“Luanesha” e kryeministrit para mbledhjes së Kryesisë së PS dhe sekuestrimi i celularëve
“Ja edhe bisha gati për nesër”– shkruan Edi Rama në facebook dhe poston luaneshën e cila do të inagurojë nesër Kopshtin e ri Zoologjik në Tiranë.
Nënteksti është me shumë kuptime, porse në gjuhën e ditëve të fundit ku flitet për emrin e Presidentit të ri të Republikës, e ku janë përmendur dy emra femrash të njohura, duket se njerën nga “luaneshat” duhet të ketë zgjedhur kryeministri.
Ndërkohë mbledhja e kryesisë së PS-së ka filluar dhe mësohet nga burime shumë të sigurta se telefonat celularë iu janë marrë të gjithë anëtarëve të Kryesisë së PS-së.
Burime të tjera tregojnë se ka një listë me 10 emra që hidhen për diskutim në kryesinë e PS dhe më pas do të dilet me një emër konkret. Emrin më pas do ta dërgojë në grupin e saj parlamentar, i cili do të mblidhet paraditen e nesërme rreth orës 10:00 nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme. Kushtetuta përcakton se duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës. Më pas firmat do depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Afati maksimal i cili është përcaktuar në konferencën e fundit të kryetarëve është vendosur ora 12:00 e ditës së nesërme e më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, i cili do të shqyrtojë kushtetueshmërinë, kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS, për t’iu drejtuar në orën 18:00 seancës së posaçme parlamentare për raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta përcakton që në këtë raund, Presidenti zgjidhet me minimumi 71 vota. Ndërkohë Berisha ka deklaruar se do të marrë pjesë nesër në votim, por do të votojë kundër. Kurse Enkelejd Alibeaj deklaroi se grupi rreth tij nuk do të shkojë në seancën e votimit të emrit të Presidentit të ri.