Liderët e Europës mblidhen në Londër, Rama bashkëdrejton me Melonin tryezën për emigracionin e paligjshëm

Liderët e Bashkimit Europian mblidhen ditën e sotme në Londër. Në samitin e Komitetit Politik Europian, i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili bashkë me homologen italiane do të drejtojnë një tryezë me temë për emigracionin e paligjshëm.

Në fokus të diskutimeve të liderëve evropianë do të jetë lufta në Ukrainë, siguria dhe demokracia, ndërsa për herë të parë kjo mbledhje do të drejtohet nga kryeministri i ri Britanik Keir Starmer, i cili do të mbajë edhe fjalën hapëse.

Në këtë takim do të mbahen 2 tryeza të rrumbullakëta, një për emigracionin e paligjshëm dhe një tjetër për mbrojtjen e demokracisë që do të bashkëkryesohet nga Presidenti Charles Michel dhe Presidenti malazez Jakov Milatoviç.

Samiti do të zhvillohet vetëm ditën e sotme. Nis me një seancë plenare hyrëse, një fotografi familjare, disa tryeza tematike dhe më pas një tryezë të rrumbullakët mbyllëse, të gjitha për pesë orë.

Udhëheqësit do të qëndrojnë në Pallatin Blenheim në Oksfordshër, që është vendlindja e kryeministrit legjendar britanik, Winston Churchill, jo shumë larg Londrës.

Deri më tani duket se do të paraqiten rreth 45 udhëheqës, përfshirë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje, teksa mberrin në Oksoford, ku është pritur nga homologu britanik, Keir Starmer, përpara nisjes së samitit.

SHKARKO APP