Jorida Tabaku apo Ilir Alimehmeti do të flijohet te turra e druve?
Edi Rama e shpalli Ogerta Manastirliun si kandidate zyrtare për kryebashkiake në Tiranë. Formalitetet e shkarkimit të Erion Veliajt janë punë ditësh nga qeveria.
Ndërkohë opozita është gjendur krejt e papërgatitur për një duel elektoral momental, ndonëse bërtisnin se “duam zgjedhje në Tiranë”, por burime të besuara tregonin se në PD shpresonin se kryeministri do ta drejtonte Tiranën me të deleguar.
Tashmë letrat u hapën dhe pritet që opozita të nxjerrë kandidatin e saj kundër Ogerta Manastirliut, e cila ishte drejtuese politike në Bashkinë e Tiranës gjatë zgjedhjeve të fundit.
Berisha tha sot se kemi shumë kandidatë potencialë, por në publik përfliten Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti.
Tabaku ishte në duel votash me Alimehmetin, bile ky i fundit kërkoi nga KQZ rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës me shpresën se Jorida Tabaku kishte prekur votat, por gjithçka doli korrekte.
Pavarësisht se Berisha nuk e futi të lista e sigurtë, sepse dyshonte te qëndrimet e saj, prapë ajo ia doli me një mijë halle të fitonte mandatin e deputetit.
Ndërsa Ilir Alimehmetin disa struktura të PD-së e sabotuan hapur, pasi nuk donin një intelektual që t’ua prishte rehatin e të qëndurit në opozitë prej vitesh.
Sondazhet japin se dy janë kandidatët e mundshëm me kredibilitet, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti. Baza demokrate i do, por kupola në PD dyshon të linja e tyre politike, sepse selia blu ka kushtin e paneociushëm; ose siç thotë doktori, ose nuk je i besueshëm.
Por opozita nuk ka kandidatura me të mira se këta të dy.
Ndërkohë Jorida Tabaku nëse kandidon humbet mandatin e deputetit, mandat të cilin e fitoi me halle të mëdha. Por që të bëhet kryebashkiake i duhet të kalojë “nëntë male”, çka ia bën pothuaj të rrezikshme udhëtimin e saj në politik nëse humbet.
Humbet mandatin, humbet edhe udhën në politikë!
Nga ana tjetër Ilir Alimehmeti solli risi në politikën e opozitës, por nuk e duan në selinë blu. Edhe Alimehmeti e di mjaft mirë se duan ta heqin qafe nga karriera politike në PD dhe mënyra më e mirë mbetet ta fusin në betejë kundra Manastitliut dhe me pas ta lenë vetëm në mes të udhës.
Alimehmeti është një fraksion modern brenda PD-së së vjetër, por përballë ka një urdi ujqërish demokratë kupolistë që duan ta shqyejnë.
Tabaku dhe Alimehmeti janë vlera të reja në PD. Për dreq akoma nuk po forcohen, sepse përballë është taborri turkofil që nuk pranon diversitetin e mendimit brenda kampit opozitar.
Ndaj duke përdorur shprehjen popullore “një udhë e dy punë”, PD mund të kandidojë ndonjerin prej tyre, që pas humbjes, të mos i lenë të hyjnë as në oborrin e PD-së./SP/
KOHA JONË SONDAZH

