Lulzim Basha deklaron prerë: Kryebashkiakët tanë nuk lëshojnë zyrat pa zgjedhje demokratike!
Produkti i votimeve të 30 qershorit pritet të përshkallëzojë edhe më tepër situatën politike në vend. Partia Socialiste e cilëson procesin një partiak si të ligjshëm dhe pretendon që pas procedurave të ankimit në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor dhe pas certifikimit të rezultatit, rreth datës 10 gusht te 61 kryebashkiaktët e saj do të marrin detyrën. 10 gushti, sipas PS, është afati kur mbaron mandati i kryebashkiaktëve të zgjedhur në vitin 2015. Por kjo datë mund të tejkalohet jo për shkak të KQZ dhe PS, por gjykatave. Ligji për pushtetin vendor parashikon që mandati i kryebashkiakut i certifikuar nga KQZ duhet të vërtetohet nga gjykata e rrethit përkatës, në bazë të Kushtetutës. Këtu nis dhe problemi tjetër ligjor. Gjykatat e gjithë vendit do të ndodhen përballë një precedenti të rrallë, kur bashkë me vendimin KQZ duhet të interpretojnë dhe ligjshmërinë e votimeve jo normale të 30 qershorit.
Në momentin që gjykatat do të marrin certifikimin e fituesve nga KQZ do të ndodhen para fatit ligjor se në Fletoren Zyrtare (dokument shtetëror) data 30 që i referohet PS është zhdekretuar nga Presidentit. Në këtë pikë, gjithë gjyqtarët që janë sot në gjykata do të ndodhen para dilemës nëse duhet të vlerësojnë vendimin e KQZ apo duhet të zbatojnë dekretin e Presidentit dhe Kushtetutën, e cila qëndron mbi çdo ligj dhe urdhër partiak. Normalisht nuk mund të njohin mandatet e kryebashkiaktëve, kur ligjërisht në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje në Shqipëri. Lëmshi juridik do të thellohet edhe më tepër në momentin që Partia Socialiste do të kërkojë me forcë mbledhjen e Këshillave Bashkiakë të dala nga votimet e njëanshme. Kur socialistët nuk njohën Kushtetutën, nuk është çudi që të mos pyesin as për vendimet e gjykatave të rrethit, të cilat janë dhe në presionin e vettingut.
Në këtë mënyrë javët e para të gushtit pritet të jenë dhe më të nxehta për shkak të përplasjeve të forta. Teksa socialistët do të kërkojnë uzurpimin e këshillave bashkiakë dhe zyrave të kryebashkiakëve, opozita nuk do të rrijë duarkryq. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi dje nga Mallakastra se të zgjedhurit e opozitës në zgjedhjet e vitit 2015 nuk do të largohen nga zyra. Argumenti i opozitës është jo vetëm politik, por edhe ligjor. Për sa kohë që në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje normale, por proces monopartiak dhe pa dekret shtetëror “fituesit” e PS nuk mund të njihen si kryetarë legjitim. Në takimin e Mallakatrës me kryebashkiakun e djathtë, Agron Kapllanaj, Basha u shpreh se gjithë të zgjedhurit e opozitës në shtetin vendor janë legjitim deri në zhvillimin e zgjedhjeve normale. “30 Qershori është një masakër elektorale e provuar në sytë e secilit. Përgjegjës kryesor për këtë krim është Edi Rama. Bashkia Mallakastër ka një kryetar legjitim. Ai është Agron Kapllanaj, derisa të ketë një proces të rregullt zgjedhor, ku përsëri do të konfirmohet si Kryetar Agron Kapllanaj”- u shpreh kreu i PD. Deklaratat e Lulzim Bashës për legjitimitetin e të zgjedhurve vendorë nuk njeh procesin e 30 qershorit, si dhe paralajmëron qëndrimeve të forta publike ndaj farsës së qeverisë për emërimin e kryebashkiakëve të rinj.
Por deklaratat politike në terrenin e nxehtë të kësaj vere përkthehen në përplasje. Socialistët kërkojnë të hyjnë në zyra, pas një procesi që nuk mund të quhet as fitore dhe as zgjedhje. Ndërsa kryebashkiakët e opozitës, me të drejtë thonë se nuk mund të lëshojnë zyrat, pas një farse si ajo e 30 qershorit. Gjykatat Kushtetuese që mund të zgjidhte lëmshin e votimeve model monist është ende shumë larg funksionimit të saj. Ndërkohë, veç çështjes së datës, 30 qershori i PS ka tashmë dhe një problem serioz me legjitimitetin dhe besueshmërinë. Denoncimet që vijojnë të dalin çdo ditë për procesin e PS tregojnë se jo vetëm votat u vodhën, përqindja e pjesëmarrësve u rrit në mënyrë fiktive, por procesverbalet e komisionerëve janë në shumicën e tyre të manipuluar. Denoncimet e fundit për qytetarë që në 30 qershor votonin në Kukës, kur realisht janë në Angli dhe vende të tjera, janë prova më e fortë se ky proces është një turp kombëtar.
Pra lideri opozitar po përgatitet që bashkitë e saj ti mbrojë me popull përballë forcës së policisë së shtetit.
Mili Xhani