Meta: Rilindja e Ramës edhe në NATO të ulërijë, unë jam president deri më 24 korrik 2022

Parlamenti i Shqipërisë e ka humbur prej kohësh legjitimitetin dhe do të ishte në nderin e tij të vetëshpërndahet. Ky është qëndrimi që Presidenti i vendit Ilir Meta ka ndaj pyetjes nëse do të shpërndajë Parlamentin. Në një intervistë dhënë për gazetaren Ilva Tare në  “Euroneës Albania”, kreu i shtetit ka argumentuar se prej kohësh shqiptarët nuk kanë më institucion ligjvënës që garanton funksionin e shtetit, por një Kuvend që është kthyer në shkelësin më të madh të ligjeve në vend. Sipas tij, “në Parlamentin tonë është lajm kur miratohet ndonjë ligj në respekt të Kushtetutë. Shkelja e Kushtetutës është kthyer në një sport të preferuar të mazhorancës. Kuvendi duhet të vetë shpërndahet. Nuk ofron asnjë garanci për funksionimin normal të institucioneve. Ky është një Kuvend ilegjitim”. Presidenti shtoi se Kuvendi ka dështuar të zgjidhë krizën politike, institucionale dhe ka ndikuar në rënie e gjithë institucioneve në vend, përfshirë dhe pushtetin vendor. Kreu i shtetit ka komentuar dhe përplasjet mes mazhorancës dhe institucionit të Presidencës. Meta u shpreh se në të gjitha rastet institucioni që ai drejton ka qenë në mbrojtje të kushtetutës dhe jo interesave personale apo anxhendave politike. Lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të përplasjes mes tij dhe qeverisë, Presidenti Meta dhe tha se “ju garantoj se Presidenca nuk është mur, por është një kala në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk ka as ndonjë vagabond ndërkombëtar që mund ta vejë këtë në diskutim”. Presidenti Meta shtoi se do të përballet me këto në qeveri apo në minorancë që tenton të prekë Kushtetutën duke vënë në rrezik interesat e shtetit dhe qytetarëve. “Përplasja ime do jetë ballore me këdo që prek Kushtetutën. Për këtë të jenë të sigurtë të gjithë, si në mazhorancë edhe në minorancë”,- tha Presidenti.

Presidenti ka komentuar edhe përplasjen për Gjykatën Kushtetuese duke argumentuar se mazhoranca dhe Dvorani kanë shkelur ligjin në mënyrë flagrante dhe asnjë diplomat i korruptuar nuk mund t’i mbrojë më. Lidhur me ndryshimet e ligjeve në reformën në drejtësi nga PS dhe kapjen e institucioneve të reja nga qeveria, kreu i shtetit deklaroi se reforma është tjetërsuar për interesa politike. “Kjo është një drejtësi e vdekur. Unë nuk luftojë për një Gjykatë kushtetuese të Ilir Metës. Unë po mbroj një Gjykatë Kushtetuese me integritet. Çdo zgjedhje që bëja unë, ndryshonte zgjedhja për Kuvendin dhe çdo zgjedhje që bënte kuvendi ndikonte në zgjedhjen time. Ata bënë një lojë të trashë që nuk ka diplomat të korruptuar në Bruksel, Uashington për të relativizuar përgjegjësinë e z. Dvorani”,- deklaroi kreu i shtetit. Lidhur me kërkesën e PS për shkarkimin e tij nga detyra, Presidenti u shpreh se do të jetë në detyrë deri në përfundimin e plotë të mandatit në vitin 2020. Ai u shpreh se do të ftonte qytetarët të dilnin në mbrojtje të Kushtetutës dhe legjitimitetit të institucioneve. “Presidenti i Republikës është në detyrë deri në 24 korrik 2022, në kala dhe një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës. Le të kërkojnë çfarëdo intepretim dhe nga kushdo. Kjo histori ka marrë fund. Do i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të dalin në mbrojtje të Kushtetutës dhe këtë e kam bërë të qartë”,- deklaroi kreu i shtetit.

Ka një vit që nuk ka institucione demokracie në vend, por vetëm një pushtet ekzekutiv që ka futur nën kontroll krejt pushtetet e tjera. Nuk ka parlament legjitim, nuk ka pushtet vendor, nuk ka gjykatë të lartë, gjykatën kushtetuese synojnë ta gllabërojë Rilindja, e ku po bëhet një betejë jetike mes Presidentit dhe Rilindjes./M.Xhani/

SHKARKO APP