Mediu, Ndoka dhe Duka: Vetëm koalicion me PD! Opozita neverit diversionet e Rilindjes

Redaksia online e KOHA JONE iu drejtua këtë të dielë disa prej drejtuesve të partive të vogla, por që realisht kanë ideale të mëdha për një Shqipëri tjetër, ndryshe nga ajo e Rilindjes.

Pyetje ishte e njëjtë për Fatmir Mediun (PR), Nard Ndokën (PDK), Agron Dukën (PAA), Dashamir Shehi (LZHK) dhe Vangjel Dule (PBDNJ): A mendoni se nisma për Koalicion të partive të vogla të opozitës jashtë Koalicionit me PD, gjoja për rritje të votave, ndihmon indirekt PS që të përçaje votat e koalicionit të madh opozitar, pra Rama mbetet në pushtet?
Apo nuk keni mendimin se vetëm një koalicion i madh opozitar mund ta rrëzojë Ramën nga pushteti?
Pyetjes së mësipërme iu përgjigjen mënjëherë dhe pa hezitim, Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Agron Duka.
Lideri republikan, Mediu, tha prerë: “Koalicioni do jetë vetëm me PD, nuk ka asnjë koalicion opozitar jashtë PD-së!”.
Ndërsa Lideri demokristian, Nard Ndoka deklaroi për “KOHA JONE” se: “Ideja e ndryshimit në Kod zgjedhor, mundëson garë edhe brenda koalicionit. Sa më i madh koalicioni, aq më e sigurtë është fitorja ndaj Ramës. Zgjerimi i bazës mbështetëse bazuar me formulën që propozohet është më efikase”.
Nga ana tjetër lideri i PAA, Agron Duka shpjegoi më detajisht arsyet se pse koalicioni me Partinë Demokratike do jetë fituesi në zgjedhjet e radhës:  Ne kemi besimin që koalicion ynë do të jetë fituesi në zgjedhjet e radhës, sepse është fronti më i gjerë opozitar i krijuar ndonjëherë. Megjithatë ne jemi duke analizuar mënyrën sesi të mund të maksimalizojmë edhe votën më të largët në funksion të qëllimeve të opozitës. Por, ndonëse jemi ende në fazë propozimesh, debati mbi këtë ide duket sikur ka marrë nuanca që nuk përkojnë me atë që është realiteti. Thelbi është se ne po kërkojmë të motivojmë votuesit tanë, brenda koalicionit të madh, duke bërë që ata të ndihen të përfaqësuar nëpërmjet votës së tyre. Rritja e efektivitetit të secilës votë e forcon opozitën dhe nuk e dobëson atë.
Por duket se nga përgjigjet e Mediut, Ndokës dhe Dukës nuk do të ketë shans që të krijohet koalicion tjetër opozitar.
Vetëm koalicioni i madh PD-LSI dhe krejt spektri opozitar e mund Rilindjen.

SHKARKO APP