Kryebashkiakët e opozitës: Nuk dalim nga zyrat. 30 qershori është i paligjshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive të djathta në selinë e PD-së.

Në mbyllje të këtij takimi pati një prononcim të shkurtër të kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu, i cili deklaroi duke ecur se nuk do ta lëshojë zyrën e tij për zgjedhje farsë. “Nuk e lëshoj zyrën time për zgjedhje farsë”,-tha Mziu.

Ndërsa kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj gjatë prononcimit të tij theksoi se opozita ka vendosur moslirimin e zyrave për shkak se zgjedhjet e 30 Qershorit sipas tij ishin nul dhe të jashtëligjshme.

Ne do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi ynë që të jetë zgjedhur në bazë të Kushtetutës, kur të ketë zgjedhje dhe jo votime. Ky është një vendim i marrë nga opozita dhe nga ne. Diskutuam edhe për protestat së shpejti do të informoheni edhe për datën”,-tha Kapllanaj.

Ditën e sotme, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk mund të pranojë farsën e 30 qershorit. Ai dha dhe një mesazh për ndërkombëtarët që i cilësuan këto zgjedhje si të rregullta, duke thënë se kush njeh 30 qershorin nuk i shërben demokracisë në Shqipëri dhe as shqiptarëve.

Votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me cdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit. Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve”,- deklaroi Lulzim Basha.

SHKARKO APP