KFOR-i: Ushtrisë serbe i duhej leje për t’u afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën
Nga “Zëri i Amerikës”-
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për t’u afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën.
Deklarata pasoi njoftimet se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, vizituan ditë më parë forcat serbe në rajonin e Rashkës, rreth dy kilometra larg kufirit me Kosovën.
“Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, Forcat e Armatosura të Serbisë duhet ta informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se njësitë e tyre duhet të lëvizin më afër se 1 mijë metra nga kufiri me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.
Serbia tha gjatë javës së ka vënë në “gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve. Beogradi tha se veprimet e tij pasuan vendimin e Kosovës për të ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, por këto pohime janë mohuar nga autoritetet në Kosovë.
“Sa u përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, vendosja e tyre në veriun e Kosovës, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, theksohet në deklaratën e paqeruajtësve.
KFOR-i tha se të gjitha palët i kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese dhe bën thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Forcat e NATO-s thanë se kanë kapacitet për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, ndërsa nënvizuan se mbështesin dialogun si rrugë për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës/VOA/