Lubonja:Berisha i përdorte kriminelët nga larg,kurse Rama ulet në kafe me ta

Fatos Lubonja ka bërë sot një shkrim për rastin e arrestimit të Shullazit. Lubonja shtron një pyetje: Pse profesorët u ankuan te Berisha dhe jo te shteti?

“Fakti që shohim Berishën të guxojë të denoncojë Shullazin, ndërkohë që institucionet shtetërore, shoqëria civile e mediat nuk  guxuan ta bëjnë këtë të parat, është në koherencë me luftën e bandave: te Berisha shkojnë e ankohen si një i fortë për të kërkuar mbrojtje nga të fortët e tjerë, ndërkohë që normalisht njerëzit duhej të shkonin të ankoheshin në organet e shtetit”, shkruan Lubonja për Panoramën.

Në këtë kontekst, Lubonja e ngre gishtin edhe mbi opozitën, duke e ngarkuar me një përgjegjësi që nuk mund të shkarkohet me justifikimin se “Edi Rama na e mori pushtetin duke bashkëpunuar me kriminelët”. “Po mirë, more zotërinj, a nuk erdhët ju në pushtet me premtimin për të luftuar krimin dher baronët e drogës? Si ka mundësi që në këta tetë vjet në vend se të dobësoheshin, këta qenkan fuqizuar aq shumë sa arritën t’ju marrin pushtetin, ndonëse ju kishit me vete Policinë, Prokurorinë, SHIK-un?” .

Lubonja ndërkohë thotë se vërtet Berisha i përdorte kriminelët, por Rama i ul në tryezë ata. “Është deri diku e vërtetë ajo që thonë mbështetës të Berishës se ai i përdorte kriminelët, por nuk ulej në tryeza të hante e të pinte me ta, kurse Rama i ul në tryezë, i bën miq e shokë”, shkruan Lubonja.

“Krimi ka kapur institucionet nëpërmjet partive dhe vice versa, partitë në luftën për pushtet gjithnjë e më shumë i janë afruar krimit dhe kriminelëve, duke degjeneruar në banda në luftë me njëra-tjetrën për kontroll pushteti dhe territori”, vijon ai.

Po kush është zgjidhja për Lubonjën? “Që Shullazët të mos na dalin përpara për të na kërcënuar me vrasjen e fëmijëve, duhet që njerëzit që fshehin kokën si struci, duke menduar se janë në punën e vet, ta ngrenë atë. Veçanërisht kjo vlen për ata që qytetarë, intelektualë, gazetarë, specialistë, që kanë gjetur rehat duke mbështetur me kokë ulur njërën apo tjetrën.

 

SHKARKO APP