Sokol Sadushi oponencë të fortë profesionale dhe njerëzore draftit të Kodit të Ri Penal: Ky Kod jo si trofe por duhet si premtim për drejtësi të DREJTË!
Sot u zhvillua një tryezë për draftin e Kodit të Ri Penal të Shqipërisë. Por diskutimi më oponent dhe me kurajoz ishte ai i Sokol Sadushit, kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Ai tha ndër të tjera se “Dua të theksoj se, deri në këtë moment, as unë si Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe as komuniteti i profesionistëve nuk jemi njohur me versionin përfundimtar të projektit, që prezantohet sot. I vetmi dokument i bërë i aksesueshëm ka qenë një version i pjesës së përgjithshme të vitit 2023, i cili – sipas të dhënave – është zgjeruar më tej në një tekst me mbi 900 nene”.
Me pas ai theksoi se “Këto pyetje nuk synojnë të bëjnë kritikë, por të nxisin garanci. Ato janë shqetësim, por edhe shprehje e nevojës për t’u thelluar në analizën e projektit, dhe për ta testuar me përvojën e gjyqtarit dhe me pritshmëritë e qytetarit.
Ky Kod do të gjykohet nga funksionimi i tij në praktikë, nga qartësia, efektiviteti dhe respekti që i ofron individit dhe shoqërisë. Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët – është për shoqërinë. Nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet; por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi”.
Ja fjala e plotë e Sokol Sadushit:
Prezantimi zyrtar i projekt-kodit të ri Penal është një nismë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, që kërkon reflektim të thellë institucional dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta.
Dua të theksoj se, deri në këtë moment, as unë si Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe as komuniteti i profesionistëve nuk jemi njohur me versionin përfundimtar të projektit, që prezantohet sot. I vetmi dokument i bërë i aksesueshëm ka qenë një version i pjesës së përgjithshme të vitit 2023, i cili – sipas të dhënave – është zgjeruar më tej në një tekst me mbi 900 nene.
Për këtë arsye, fjala ime nuk mund të jetë një analizë përmbajtjesore e projektit, por një thirrje publike për reflektim të thelluar, profesional dhe institucional mbi atë çka duhet të përfaqësojë një Kod Penal – si themeli i kontratës shoqërore që lidh shtetin me qytetarin.
Kodi Penal është ligji që mat saktë ndjeshmërinë e shtetit ndaj jetës, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të tjera, ndaj abuzimit me pushtetin dhe ndaj standardeve të një shoqërie demokratike. Prandaj, kodi duhet të jetë i drejtë para se të jetë i ashpër, i qartë para se të jetë kompleks, efektiv para se të jetë gjithëpërfshirës.
Kodi aktual, i miratuar në vitin 1995, u ndërtua për të lënë pas një epokë autoritarizmi dhe për të afirmuar një sistem të ri penal demokratik. Sot, pas tri dekadash, lind domosdoshmëria për një vlerësim objektiv, në raport me zhvillimet shumëdimensionale që ka pësuar shoqëria, me kontekstin e integrimeve evropiane, por edhe me standardet më të avancuara të së drejtës penale moderne.
Ndaj, është i pashmangshëm një rishikim i ri, i cili nuk mund të jetë vetëm teknik, por duhet të jetë konceptual dhe filozofik. Çështja nuk është vetëm çfarë ndëshkojmë, por si, pse dhe në ç’masë ndëshkojmë?
Nevojat që sjell koha
Koha e ka bërë të qartë nevojën për një rishikim të thellë të Kodit Penal, me qëllimin për të shmangur:
• Përkufizimet e paqarta dhe të vjetëruara të veprave penale;
• Mbivendosjen dhe fragmentarizimin normativ për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta me ligj (24) dhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese (10);
• Kriminalizimin e tepruar dhe formulimet e mbartura nga e kaluara, që e identifikojnë Kodin Penal si një model më shumë ndëshkues sesa rehabilitues;
• Mospërputhjen e dënimeve me natyrën dhe rrezikshmërinë reale të veprave;
• Dominimin e dënimit me burg, në vend të alternativave moderne dhe njerëzore;
• Ndikimin e kufizuar në forcimin e sigurisë publike dhe në parandalimin e recidivizmit;
• Mungesën e dispozitave të qarta për forma të reja të shfaqjes së kriminalitetit.
Kodi aktual e ka përmbushur misionin e tij historik. Shqipëria e sotme ka ndryshuar, dhe drejtësia ka evoluar gjithashtu. Nga ana tjetër, edhe krimi është bërë më kompleks, më teknologjik, më ndërkombëtar.
Përballë këtij realiteti, nevojitet një Kod i ri që nuk riprodhon logjikën e djeshme, por parashikon sfidat e së nesërmes. Ai duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore, të panegociueshme për çdo sistem penal modern, si:
• Qartësia normative dhe siguria juridike;
• Proporcionaliteti dhe nevoja e ndëshkimit penal;
• Humanizmi dhe risocializimi i të dënuarit;
• Dekriminalizimi i sjelljeve që nuk përbëjnë rrezik real;
• Përputhja me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Disa pyetje të domosdoshme
Në këtë fazë të prezantimit të projektit dhe bërjes publike për herë të parë, natyrshëm bëhen disa pyetje të drejtpërdrejta, por të domosdoshme, për të cilat shpresoj dhe besoj se përgjigja do jetë “Po”:
• A është funksional një Kod me një strukturë kaq të ngarkuar dhe komplekse, në një sistem që ende përballet me sfida interpretimi dhe zbatimi të njëtrajtshëm?
• A ndihmon ai në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema?
• A bën një ndarje të qartë ndërmjet të drejtës penale dhe fushave të tjera të së drejtës?
• A përmbush ai misionin e drejtësisë penale moderne për të mos ndëshkuar me burgim çdo shkelje, por për të orientuar, parandaluar dhe rehabilituar?
• A flet ky Kod për qytetarin apo vetëm për profesionistët?
• A është realist në zbatim dhe i kuptueshëm për avokatin, prokurorin dhe gjyqtarin që do ta zbatojë?
• A garanton drejtësi më efektive, më humane dhe më të ndershme?
• A shmangim rrezikun që në përpjekjen për të përfshirë gjithçka, të humbasim thelbësoren?
Këto pyetje nuk synojnë të bëjnë kritikë, por të nxisin garanci. Ato janë shqetësim, por edhe shprehje e nevojës për t’u thelluar në analizën e projektit, dhe për ta testuar me përvojën e gjyqtarit dhe me pritshmëritë e qytetarit.
Ky Kod do të gjykohet nga funksionimi i tij në praktikë, nga qartësia, efektiviteti dhe respekti që i ofron individit dhe shoqërisë. Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët – është për shoqërinë. Nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet; por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi.
Rekomandime për grupin e punës
Të nderuar pjesëmarrës,
Me cilësinë dhe përgjegjësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të institucionit që përfaqësoj, dëshiroj të nënvizoj disa rekomandime, që shpresoj të jenë pasur në vëmendje nga grupi i punës:
• Gjykata e Lartë, në misionin e saj për të unifikuar praktikën gjyqësore, kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson.
• Sa më i qartë kodi, aq më të qëndrueshme janë vendimet.
• Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet.
• Sa më shumë largohet nga parimi “ultima ratio”, aq më pranë një sistemi ndëshkues pa humanizëm do gjendemi.
Në përmbyllje
Le të shpresojmë për të pasur një Kod Penal që:
• shmang inflacionin penal dhe ankoherencën strukturore;
• përdor gjuhë të thjeshtë dhe qartësisht të kuptueshme;
• shmang kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve të dënueshme moralisht ose etikisht, të cilat mund të zgjidhen përmes së drejtës administrative, civile ose mjeteve alternative;
• respekton ndarjen midis të drejtës materiale dhe asaj procedurale;
• shërben për parandalim dhe jo vetëm për ndëshkim, duke respektuar proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës ndëshkimore;
• priret nga humanizmi i së drejtës penale, duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativeve të dënimit me burgim dhe mundësive për rehabilitim;
• nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, por funksionale, humane dhe të drejtë.
Në përmbyllje të fjalës time, dëshiroj të theksoj se në këtë ditë prezantimi të një pune të gjatë dhe të rëndësishme, ka vend për vlerësim, por edhe për reflektim.
Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim. Është një premtim që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme.
Ndaj, mesazhi që dua të ndaj është i thjeshtë:
Të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi; që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë; që nuk ngatërron, por qartëson; që nuk frikëson, por edukon; që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë.
Prandaj, ky projekt nuk duhet parë si një produkt përfundimtar, por si një thirrje për reflektim të përbashkët, ku pas një konsultimi të thelluar institucional – vendas dhe ndërkombëtar – me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, pjesës akademike dhe shoqërisë civile, secili të japë kontribut për të pasur një Kod Penal të thjeshtë, të drejtë dhe funksional.
Vetëm një Kod Penal i ndërtuar mbi parime të shëndosha, mbi qartësi, humanizëm dhe funksionalitet, mund të sjellë një drejtësi penale që i shërben shtetit të së drejtës dhe qytetarit.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe suksese në këtë ndërmarrje të rëndësishme!

KOHA JONË SONDAZH

