Kryeministër, trego emrat e mediave që bëjnë avokatinë e krimit!

Kryeministri Edi Rama ka bërë sot akuzat më të rënda ndaj medias dhe gazetarëve. Pas baltës së përhershme ndaj mediave dhe etiketimeve “kazan”, në fjalën e mbajtur në Kuvend ai ka shpallur median si avokate të krimit.
Duke folur për sukseset e operacionit Anti-KÇK, kryeministri Edi Rama tha se “E di që e kemi tronditur krimin e organizuar në palcë me OFL, e di mirë që krimi i organizuar dhe burimet financiare janë investuar që të krijojnë mjegull… në studio televizive ka njerëz të paguar nga krimi i organizuar për të bërë avokatin, duke folur në një formë që është e paperceptueshme, për të relativizuar aktet e atyre që kanë vënë pasuri duke vrarë, që kanë shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra duke bërë para me nderin dhe jetën e tyre”…
Deklarata ndaj gazetarëve dhe mediave që janë vënë në shërbim të krimit nuk mund të kalojë si qëndrim i zakonshëm politik që harrohet pas 24 orësh. Kryeministri Edi Rama ka 7 vjet që drejton Shqipërinë. Ka pushtet si asnjë kryeministër tjetër më parë dhe kontrollon që nga policia dhe deri te institucionet e reja të drejtësisë së “pavarur”. Pra, ligjërisht dhe moralisht ka kontrollin mbi të gjitha institucionet dhe nuk i lejohet më të flas me hamendësime dhe të bëjë parashikime.
Nëse ka media apo gazetarë që në studio televizive bëjnë avokatin e krimit, Edi Rama ka detyrimin ligjor ndaj shqiptarëve t’i denoncojë publikisht dhe të marrë masa ligjore. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë provuar disa herë se udhëzohen nga zyra e kreut të qeverisë në aksionet që bëjnë. Nëse vërtetë në media ka elementë të tillë që financohen nga krimi, Edi Rama duhet të vërë në lëvizje, Anti KÇK, OFL dhe çdo institucion tjetër me apo pa iniciale që zbaton ligjin që të marrë masa.
Shprehjet e mjegullta, sulmet e ulëta pa emra ndaj mediave dhe akuzat që i rreshtojnë gazetarët në të njëjtën anë me kriminelët nuk i bëjnë nder qeverisë dhe godasin në mënyrën më të ulët gjithë mediat.
Një kryeministri nuk i lejohet të flasë me hamendje dhe të bëjë akuza në tym. Ndaj nëse e ka seriozisht luftën ndaj krimit, gjë që është pak e besueshme, le të denoncojë mediat dhe gazetarët me emër.

Edi Rama dikur ka qenë gazetar dhe analist, ndaj e njeh mirë profesionin, ndonëse sot është kryeministër. Ai duhet të specifikojë me emër mbiemër gazetarët apo analistët dhe emrat e TV-ve që janë kthyer në “shtojca” të krimit.

SPECIALE /Kryeministër, trego emrat e mediave që bëjnë avokatinë e krimit!

SHKARKO APP