Kaos në Prokurori prej prokurorëve dhe politikës
Nga burgu, Shullazi dhe Habilajt, ndjekin me humor sherrin mes prokurorëve. Edhe ish-ministri Sajmir Tahiri shikon me buzagaz këtë sherrnajë dhe largimin e prokurorit të dosjes së tij Hajdaramataj, të cilit do t’i duhet të transferohet në Pogradec. Tahiri, nga pak e përditë, po shkon drejt mbylljes së dosjes penale dhe shpalljes i pafajshëm.
Organi i prokurorisë dje ka marrë një goditje publike të fortë, pasi u rrëzua në një farë mënyre integriteti i këtij organi kushtetues. Shkak për sherr thuhet se ishte refuzimi i 10 prokurorëve të krimëve të rënda për dosjen Shullazi, ndonëse të 10-të prokurorët në një letër publike e quajnë lojë të prokurores së përgjithshme për ti larguar nga detyra apo transferuar. Edhe prokurorja e përgjithshme doli me një letër publike kundër këtij grupi prokurorësh. Nga ana tjetër mësohet se prokurori i ish-ministrit Sajmir Tahiri, ish-kreu i prokurorisë së krimëve të rënda Besim Hajdarmataj, pasi ka firmosur sekuestrimin e pasurive të grupit Habilaj, transferohet për në Pogradec. Ndërkohë dosja Tahiri po njihte fakte të reja sepse nga Mali i Zi, burimet brenda prokurorisë tregojnë se ka ardhur përgjigja se ish-ministri Tahiri ka udhëtuar me jaht për në Itali. Pra largimi i prokurorit të ish-ministrit Tahiri e zhbën gjithë reagimin e kryeprokurores. Sikur të mos largonin Hajdarmataj, edhe mund të gëlltitej largimi i 9 prokurorëve të tjerë, të cilët nuk kanë impakt publik sa prokurori i dosjes Tahiri, ndonëse janë profesionistë.. Tashmë ka nisur një betejë tjetër brenda llojit e brenda magjistratëve të ndëshkuar. 10 prokurorët thonë se në vetvete edhe mbledhja e thirrur 3 ditë më parë ishte e paligjshme dhe në shkelje të ligjeve të paketës së reformës në drejtësi. Legjislacioni i ri i prokurorisë urdhëron eprorët që të thërrasin mbledhjet 3 ditë para se ajo të zhvillohet, mbledhja të jetë e argumentuar me shkrim për datën, ditën dhe shkaqet e takimit. Një prej prokuroreve që është në listën e të ndëshkuarve është konfliktuar fizikisht me drejtuesen e Krimeve të Rënda, pasi ka kërkuar shpjegime për referencën ligjore, sipas së cilës është marrë masa disiplinore. Ishte kjo arsyeja se përse pas mosmarrëveshjes, tek Krimet e Rënda ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu si dhe forcat e rendit. Forcat e policisë hynë në mjediset e krimeve të rënda për të shuar sherrin mes prokurorëve.
Vetëm me këtë sherrnajë dhe betejë grushtash imazhi publik i organit të prokurorisë, dobësohet. Në kulmin e këtij tensioni, prokurorët rebelë të shortit dolën me një deklaratë. Pa harruar të njoftojnë ndërkombëtarët, 10 prokurorët e ndëshkuar shpjegojnë se shorti i kërkuar ishte antiligjor, ashtu sikurse urdhri për masë dhe për transferim. Vendimin e Arta Markut e konsiderojnë si një precedent të rrezikshëm që e kthen në centralizim organin e akuzës, e gjitha kjo, sipas tyre, në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të reformës në drejtësi.
Arta Marku thekson nga ana e saj se po zbaton Kushtetutën dhe Ligjin. Por mënjëherë kanë reaguar partitë e opozitës PD dhe LSI, të cilat akuzojnë kryeprokuroren se po punon për Edi Ramën dhe Sajmir Tahirin. Berisha ishte edhe më i ashpër. Partitë opozitare kanë bërë kallzim penal për kryeprokuroren Marku. Nga ana e saj PS-ja mbron kryeprokuroren.
Nga burgu Shullazi dhe Habilajt ndjekin me humor sherrin mes prokurorëve. Edhe ish-ministri Sajmir Tahiri shikon me buzagaz këtë sherrnajë dhe largimin e prokurorit të dosjes së tij Hajdaramataj, të cilit do t’i duhet të transferohet në Pogradec. Tahiri, nga pak e përditë, po shkon drejt mbylljes së dosjes penale dhe shpalljes i pafajshëm.