Ilir Meta priti dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta organizoi sot një drekë pune me dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan. Meta shoqërohej prej Nënkryetarëve të Kuvendit, Valentina Leskaj, Edmond Spaho dhe Shpëtim Idrizi. Gjatë drekës, Meta bisedoi me Fleckenstein dhe Kukan mbi ecurinë e integrimit evropian, ndërsa Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dy eurodeputetëve për ligjin e dekriminalizimit.

Gjithashtu, u diskutua edhe për projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe mbi ecurinë e reformës në drejtësi, teksa u nda bindja e përbashkët që reformat dhe integrimi kërkojnë kompromis, gjithëpërfshirje dhe konstruktivitet mes të gjitha palëve. Kukan dhe Fleckenstein konfirmuan vullnetin e Parlamentit Evropian për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. 

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta me eurodeputetët z. Knut Fleckenstein dhe z. Eduard Kukan

Fjala e Ilir Metës

Është kënaqësi për mua si Kryetar i Kuvendit që të jem sot përpara jush së bashku me dy personalitete të Parlamentit Europian, raporterët për Shqipërinë dhe përfaqësues të shquar të dy grupeve kryesore të PE-së, të Social-Demokratëve, z. Fleckenstein dhe të grupit të Partive Popullore Europiane, z. Kukan.

Në radhë të parë do të dëshiroja edhe një herë të përsërisja falënderimet e mija si Kryetar i Kuvendit, por besoj edhe të Kuvendit të Shqipërisë, për kontributin e veçantë që të dy së bashku eurodeputetët Fleckenstein dhe Kukan kanë dhënë për të moderuar debatin politik në vend dhe për të normalizuar jetën parlamentare. Dhe në mënyrë të veçantë për nxitjen që i kanë dhënë arritjes të konsensusit dhe kompromisit për të mbyllur të ashtuquajturin proces të dekriminalizimit, për të cilin Parlamenti u shpreh në mënyrë unanime. Ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe së bashku edhe me katër vendimet e tjera, për të cilat Kuvendi po punon përsëri në mënyrë konsensuale, do të bëjë të mundur që zbatimi i tij të nisë brenda dy muajsh dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme.

Njëkohësisht gjatë takimit që kemi patur së bashku edhe me tre kolegët e mi Nënkryetarë të Kuvendit, znj. Leskaj, z. Spaho dhe z. Idrizi, kemi shkëmbyer mendime për gjithë ecurinë e reformave në vend, ku fokusi i veçantë ka qenë dhe mbetet përparimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi, që e kemi theksuar jo si të nevojshme, por si të i2domosdoshme për të ngritur në një standard të ri dhe shumë më të lartë të funksionimit e shtetit ligjor në vend dhe sidomos luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Njëkohësisht, kemi diskutuar edhe për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të procesit të integrimit europian. Dhe në këtë drejtim dua të falënderoj Parlamentin Europian, në mënyrë të veçantë të dy grupet kryesore të Parlamentit Europian, atë të Partive Popullore dhe atë të Socialistëve dhe Demokratëve, për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen, që i japin vendit tonë dhe padyshim në mënyrë të veçantë edhe eurodeputetët Fleckenstein dhe Kukan për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, të vazhdueshëm, të pandërprerë, kur e dimë se sfidat me të cilat ndeshet Parlamenti Europian dhe Europa janë shumë të mëdha. Gjë që na shton edhe ne përgjegjësinë për të rritur më tej frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik në Kuvendin e Shqipërisë dhe në gjithë jetën politike të vendit.

Nuk do të doja të zgjatesha më shumë, kështu që do të ftoja eurodeputetin Fleckenstein dhe më pas eurodeputetin Kukan që të komunikojnë me ju.

Fjala e Knut Fleckenstein

Faleminderit i nderuar z. Kryetar! Faleminderit shumë!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Nuk do ta zgjas shumë fjalën time, por dëshiroj të them që ne kemi ardhur në Shqipëri pas miratimit të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit dhe kemi ardhur këtu në mënyrë që të krijojmë një panoramë apo një ide se si mund të ndihmojmë vendin. Ne jemi të kënaqur me progresin apo me ecurinë që është arritur deri më tani. Natyrisht po presim edhe opinioni përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe pastaj do të fillojë puna me vrull.

i3

Më duhet të them në fakt që ajo që na nevojitet është një qasje e përbashkët, në mënyrë që, jo vetëm të miratohen, por natyrisht ajo që është edhe më e vështira, zbatimi i duhur i reformave në vend. Unë jam i kënaqur dhe i lumtur në fakt me gjërat që kam dëgjuar sot nga Kryetari i Kuvendit, z. Meta, nga Kryeministri z. Rama dhe nga Kryetari i opozitës, z. Basha, të cilët më kanë bindur, në fakt shpresoj që na kanë bindur të dyve, që ekziston dëshira për të gjetur një zgjidhje dhe që ky do të jetë vetëm hapi i parë. Pastaj do të shikojmë natyrisht gjëra më konkrete kur të vijnë edhe rezultatet apo opinionet nga Komisioni i Venecias. Ne do të mund të shohim se cilat do të jenë problemet dhe se si mund të ndihmojmë më tej, jo vetëm përpara kamerave natyrisht, por edhe në sallat e tjera në bisedimet tona.

Dhe një gjë tjetër që dëshiroj të them është në fakt, që pas disa javësh do të kemi mundësinë të diskutojmë edhe raportin tim, si raportues i Parlamenti Europian për Shqipërinë. Më duhet të them që në atë raport unë dëshiroj t’i sugjeroj Komisionit që mbas miratimit, pra dhe duke filluar zbatimi i reformës në drejtësi, Komisioni Europian të bëjë të qartë që do të ketë në fakt një mision monitorues, që të ndjekë nga afër dhe të shohë nga afër se çfarë po ndodh me zbatimin e reformës në drejtësi, pasi në këtë mënyrë besojmë që ne mund të ndihmojmë.

Pra, ideja është që ne kemi nevojë për këtë gjë, ju keni nevojë për këtë gjë, sepse ajo që dua të them, është sesi mund të luftohet në fakt korrupsioni, si mund të luftohet krimi i organizuar. Në rast se nuk keni një reformë të mirë në drejtësi, sepse në fund të fundit, kjo reformë në drejtësi nuk do të bëhet për të kënaqur znj. Merkel apo ndonjë tjetër, por kjo do të bëhet për popullin dhe qytetarët e Shqipërisë.

 Fjala e Eurodeputetit Eduard Kukan

Zonja dhe zotëri faleminderit shumë për interesin që keni treguar për vizitën tonë në Tiranë.

Dhe dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetarin e Kuvendit, z. Meta për organizimin e kësaj konference për shtyp, por edhe për qasjen e tij që ka për të gjitha këto çështje që ne po diskutojmë.

Në fakt dëshiroj të them që synimi i vizitës sonë në Tiranë është shumë i thjeshtë, është transparent në fakt dhe këtë e bëri të qartë kolegu im eurodeputeti Fleckenstein, i cili shpjegoi arsyet pse ndodhemi këtu. Ne jemi këtu, sepse jemi miq të Shqipërisë dhe kemi ardhur për të takuar politikanët tuaj, për të parë se çfarë ndihme apo asistence mund t’i japim ne Shqipërisë në integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Në vizitën tonë të mëparshme ne erdhëm në Shqipëri për të ndihmuar që të miratohej ligji i dekriminalizimit dhe siç e keni dëgjuar gjatë bisedave tona sot, por edhe këtu në fakt në këtë konferencë për shtyp, kjo gjë tashmë është bërë dhe do të funksionojë. Ndërsa sot ne kemi ardhur në Shqipëri për të parë se si mund të ecet përpara në reformën në drejtësi. Jemi këtu që të dëgjojmë udhëheqësit tuaj, të dëgjojmë se cilat janë pozicionet e tyre, në mënyrë që të përpiqemi që të ndihmojmë në këtë reformë kaq të rëndësishme. Një reformë në fakt të domosdoshme, ajo është në mënyrë absolute e domosdoshme, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Shqipëria ka tashmë statusin e vendit kandidat, që do thotë se ajo çfarë kërkojmë ne dhe kërkon Shqipëria, është që të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, por kjo me anën e një date njëkohësisht se kur do të çelen negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së.

Por ama, meqenëse Shqipëria është në këtë stad ka disa pritshmëri të caktuara dhe në këto pritshmëri ajo më e rëndësishmja është çështja e reformës në drejtësi. Ju lutem, mos harroni që në Parlamentin Europian ju keni shumë miq, na keni ne miq atje dhe ne në Parlamentin Europian dëshirojmë shumë që ta shikojmë Shqipërinë të angazhuar në negociata me Bashkimin Europian. Sepse përsa i përket Ballkanit Perëndimor kemi Malin e Zi, kemi Serbinë, që janë vende të përfshira në negociata për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ne dëshirojmë shumë që ta shikojmë edhe Shqipërinë që t’i bashkëngjitet këtyre vendeve për të negociuar anëtarësimin në BE.

i5

Sa më shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e këtij procesi, me fjalë të tjera që Shqipëria të bëhet pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe të bëhet shtet anëtar i BE-së në të ardhmen, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Aq më mirë do të jetë për Parlamentin Europian, sepse në fund të fundit kjo është një punë e përbashkët, aq më mirë do të jetë në fakt për ju, për klasën politike, por mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë, të cilët meritojnë të jenë shtetas të Bashkimit Europian.

Në fakt ne e pamë nga të gjitha bisedat dhe jemi të kënaqur të shikojmë që reforma në drejtësi është tashmë në proces. Kjo është shumë e rëndësishme, ne sot kemi dëgjuar udhëheqësit politikë në Shqipëri dhe unë do të largohem që këtu pak më shumë optimist, pra më duhet të pranoj që kemi optimizëm. Në fund të fundit, është gjithmonë përgjegjësia e politikanëve tuaj, e udhëheqësve tuaj politikanë që të miratojnë reformën në drejtësi, sepse në fund të fundit kemi një bazë të shëndetshme, që ka të bëjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe unë besoj se duke punuar mbi këtë bazë me vullnetin politik nga të gjitha palët dhe me angazhimin e të gjitha palëve do të arrihet pikërisht ai synim i përbashkët pikërisht që Shqipëria të ecë më përpara drejt BE-së.

i7

Pyetja nga gazetarët

Për reformën në drejtësi një pyetje për z. Fleckenstein dhe më pas për z. Kukan. Z. Fleckenstein ju keni takuar kryetarët e mazhorancës, a gjetët një qëndrim të unifikuar te krerët e mazhorancës Ilir Meta dhe Edi Rama për reformën në drejtësi?

Knut Fleckenstein: Po. Në fakt pikërisht këtë përshtypje pata kur takova të dy liderët, por po ashtu kur takova kreun e opozitës. M’u krijua përshtypje që të tre këta persona janë të gatshëm që të gjendet një zgjidhje për të miratuar reformën në drejtësi.

Edhe një pyetje për z. Kukan. Ju takuat edhe një politikan të katërt sot, Sali Berishën. Fakti që takuat edhe z. Basha edhe z. Berisha, tregon se PD ende nuk ka një vullnet të qartë e unik, dhe ku ndahen Basha dhe Berisha në këtë pikë?

Eduar Kukan: Jo, jo. Unë e kuptoj se çfarë doni të thoni me pyetjen tuaj. Pra, më duhet të them në fakt që arsyeja pse u takova me z. Berisha është tërësisht e thjeshtë. Kjo për arsye se kur z. Berisha ka qenë kryeministër i vendit, unë dhe ai kemi bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin për të paktën do të thosha 5 vite, kur unë isha Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Çështjet e Jashtme ose siç njihet AFET. Por ne merreshim me Shqipërinë. Jemi takuar atëherë shumë shpesh. Edhe tani në fakt që z. Berisha nuk është kryetar, unë nuk e kam harruar atë. Dëshiroja që të takoheshim, që të bisedonim, të dëgjonim njëri-tjetrin. Por gjithsesi unë arrij në përfundimet e mia. Gjithmonë ideja ime është që kur kam dikë të afërt, nuk e harroj qoftë ai kryeministër apo jo.

Kur vini këtu interesoheni vetëm për funksionimin e qeverisjes, marrëdhëniet parlamentare të mazhorancës, apo edhe se si funksion demokracia brenda partive shqiptare? Për shembull ju z. Fleckenstein si i majtë që jeni, si e shihni debatin për çështjen e mandatit të kryetarit në PS mes z. Rama dhe z. Blushi?

Knut Fleckenstein: Që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë. Tashmë kjo çështje është në duart e Kongresit të PS-së se si do ta zgjidhin ata këtë çështje. Prandaj do të thosha në fakt që në familjen tonë të partive të majta, ka rregulla të ndryshme, rregulla që secila funksionojnë ndryshe në vende të ndryshme. Për shembull, në Gjermani ne kemi rregulla tërësisht ndryshe, ndërsa ajo që shoh në Shqipëri është më e ngjashme me modelin e Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe. Edhe një herë kjo varet tërësisht nga Kongresi i Partisë Socialiste.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta: I falënderoj edhe njëherë eurodeputetët e nderuar z. Fleckenstein dhe z. Kukan, për vëmendjen e tyre të vazhdueshme, për mesazhet që ata kanë sjellë gjatë vizitës së tyre dhe për vëmendjen dhe mbështetjen që do të na japin edhe në të ardhmen. Ata kanë treguar gjatë vitit të kaluar që kanë dhënë një ndihmë mjaft kruçiale për të mbyllur kapitullin aspak të këndshëm të dekriminalizimit. Jam i bindur se do të vazhdojnë të kontribuojnë edhe për përmbylljen me sukses të reformës në drejtësi, por dhe të gjithë reformave të tjera sipas prioriteteve kyçe. Edhe një herë faleminderit.

SHKARKO APP