Mesnatë, koronavirusi dhe dy kinezë mbretëronin Tiranën

Nga Spiten Prulli

Këtë të premte, datë 13 mars, aty nga ora 22.45 pasi kisha qëndruar gjithë ditën në shtëpi sipas porosive të Edi Ramës, vendosa e dola. Vura maskën, edhe dorezat e blera te farmacia e njohur Koleci, e fillova të eci. Shikoja rrugët, bosh ishin! U solla nëpër trotuar dhe kaloja sa në njerën anë të trotuarit në tjetrin mu para gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Asnjë makinë! As edhe njerëz!

Iu afrova ngadalë e në qejfin tim si dhe duke kundruar hundën te maska që e vura për herë të parë dhe se si më dukej vetja si në filma ku në krejt qytetin isha vetëm unë. Si në ato filmat postapokaliptik.
Këmbët me çuan te sheshi Wilson, ndalova. Askush nuk dukej, ndërkohë semaforat punonin për mrekulli. Kur ka makina dëng nuk punojnë, për dreq. Rrethi i madh përreth Presidentit amerikan Wilson krejt bosh.
Hajde po shkoj ta shikoj Wilsonin nga afër, thashë dhe hyra në rreth, kalova barin e Erion Velisë dhe u gjenda mu përballë Presidentit Wilson. Nxora celularin dhe bëra këto foto që janë në shkrim.
Presidenti ishte vetëm! Përnatë, para se të na mbinte ky koronavirusi, gjallëronte sheshi, lokalet plot, makina rrëmujë e semaforë që nuk punojnë.

Zbrita nga bari dhe rënda me hap me të shpejtë të shikoja Tiranën. Kërkoja me sy për ndonjë frymë njeriu. Jo! Kalova edhe Librin Universitar dhe kapa Bulevardin kryesor. Aty po, kishte makina policie. Te trotuari mes kryeministrisë dhe QNK ishte një lypës, mbledhur kruspull.
Hej bela!-thashë- Si t’ja jap ca lekë?

Mu kujtua kryeministri me këshillat e tij shëndetsore dhe veprova. Nuk iu afrova. Mbajta hapin diku te katër metra larg dhe hodha një 2 mijë lekshe, por nuk ra në prehrin e tij. Epo po hedh edhe një, mendova dhe prapë 2 mijë lekshi tjetër ra nga e majta e tij, nga ana ku Endri Fuga, këshilltari i Ramës, ka zyrën e tij.
E lashë lypsin e natës në vetminë e tij dhe u turra nga sheshi “Skendërbej”.Trotuari nga ana e ish-hotel Dajtit, bosh. Diku afër Galerisë së Artëve ishin dy të rinjë kinezë që nuk pyesnin për coronën e ardhur nga Kina dhe po putheshin mu përballë zyrës së ministrit të brendshëm.
Siç duket kinezët e kishin mësuar fjalën e urtë popullore shqiptare se “plumbi del me plumb”. Edhe ata po zbatonin “korona del me korona!”. Natyrisht e kemi fjalën për koronavirus.
Në sheshin Skenderbej rrinte vetëm Skendërbeu dhe dy pleqë.
Mora udhën nga Banka e Shqipërisë, kalova përballë selisë së PS. Mendova se Taulant Balla mund të ishte duke dhënë udhëzimet për coronën, por asnjë nuk dukej te selia. Ishte kyçur partia!
Te Tajvani makina policie rrinin e kundronin ndonjë makinë që mund të kalonte. U solla nga ish-blloku me mendimin se mund të kishte lëvizje.
Pak ose më mirë aspak njerëz. Iu solla një bankomati të nxirrja ndonjë lekë të vogël, por edhe bankomati nuk kishte. E prapë dola para Wilsonit. Asnjëri nuk dukej. Presidenti amerikan aty rrinte, i vetëm.
Koronavirusi ishte mbret i natës në Tiranë. Ai (koronavirus) dhe dy kinezët që pashë të Galeria e Artëve drejtonin kryeqytetin kësaj nate.
Edhe sa netë, ata, do mbretërojnë mbi kryeqytet? Nuk e di, asnjë nuk e di! Dijmë që as lufta bërthamore nuk do na kishte futur brenda si kësaj radhe!

Fotot realizuar në mesnatë në Tiranë

SHKARKO APP