Kryeministri shqiptar me foton e Thaçit në takimin me kryeministrin kosovar
Nga Lindita Kokoli-
Sot dy kryeministrat shqiptarë, Rama dhe Kurti, takohen në një mbledhje të përbashkët qeverish, pikërisht në Prishtinë. Edi Rama sado me buzëqeshje të dukshme përsëri nuk e fal Albin Kurtin për sfidën që po i bën nismës Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur.
Ndaj kryeministri shqiptar para se të takonte kryeministrin kosovar bëri një lëvizje fine duke shkuar për vizitë te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Natyrisht që gjesti ishte njerëzor, por duke e marrë në kontekstin e politikës, çdo vizitë zhvillohet duke bërë edhe politikë.
E në këtë rast kur dihet se ka ftohje mes Ramës dhe Kurtit, pavarësisht buzëqeshjeve të stisura mrekullisht, kryeministri Rama ka shigjetuar Albin Kurtin pikërisht me opozitën më të fortë te kryeministrit, te PDK e ish-presidentit Thaçi.
Vizita dhe fotot e Ramës te familja e Hashim Thaçit, në prag të takimit me Albin Kurtin, janë mesazh i kriptuar nga Rama.
E vetmja forcë politike e ashpër dhe që mund të rrëzojë Albin Kurtin mbetet PDK e Thaçit. Ndonëse Thaçi nuk është kryetar i PDK pasi ndodhet në burg në Hagë, por ai mbetet udhëheqësi shpirteror i kësaj force politike opozitare.
Ndaj Rama hyri sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive duke mbajtur lart foton e Hashim Thaçit, gjë që Albin Kurti e di mjaft mirë planin për rrëzimin e qeverisë së tij.
“Open Balkan” është aty dhe pret te dera e qeverisë së Kosovës, por me sa duket me kryeministër tjetër.