Kryeministri Kurti refuzon të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u paraqit të hënën në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar në një rast që nuk është bërë publik nga prokuroria ndërsa mbështetësit e kryeminsitrit e shohin si një veprim të motivuar politikisht në kohën kur vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Javën e kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës e thirri kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në një rast që lidhet me vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri (Albin) Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin (Albin) Kurti për një datë tjetër”, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Liridona Kozmaqi. Qeveria e Kosovës tha sot se prokurorët e rastit janë njoftuar për agjendën e kryeministrit ndërsa theksuan se “kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

Partitë opozitare në Kosovë e cilësuan shembull të keq të mosrespektimit të drejtësisë, mosparaqitjen e kryeministrit në prokurori. “Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët e Kosovës për mënyrën se si në këtë rast e trajton organin e akuzës dhe mendoj që ashtu siç e ka përcaktuar Kushtetuta, pushtetet janë të ndara dhe në këtë rast secili duhet të kryej punën e vet”, tha shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri.

“Sinjali që dërgohet është sinjal i gabuar. Qytetarëve të Kosovës ju dërgohet sinjali se ata mund të anashkalojnë gjykatën dhe prokurorinë dhe ky është model i sjelljes i lëvizjes Vetëvendosje”, tha Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në letrën e thirrjes së prokurorisë thuhet se bëhet fjalë për rastin me numër PPSnr. 62/2023. Njohës të sistemit të drejtësisë i thanë Zërit të Amerikës se kjo lëndë ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg. Kryeministri Albin Kurti, mohoi në atë kohë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore ndërsa akuzoi siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e të korruptuar”. /VOA/

SHKARKO APP