin e PD-së, duke krijuar idenë publike me anë të medias se tij nën kontroll se “Luli është me mua, se është djalë i mirë”,etj, çka e demotivuan elektoratin e djathtë. Nga ana tjetër Lulzim Basha nuk e përgënjështroi asnjëherë këtë tymnajë të kryeministrit. I pëlqeu apo ishte naiv, këtë zor se e sqaron njeri për momentin, por Basha nuk duhej të krijonte idenë e një pazari dhe se jemi mirë në këtë fushatë. Me shumë i interesoi dalja me “nder” nga çadra se sa fitorja, ndaj PD mori krisje, rrënim, nuk kishte motiv, u përça dhe fundi po tregon se po shkon drejt vendit të tretë në politikë. Edhe futja e kryetarëve të partive të vogla në listën e PD-së duke larguar figura të forta të PD-së krijoi inaktivitet në elektoratin demokrat.
I takonte Lulzim Bashës dhe PD të ishte më e fortë pas katër vjet qeverisje të Edi Ramës, bile edhe më radikale në fushatë. Por me shumë luftoi në fushatë dhe ditën e votimeve LSI dhe Ilir Meta, se sa krejt opozita historike. Plani djallëzor i PS dhe PD duket se ishte shkrirja e LSI. Por falë Ilir Metës, LSI jo vetëm mbajti kuotat e vitit 2013, por po rritet frikshëm për PS dhe për PD.
Edi Rama ka mundësi të shkojë i vetëm drejt qeveribërjes. Mund të marrë edhe PDIU dhe PSD për krijimin e një numri solid qeverisës. E gjitha kjo për fajin e PD dhe Lulzim Bashës. Dhe nëse PD-ja bën edhe budallallëkun të bashkëqeverisë me PS, pas gjithë kësaj humbje drastike duke u kthyer në patericë të PS-së, atëhere PD-ja do përfundojë më keq se LDK e Kosovës e cila ka arritur në parti e tretë, nga parti e parë historike e kohës se Ibrahim Rugovës.