Mesazhet dinjitoze dhe kurajoze të Presidentit
-Presidenti deklaroi se jemi shtet sovran dhe nuk duhet, të huajt, të na trajtojnë si vend afrikan. Në asnjë rresht kreu i shtetit nuk sulmoi interesat e partnerëve strategjik në raport me Shqipërinë, por axhendat personale të disa diplomatëve dhe fondacioneve, shumë të lidhur me qeverinë, të cilët kanë thelluar krizën politike, por edhe kanë deformuar reformat kryesore në vend.
-Kryetari i Shtetit dje ka ofruar një propozim interesant për zgjidhjen e krizës. Ai tha: “Kam bërë të gjithë përpjekjet e mia për çdo zgjidhje. Prapë, unë jap zgjidhjen time si President i Republikës në interes të gjithë shqiptarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur të gjithë drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre…Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme, edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do të kandidoj për president me këto kompetenca që janë, nuk kam asnjë shqetësim. Dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që s’më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë!”.
Presidenti Ilir Meta, në një konferencë jo të zakontë për mediat, dje ka sfiduar hapur kryeministrin Edi Rama. Edhe mazhoracën, edhe parlamentin e “pazarit të Milotit”, ku janë futur deputetët e listave, të cilët janë niveli më mediokër në historinë e parlamentarizmit.
Me mesazhe të forta dhe pa dorashka, kreu i shtetit dënoi farsën e votimeve të 30 qershorit, duke e cilësuar si një proces të turpshëm që e kthen Shqipërinë në ditët më të këqija të kohës së komunizmit. Duke theksuar se data e zgjedhjeve vendore është 13 tetori, kreu i shtetit i dha kryeministrit një ofertë për të zgjidhur problemin me zgjedhjet, por edhe gjithë krizën politike në vend. Presidenti tha se në 13 tetor, vendi duhet të shkojë në zgjedhje vendore, zgjedhje të parakohshme parlamentare, si dhe zgjedhje presidenciale nga populli. “Kam bërë të gjithë përpjekjet e mia për çdo zgjidhje. Prapë, unë jap zgjidhjen time si President i Republikës në interes të gjithë shqiptarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur të gjithë drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre…Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme, edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do të kandidoj për president me këto kompetenca që janë, nuk kam asnjë shqetësim. Dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që s’më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë!”,- deklaroi Presidenti Meta. Kreu i shtetit argumentoi se ky propozim është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë. Ai e ftoi Edi Ramën që të thellohet në gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe të mendojë për qytetarët që po largohen gjithnjë e më shumë nga vendi. Propozimi i ri i Presidentit të vendit, duket më normali në një kohë që kriza pas 30 qershorit vetëm sa është bërë më e ashpër. Lidhur me krizën në Shqipëri, votimet e deformuara të 30 qershorit, si dhe për reformat e njëanshme që po bëhen në vend, Presidenti Ilir Meta pati dhe një mesazh të fortë për një pjesë të ambasadorëve në Tiranë, të cilët shohin gabime vetëm te opozita dhe asnjë të metë te qeveria. “Ftoj edhe përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, sepse ne kemi dhjetë vite që jemi vend i NATO-s! Të mos tallen me Kushtetutën tonë! U tallën njëherë në vitin 2008 me Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Kur i mbanin ison Edit dhe Doktorit që përmbysën Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Një nga ata ambasadorë, i cili i mbante ison atëhere është prapë ambasador këtu. Ai diskuton për dekretin e Presidentit të Republikës! Ai diskuton për hallin e Idajetit! Ai diskuton edhe për Opozitën e Re të Unazës së Re”,- deklaroi Presidenti. Por deklarata e djeshme e kreut të shtetit, Ilir Meta do të mbahet mend dhe për mesazhe e forta dhe direkte që një kryetar shteti ka bërë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për krijimin e një shteti paralel. Kreu i shtetit përdori termat “deep state” dhe ”state capture”, të cila identifikojnë një qeverisjen paralele të një grupi njerëzish duke shpërfillur ligjet e shtetit, me ndihmë dhe të fonacioneve të huaja. Presidentit tha se më 30 qershor, në Shqipëri u tentua një konflikt civil, pikërisht për të realizuar modelin e një qeverisjeje të tillë. Në këto model qeverisje që po aplikon Edi Rama, Presidenti përmendi modelin korruptiv të shtetit, ndihmën që i japin një pjesë e diplomatëve, si dhe atë që ai e cilësoi si ndikim të filantropit miliarder Xhorxh Soros. “Prej kohësh ua kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhi, madje dhe mikut tim Doktorit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd! Tre P-të janë të mëdha që të mos dalim nga filozofia e mënyrës se si qeverisim dhe është edhe një “d” e vogël. Është një grup i strukturuar që punon sipas parimeve të “deep state-t”, që synon “total capture state’ në Shqipëri, që kanë gjetur dhe njeriun e duhur për këtë çështje, i cili nuk vjen në takim me Presidentin, por lahet në pishinë, edhe pse Presidenti për muaj dhe javë të tëra i ka dërguar dhe i ka treguar rrugën e zgjidhjes, e cila nuk është rruga e zgjidhjes “Rama ik!”, siç kërkon Basha, Kryemadhi dhe Berisha, dhe populli opozitar, por është “Rama reflekto!”. Kjo ishte deri të shtunën në darkë. Tani kam një axhendë tjetër në këtë drejtim për zgjidhjen e krizës: “Edi thellohu”!”,- deklaroi Presidenti Meta. Këto qëndrime të fortë të kreut të shtetit, në mënyrë dashakeqe u interpretuan nga një pjesë e njerëzve afër kryeministrit si qëndrim i kreut të shtetit kundër partnerëve tanë strategjikë. Në fakt në asnjë rresht kreu i shtetit nuk sulmoi interesat e partnerëve strategjik në raport me Shqipërinë, por axhendat personale të disa diplomatëve dhe fondacioneve, shumë të lidhur me qeverinë, të cilët kanë thelluar krizën politike, por edhe kanë deformuar reformat kryesore në vend.
Mili Xhani