President i ekipit hyn në fushë dhe godet gjyqtarin e ndeshjes, ndërpritet ndeshja. FSHF hesht!
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ndeshjes të futbollit Gramshi-Valbona në qytetin e Gramshit, ku arbitri i ndeshjes është sulmuar fizikisht nga presidenti i ekipit të Gramshit dhe djali i tij.
Kujtojmë se i njëjti person, Dritan Bici nuk është i panjohur për veprimet e tij të çmendura në fushën e blertë, pasi vite me parë kur ishte kryebashkiak nën siglën e PS është futur në fushën e lojës me makinë duke thyer rrethimin e stadiumit të Gramshit gjatë ndeshjes Gramshi-Mamurrasi dhe ka tentuar të dhunojë arbitrin e takimit.
Gjithashtu Dritan Bici ka qënë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën 2017-2021 nga radhët e PDIU-së shkruan syri.net.
Ndërkohë nga FSHF nuk kemi asnjë deklaratë për të dënuar këtë akt antisportiv dhe antiligjor.
Në raste të tilla duhen vendime të forta nga FSHF por edhe nga prokuroria e shtetit.
Njoftimi i policisë/Gramsh:
Komisariati i Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve sportive Gramshi dhe Valbona, në stadiumin e qytetit të Gramshit.
Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, sipas regullores, kishin marrë masat për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.
Në minutat e fundit të zhvillimit të lojës së futbollit, shtetasi A. B., 24 vjeç, president i klubit të futbollit të Gramshit, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, arbitër i ndeshjes, dhe për këtë arsye është ndërprerë ndeshja.
Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke shoqëruar shtetasin A. B., në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh.
Në vijim të veprimeve, Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 24 vjeç dhe D. B., 58 vjeç, banues në Gramsh (babë e bir);
- B., me detyrë president i klubit të futbollit të Gramshit, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, pasi, në përfundim të ndeshjes së futbollit të zhvilluar në Gramsh, ndërmjet ekipeve Gramshi dhe Valbona, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë arbitër i ndeshjes;
- B., për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të djalit të tij, shtetasit A. B.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.