Meta insiston: Rreziku më i madh se koronavirus mbetet murtaja që quhet Rilindje

Presidenti Ilir Meta ka shkuar dje për herë të dytë në zyrat e Prokurorisë Speciale Anti-Korrupsion (SPAK) për të paditur shkeljet flagrante kushtetuese të përfaqësueseve të rilindjes. Pas padisë ndaj kreut të KED, Ardian Dvroani, dje në prokurorinë speciale u kallëzua penalisht Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni dhe drejtoresha e Qendrës së Publikimeve Zyrtare. Të tre funksionarët e lartë të shtetit, nën udhëzimet e ministrisë së Drejtësisë dhe kjo e fundit e udhëzuar nga eprorët e saj politike, kanë konsumuar 4 vepra penale, ku përfshihet falsifikimi dhe shpërdorimi i detyrës. Prokurorët e SPAK kanë në dorë një dosje voluminoze ku faktohet sesi zyrtarët më të lartë të Drejtësisë që duhet të jenë shembull i zbatimit të ligjit, rezultojnë të përfshirë në një skemë mafioze falsifikimi. Konkretisht urdhëruan botimin në fletoren zyrtare të emrit të Arta Vorpsit, kur kjo e fundit as ishte zgjedhur dhe as dekretuar. Shkelja është aq flagrante dhe e turpshme sa asnjë zyrtar mediokër nuk do të kishte marrë përsipër të firmoste diçka të tillë. Ministrja Gjonaj në reagimet që ka bërë për padinë nuk ka dhënë asnjë sqarim se përse e bëri shkeljen, por praktikisht e ka pranuar firmën e saj.

Në skandalin e rilindjes me Gjykatën Kushtetuese emri i Etilda Gjonajt është vetëm një numër më shumë në listën e gjatë të njerëzve që kanë shkelur ligjin. Bashkë me Ardian Dvoranin dhe sekretarët e tjerë që manipuluan dokumentet, këta juristë rezultojnë si një celulë kamikaze që kanë shkelur rëndë ligjin dhe janë vënë në lëvizje me urdhra politikë. Celula që është denoncuar publikisht dhe ligjërisht nga kreu i shtetit është e para, por jo e fundit e organizatës së madhe antiligjore që quhet Rilindje. Si Ministrja dhe sekretarët janë vënë në rresht për të shërbyer vetëm për llogari të Rilinjdes dhe qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Sepse në fund, Gjykata Kushtetuese nuk u hyn në punë sekretarëve apo ministrave, por gjithë qeverisë aktuale për të mbuluar zullumet dhe pisllëqet e 7 viteve qeverisje.

Gjykata Kushtetuese i duhet e gjitha qeverisë “Rama” për të justifikuar farën e shëmtuar të 30 qershorit. I duhet për legjitimuar vjedhjet galoponte dhe koncesionet qindra milona euro që kanë përfunduar në xhepat e 10 biznesmenëve dhe njerëzve të qeverisë. I duhet për të mbajtur në këmbë parlamentin më anormal më 122 deputetë që është kthyer prej një viti në degë të Partisë Socialiste. I duhet për të legjitimuar një pushtet policor dhe për të justifikuar gjithë ligjet problematike që nuk kanë lidhje me vlerat e BE-së, por vetëm vendeve autoritariste. Gjykata Kushtetuese është institucioni ku Rilindjes i duhen njerëzit e saj për të mbajtur në këmbë më pas gjithë strukturën e paligjshmërisë që është shtrirë në çdo qelizë të shtetit. Kapja e Gjykatës Kushtetuese nga qeveria është një operacion kriminal që u denoncua nga kreu i shtetit. Por për të denoncuar gjithë organizatën e Rilindjes që tashmë ka tipare mafioze dhe kriminale nuk mjaftojnë vetëm paditë te institucionet e drejtësisë. Duhet që qytetarët të reagojë dhe protestojnë në mbrojtje të demokracisë dhe Kushtetutës. Manifestimi që ka thirrur kreu i shtetit më 2 mars, në orën 17:00 më bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është forma e vetme e qytetarëve për të treguar se kërkojnë një shtet normal ku Kushtetuta dhe parimet e demokracisë janë të shenjta. Pasi rilindja ka marrë çdo pushtet dhe synon të zhbëjë gjithë institucionet, është koha e shqiptarëve të tregojnë se nuk pranojnë të qeverisën më me modele që Shqipëria i ka lënë pas që në vitet ’90.

Në kohën kur shqiptarët po bombarohen me lajme paniku për koroavirusin dhe masat, të cilat realisht duhen marrë me seriozisht, Rilindja po vijon të keqqeverisë dhe të zbatojë planin e kapjes totale të shtetit. Ndaj më 2 mars shqiptarët do të tregojnë se janë për ndërtimin e shtetit, mbrojtjen e Kushtetutës dhe ruajtjen e demokracisë. Mbrojtja e Kushtetutës dhe integriteti i institucioneve është një çështje që ka të bëjë me të gjithë, ndaj dhe thirrja e kreut të shtetit për manifestimin e 2 marsit vlen për këdo. “Të gjithë i pres më 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e të gjithë shqiptarëve”,- u shpreh dje Presidenti Meta, duke paralajmëruar se probleme më i madh që kanë sot shqiptarët është Rilindja./Mili Xhani/

SHKARKO APP