Jorida Tabaku: Shtresa e mesme do të paguajë tatimin socialist prej 23 përqind, ndërkohë oligarkëve u fal taksat
Nga Jorida Tabaku-
Prej vitit 2013 shtresa e mesme ka qenë shënjestra e preferuar e qeverive Rama. Në fillim njerëzit me dije, aftësi sipërmarrëse, inovacion dhe motori i një ekonomie u targetuan nga taksimi socialist progresiv.
U ngarkuan me barrën fiskale më të lartë ndërsa qeveria nisi qokat e rëndomta fiskale ndaj një grushti të vogël biznesesh që u kthyen në monopolin ekonomik të vendit duke fituar tendera dhe koncesione.
Dhjetë vjet me radhë taksimi socialist ka goditur shtresën e mesme dhe xhepat për çdo profesionist duke e përballur me një taksim të pandershëm dhe të padrejtë. Kjo nuk ka prodhuar as një sistem arsimor më të mirë, as një sistem shëndetësor më modern dhe as një qeveri për qytetarët.
Ligji i fundit për Tatimin mbi të Ardhurat është hallka e radhës e zinxhirit të madh të ligjeve që godasin shtresën e mesme. Ky tatim socialist do t’u vendos një tatim profesionistëve, sipërmarrësve të vetëpunësuar në 23% ndërkohë që u fal oligarkëve taksat dhe u jep favore fiskale.
Tatimi socialist nuk e shpëton as ekonominë nga informaliteti apo evazioni fiskal por është një tjetër shtysë për të shkuar aty.
Tatimi Socialist nuk e shpëton buxhetin e shtetit nga gropa e PPP-ve dhe koncesioneve por rëndon pozitën e një tregu konkurrues ku nuk fiton tanimë më i zoti por ai që do qeveria.
Tatimi socialist nuk investohet për një ekonomi ku në qendër janë qytetarët por në një ekonomi ku në qendër është oligarkia dhe interesat e saj.
Tatimi socialist është anti-biznes dhe në kundërshti të plotë me parimet e një vendi që kërkon të zhvillojë ekonominë e tregut, meritokracinë dhe rritjen ekonomike. Nuk ka përse paguan shtresa e mesme për oligarkinë!