Në Shqipëri koronavirusi ka prekur dhe 4 fëmijë, nga 3 deri në 15 vjeç

Në Shqipëri mes të prekurve nga koronavirusi janë dhe 4 fëmijë të moshave të ndryshme, nga 3 deri në 15 vjeç. Autoritetet shëndetësore shpjeguan se ata janë kontakte të rasteve pozitive, se nuk kanë shenja klinike dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjatë 24 orëve të fundit janë rregjistruar 28 raste të reja, numri më i lartë që nga 9 marsi, kur u identifikua rasti i parë pozitiv ndaj COVID 19. Në total jnë 174 raste të konfirmuara deri tani. Paralelisht, po zgjerohet çdo ditë dhe harta e qyteteve ku janë regjistruar persona të infektuar, duke u shtrirë thuajse në të gjithë vendin. Në listën e 15 qyteteve, u përfshi dhe Tropoja me 2 raste. Tirana mbetet epiqendra e epidemisë me 60 përqind të rasteve (102 të prekur), Durrës 10 raste, Lushnje 4 raste, Elbasan 5 raste, Rrogozhinë 2 raste, Fier 18 raste, Kavajë 4 raste, Korçë 11 raste, Vlorë 5 raste, Shkodër 3 raste, Lezhë 4 raste, Berat 1 rast, Has 2 raste, Krujë 1 rast.

Të dhënat e fundit dëshmojnë se numri i të shtruarve në spital, nuk ka shënuar një rritje të ndjeshme. Deri më tani janë 73 personat nën kujdesin e mjekëve nga të cilët 3 raste janë në terapi intensive (2 janë të intubuar). Mbrëmë një grua 71 vjeçare e shtruar në spital në terapi intensive, humbi jetën, duke e çuar në 6 numrin e viktimave më koronavirus./VOA/

SHKARKO APP