Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson thotë se Putini kërcënoi me sulm me raketa. Reagon Rusia: Mashtron!
Në një dokumentar të ri të rrjetit BBC, ish-kryeministri britanik Boris Johnson thotë se presidenti rus Vladimir Putin e kishte kërcënuar Britaninë me një sulm me raketa. Zoti Johnson thotë se biseda telefonike u zhvillua në prag të agresionit në Ukrainë nga Moska në shkurt të vitit të kaluar.
Zoti Johnson kujton udhëheqësin rus të ketë thënë: “Do të duhej vetëm një minutë…dhe gëzuar “.
Zoti Johnson, megjithatë, tha se ai nuk e mori seriozisht kërcënimin në telefonatën e tyre “të jashtëzakonshme”. “Ishte thjesht në vazhdën e bisedës ku unë po përpiqesha ta bindja të negocionte,” tha zoti Johnson për presidentin Putin.
“Është një gënjeshtër,” u tha gazetarëve një zëdhënës i Kremlinit për interpretimin e bisedës telefonike nga zoti Johnson. “Nuk ka pasur kërcënime me raketa”.
Ish kryeministri Johnson gjithashtu i tha BBC-së se ai u përpoq ta bindte zotin Putin të mos fillonte luftë, duke i thënë atij se Ukraina nuk do t’i bashkohej NATO-s në një “të ardhme të parashikueshme”. Zoti Johnson tha gjithashtu se i tha udhëheqësit rus se një pushtim i Ukrainës do të çonte në sanksione perëndimore./VOA/