FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Mandati i “dhuruar” Mariana Koçekut e Elisa Spiropalit dhe detyrimi moral për ta kthyer

Debati i hapur nga qëndrimet kritike të deputetes së Partisë Socialiste për Shkodrën, Mariana Koçeku, nuk është vetëm politik. Ai prek një çështje shumë më të thellë: raportin midis mandatit parlamentar, etikës dhe integritetit personal.

Nga pikëpamja kushtetuese, një deputet ushtron mandatin në mënyrë të lirë dhe nuk është juridikisht i detyruar të dorëzojë mandatin nëse largohet politikisht nga partia që e ka kandiduar. Kushtetuta shqiptare e njeh mandatin si mandat të deputetit dhe jo të partisë.

Por diskutimi nuk mbaron këtu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ekziston edhe një dimension moral, i cili në këtë rast është po aq i rëndësishëm sa ai juridik. Deputetja Mariana Koçeku nuk e fitoi mandatin përmes një gare të hapur ku votuesit e renditën me votën e tyre personale. Ajo hyri në Kuvend falë listës së mbyllur të Partisë Socialiste, pra si rezultat i vendimit politik të drejtuesve të partisë për ta vendosur në një pozicion fitues.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këto kushte lind pyetja legjitime: nëse mandati nuk është produkt i drejtpërdrejtë i votës personale dhe meritës elektorale, por i besimit që i dha partia duke e përfshirë në listën e sigurt, a është e drejtë që ai mandat të mbahet pasi deputetja deklaron se nuk përfaqëson më linjën politike të forcës që e çoi në Parlament?

Nga pikëpamja etike, përgjigjja është e debatueshme, por një argument i fortë është se mandati duhet t’i kthehet subjektit politik që e bëri të mundur zgjedhjen. Kjo nuk është domosdoshmërisht një detyrim ligjor, por mund të shihet si një akt integriteti politik.

Nëse një deputet është zgjedhur falë votës së drejtpërdrejtë personale në një listë të hapur, situata është ndryshe. Në atë rast ai mund të pretendojë se mandati buron nga besimi që qytetarët kanë shprehur ndaj tij si individ. Por kur mandati vjen nga një listë e mbyllur, pesha e partisë në zgjedhje është shumë më e madhe.

Kjo nuk do të thotë se Mariana Koçeku nuk ka të drejtë të kritikojë Partinë Socialiste apo kryeministrin Edi Rama. Në një demokraci, çdo deputet ka të drejtën e fjalës dhe të bindjes së tij politike. Megjithatë, ekziston një dallim mes së drejtës për të shprehur mendimin dhe legjitimitetit moral për të mbajtur një mandat që nuk është fituar përmes një gare individuale.

Fjala vjen Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj kanë integritet të fortë personal e politik, nëse fjala vjen në një moment sulmojnë Edi Ramën, duke deklaruar se nuk e votojnë në rast Mocioni Mosbesimi, sepse e kanë fituar nga lista e hapur. Natyrisht e kanë fituar nga lista e PS, por ishte emri i tyre që iu dha mandat, vota.

Prandaj, debati nuk është nëse deputetja ka të drejtë të flasë kundër Partisë Socialiste. Debati është nëse është moralisht e drejtë të vazhdojë të ushtrojë një mandat që i është mundësuar nga lista e mbyllur e po asaj force politike që sot e kundërshton.

Në fund, ky nuk është një standard që duhet të vlejë vetëm për Mariana Koçekun. Ai duhet të vlejë për çdo deputet, të çdo partie. Kush e fiton mandatin me votën personale të qytetarëve ka një legjitimitet më të fortë për ta mbajtur edhe në rast përplasjesh me partinë. Kush e merr mandatin falë një vendi të sigurt në listën e mbyllur, përballet me një përgjegjësi morale më të madhe për të reflektuar mbi vazhdimin e ushtrimit të atij mandati nëse shkëputet nga subjekti politik që e bëri deputet.

Po kështu po shkon edhe mandati i Elisa Spiropalit, ndonëse po kujdeset kohët e fundit për mandatin! Edhe Spiropali e ka fituar nga PS, edhe pushtetet i fitoi nga kryeministri. Natyrisht që Edi Rama ka vepruar gabim në mënyrën se si i përzgjedh njerëzit që përfaqësojnë PS dhe Pushtetin. Ndaj në një farë mënyre mirë ia bëjnë!

Të dyja deputetet femra që kanë marrë mandatin e deputetit nga PS dhe jo nga merita e tyre, duhet t’i dorëzojnë e të dalin në Protestë si njerëz të lirë dhe të kundërshtojnë qeverinë. Nëse e bëjnë këtë atëhere duhen përgëzuar për integritetin e tyre moral.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?