Meta: Tensioni politik në Shqipëri e Kosovë është i provokuar qëllimisht e i sponsorizuar nga një person i vetëm
Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit, deklaroi se situata politike në Shqipëri është tensionuar qëllimisht nga një person i vetëm, duke nënkuptuar Edi Ramën.
“Tensioni në Shqipëri nuk është i rastësishëm, por i sponsorizuar dhe i provokuar qëllimisht. Ky tension qëndron në arbitraritetin e një individi që ka rrezuar për fat të keq një sistem të tërë të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Këtë situatë po e shfrytëzon për fat të keq Serbia për të pasqyruar shqiptaret në botë, si në Shqipëri dhe në Kosovë, si një popull të paaftë për të ndërtuar shtet. Politika serbe për fat të keq ka avancuar shumë”,- tha Presidenti Meta.
Presidenti Meta i cilësoi provokime të qëllimshme dhe deklaratat e Edi Ramës për Kosovën. Ai solli në vëmendje deklaratën e Edi Ramës për president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Përse duhej një deklaratë e tillë? Më e pakta serbët e përdorin dhe thonë përse duhet t’a njihni Kosovën të pavarur, këta do bashkohen me Shqipërinë”,- tha Presidenti Meta.
Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar të papranueshme deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për mohimin e Masakrës së Reçakut. Kreu i shtetit u shpreh se “është e papranueshme të thuash që masakra e Reçakut ishte një trillim, sepse kjo do të thotë se ti mohon një genocid të kryer në zemër të Europës. Kjo nuk mund te pranohet, sepse nesër ai mund të thotë se Srebrenica nuk ka ekzistuar etj, dhe kjo nuk mund te pranohet. Ai nuk duhet të provokojë shqiptarët dhe bashkëpunimin rajonal”.
Pjesë nga intervista
-Mirëmbrëma Z. Meta, mirëserdhët për herë të parë në 360 Gradë.
Mirëmbrëma Z. Zheji, kënaqësi.
-Atëherë pyetjen Z. President e kisha përtej mirëseardhjes… Pavarësisht tensionit politik në Shqipëri i cili është shumë i lartë, ka opinione që thonë se edhe ju keni kontribuar për të arritur këtë tension jo vetëm mazhoranca. Ne kemi një tension të ri, kësaj radhe midis asaj që ne e quajmë Tirana dhe Prishtina zyrtare, kemi gati një përplasje dhe asnjëherë nuk ka qenë në këto përmasa kaq publike. Tani, jemi ne që po eksportojmë tension në Kosovë apo kështu jemi ne shqiptarët edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri?
Unë mendoj se tensioni nuk është i rastësishëm as në Shqipëri dhe as në këto raporte, ndoshta pas gjithë këtij tensioni të sponsorizuar dhe provokuar qëllimisht patjetër që në fund fare qëndron dëshira për të na paraqitur në këtë mënyrë, ‘ja kështu janë këta shqiptarët kudo, nuk dinë të merren vesh, nuk dinë të bëjnë gjë’, përgjegjësia të shpërndahet kudo dhe të gjithë të paraqiten njësoj por nuk mendoj se është kështu. Duhet theksuar që ky ka qenë një vit zhgënjimesh në tërësi, në të gjitha drejtimet por asgjë nuk duhet mohuar në jetën e njeriut por edhe në jetën e një vendi. Le të besojmë dhe le të reflektojmë thellë dhe të na kthehet e gjithë kjo eksperiencë një vjeçare në një motivim jo thjeshtë për të shpresuar për vitin që vjen por për të punuar dhe për tu angazhuar të gjithë së bashku që Shqipëria të vendoset në shinat e normalitetit të një vendi demokratik, të një shteti të së drejtës, ku qytetarët jo vetëm që dëgjohen por edhe vendosin dhe natyrisht që Shqipëria mos të jetë një model i keq për Kosovën kur i ka pasur të gjitha mundësitë për shkak edhe të eksperiencës të një shteti më të vjetër se një shekull por për të qenë një shembull më pozitiv për demokracinë, për të gjitha…
– Më lejoni t’iu ndërpres pak sepse thatë disa gjëra që kanë nevojë për një nënvijëzim dhe një sqarim. Thatë që është i qëllimshëm tensioni midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ose jemi në teori konspirative ose ka autorë të një qëllimi të tillë.
Jo unë nuk kam teori konspirative, unë këtë kam thënë prej kohësh, tensioni në Shqipëri është i provokuar qëllimisht, Shqipëria është çdo ditë nën tension, nga tensioni në tension, nga konflikti në konflikt, shikojeni me qetësi, ku qëndron tensioni? Tensioni qëndron te arbitrariteti për fat të keq i një individi i cili pavarësisht të gjithave ka rrëzuar një sistem të tërë demokratik dhe llogaridhënës në vend, gjë të cilën e ka arritur me sukses gjatë vitit që po mbyllim dhe të gjitha këto dështime për fat të keq kërkon t’i mbulojë duke krijuar edhe debate tërësisht të panevojshme.
-Pra strategjia e rritjes se tensionit është një strategji për të mbuluar dështimet. Pra është e qëllimshme, nuk buron nga natyra konfliktuale e politikës shqiptare në përgjithësi.
Është një strategji për të drejtuar dhe për të mbijetuar pa rregulla loje, përmes kapjes së të gjitha institucioneve, kapjes së mediave përmes presioneve, përmes frikësimeve, përmes linçimeve të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe që nuk kanë të drejtë të jenë vetvetja dhe për aq më tepër, flasin në emër të popullit që i ka zgjedhur.
-Kur ka ndodhur kjo Z. Meta? Kur ka nisur le të themi kjo strategji nëse mund ta quajmë apo plan i qëllimshëm për të krijuar një lloj tensioni për të fshehur ato që ju i quani dështime.
Unë mendoj që duhet të jemi shumë të qartë që këtu kemi të bëjmë me një de faktorizim dhe të Shqipërisë edhe të shqiptarëve në tërësi. Kjo është rruga më e mirë, një Shqipëri pa kredenciale demokratike, një Shqipëri që ka 3 vite apo 4 vite që në vend që të bëjë hapa para bën hapa pas në raport me BE dhe shtohen kushtet. Sigurisht që nuk mund të jetë modeli më i mirë për të gjithë shqiptarët në rajon dhe aq më tepër një Shqipëri që paraqitet në mënyrë të padrejtë sikurse nuk është por për shkak të protagonizmit të një personi, herë pas here me teza të cilat në fund fare i përdor me mjeshtëri Serbia për të krijuar paqartësi dhe pasiguri në planin ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës apo për ti paraqitur shqiptarët si revanshistë apo si njerëz të cilët nuk janë të aftë për të ndërtuar dialog, për të ndërtuar paqe, kur është e kundërta. Ne e shohim që në Serbi për fat të keq kemi drejtues dhe udhëheqës të cilët rehabilitojnë Millosheviçin dhe këtë gjë e bëjnë në Kosovë. Të cilët vetëm dy javë më parë thanë që masakra e Roçakut ishte një trillim, një mashtrim i ambasadorit amerikan të OSBE-së në atë kohë, apo kur kemi edhe deklaratën e fundit të Daçiçit, para dy ditësh që zhbërja e shtetit të Kosovës është një projekt shtetëror i Serbisë. Këto janë të qarta, nuk mendoj se ka shumë vend për të menduar që ka konspiracion. Po ka një politikë, politika serbe është një politikë që ka avancuar shumë këto kohë në Uashington, ka avancuar shumë në Bruksel, ka përfituar shumë nga dialogu Kosovë-Serbi, në vend që t’i qëndronte atyre angazhimeve kur u vendos dialogu që nuk do të bllokonte angazhimin e Kosovës në organizatat rajonale apo ndërkombëtare. Ajo e shfrytëzoi atë sepse pa dialogun me Kosovën nuk çelte negociatat dhe më pas të gjithën e ktheu në të kundër të Kosovës edhe kuptohet, duke sjellë situata të cilat reflektojnë edhe në zhvillimet më të fundit këtu. Ku Kosova vendoset në një pozicion të vështirë jo vetëm nga Serbia.
-Z. Meta këto janë pohime shumë të rënda.
Tani këto janë të vërteta, unë e di që ju shpesh nuk i doni të vërtetat sepse doni të jetoni në botën e gënjeshtrave, jetoni unë nuk ju pengoj. Unë e kam për detyrë t’iu them të vërtetat.
-Dakord pra, pse ja, duhet ti marrim dhe ti analizojmë një nga një. Për shembull nëse flasim për një klimë të qëllimshme tensioni midis…
Kam një pyetje unë për ju. Çfarë pune ka Kryeministri i Shqipërisë në Parlamentin e Kosovës të thotë, ‘Në të ardhmen unë guxoj të mendoj që do të ketë një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë.’? Përse?
– Ndoshta i ka ardhur të jetë vetë ashtu për shembull? Ka një ëndërr.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, si e përkthej unë, po them jo këtu në Shqipëri, por atje siç e përktheu politika e Beogradit që, “Shqipëri-Kosovë në të ardhmen do të jetë një shtet, atëherë përse duhet të vazhdoni ta njihni ju Kosovën? Edhe ju të tjerët që e keni njohur, nuk ja vlen, edhe mund të tërhiqeni në shkëmbim të një raporti më të afërt me ne sepse këta nuk e kanë seriozisht këtë shtetin e Kosovës.”.
Kryeministri edhe me marrëveshjen e Mini-Shengenit në fakt këtë kërkon, ai thotë, “Nëse ne ndërtojmë një hapësirë në të cilën kufinjtë dhe barrierat nuk kanë më rëndësi është më e lehtë për tu përceptuar edhe një hapësirë mbarë-shqiptare në rajon.”. Pra si të thuash me këtë e ka argumentuar këmbënguljen e tij për të avancuar më projektin e Mini-Shengenit. Që nuk është edhe emër korrekt në fakt por kështu e kemi pagëzuar.
Tani emri as korrekt nuk është, as i këndshëm shumë nuk është dhe së dyti nuk shikoj as një projekt që bashkon shqiptarët përveç rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe forcimit të perspektivës Euro Atlantike edhe për Kosovën, kjo është e vetmja rrugë. Këto rrugica pastaj se ku do të bëjë protagonizëm njëri këtu në Ballkan edhe ku do bëjë tjetri, këto janë më shumë lojëra politike, por nuk kanë asnjë lidhje me qëllimin strategjik të Shqipërisë dhe Shqiptarëve për të ecur në këtë drejtim. Ky është boshti kryesor për të cilin kemi rënë në konsensus që prej 30 vitesh në këtë vend, edhe pavarësisht nga problemet e politikës së brendshme, të gjithë janë përkushtuar në këtë drejtim dhe shqiptarët do të bashkohen të gjithë në BE, të gjithë në NATO, ky është bashkimi siç bashkohen tani me shqiptarët e Maqedonisë në NATO, dhe kështu do të bashkohemi edhe me këto të Kosovës edhe në BE, edhe në NATO, do të vijë edhe Serbia të bashkohet në NATO, por Serbia nuk ka për të ardhur për tu bashkuar atje, madje edhe me BE-në pavarësisht së është shumë më e avancuar se Shqipëria në raport me BE-në, sot përsëri po të shikosh qëndrimet që ajo mban përsa i përket politikës së jashtme janë gati 2/3 në kundërshtim me politikat e jashtme të BE-së, ndryshe nga Shqipëria e cila i ka të njehsuara.
-Kemi një kryeministër shumë patriot që kërkon bashkimin e Shqipërisë me Kosovën apo kemi një kryeministër i cili krijon tensione me Kosovën, sepse në një samit ndërkombëtar siç ishte ai i minishengenit, i dështuar apo i suksesshëm nuk ka rëndësi, ai pati nj polemike të hapur me z. Ramush Haradinaj kryeministrin e Kosovës duke e akuzuar atë si gënjeshtar. Pra kjo i rriti tensionet në maksimum dhe pati edhe një reagim nga Kosova, si pati mundësi. Tani a është me gënjeshtar se Ramushi apo është një njeri që kërkon të krijojë ndasi midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku e keni lënë?
Tani nuk dëshiroj të zgjatem shumë këtu se kemi të bëjmë me një politikan që vetëm nda, e ka të vështirë të bashkojë, edhe nuk ndan vetëm Shqipërinë, sepse Shqipëria do të ishte në një situatë tjetër nëse do të kishte përgjegjshmëri për pozitën kushtetuese që ka sepse është kryeministri i gjithë shqiptarëve, pavarësisht se për kë ka votuar një pjesë e elektoratit, por të gjithë paguajnë taksa që ai ti administrojë ato në përputhje me detyrimet Kushtetuese që ka dhe natyrisht është për të ardhur keq që këto ndarje këtu i thellon edhe në Kosovë edhe nuk është hera e parë që krijon polemika krejtësisht të panevojshme me drejtuesit e Kosovës aq më tepër edhe të karakterit denigrues, kur duhet të ketë parasysh që Shqipëria ka një përgjegjësi të veçantë për Kosovën, edhe se Shqipëria nuk mund të flasë në emër të Kosovës, mund të mbrojë interesat e Kosovës se ka për detyre ti mbrojë ato dhe jo ti dëmtojë, por në emër të Kosovës flasin vetë institucionet e Kosovës.
-Nuk jemi ne vëllai madh po themi…
Nuk mendoj se shkon terminologjia vëllai madh, unë mendoj që ne jemi 2 vende ku Shqipëria duhet të ndihmojë më shumë, por për fat të keq Shqipëria me këto politikë që ka bërë dhe po vazhdon të bëjë ndaj Kosovës, përveç politikës së saj të brendshme nuk është një shembull që duhet të ndiqet nga Kosova.
Skuadrat e shpëtimit për tërmetin i kishin më të mira ata, për çfarë mund ti ndihmojmë ne ata.
Pyetja ime nuk është për Presidentin, por edhe si qytetar duke e ndjekur, ideja e një konfederate ballkanike është shumë e vjetër, por me një prizëm ndryshe nga ajo që ndodh sot, teza social-demokrate e dal nga Beogradi që në kohën e luftës së parë botërore nuk kishte parasysh atë që do të ndodhte më pas në Europën e bashkuar, pra këto janë dy gjëra që nuk kanë të bëjnë, këto janë rrugica në rrugën e përbashkët…
Në një bulevard duam të dalim në rrugica
– Patjetër, megjithatë unë nuk e kam parë nëse do ishte një tezë e përpunuar e dalë nga akademia e shkencave, do ishte projekt i studiuar dhe i porositur nga qeveria, i cili i parashikon të gjitha aspektet, jo vetëm aspektin politik-nacional, por edhe aspektet e pasojave që mund të ketë ekonominë shqiptarë nesër një realizim i tillë i një projekt, të cilin unë e shoh shumë flu, nuk shoh një perspektivë, natyrisht që do të kërkonte të ishte edhe politikisht pjesë e një konsensusi, si politika e jashtme me të gjithë konfliktet që ka patur politika shqiptare ka qenë gjithmonë unike, tradicionalisht ne kemi patur një politikë, pozitë-opozitë përsa i përket BE-së, përsa i përket NATO-së, përsa i përket çështjeve të tjera ndërkombëtare, është hera e parë që nuk gjendet një gjuhë e përbashkët, që nuk ka një projekt të qartë, se ky është një ide shumë e përgjithshme dhe unë do thoja që Presidenti i Republikës se ka kompetenca në këtë drejtim, në drejtim të politikës së jashtme, pavarësisht se nuk janë përcaktuar shprehimisht me ligjin për ministrinë e Jashtme në lidhjet tilla, por Kushtetuta e jep këtë të drejtë, ju si e ndjeni veten në një fazë të avancuar se është mbledhja e tretë që po bëhet, mirë takimi i parë se u hodhën ca teza, por nuk e dimë se çfarë bënë në mbledhjen e dytë dhe të tretë, kur projekt për Presidentin e Republikës ka ardhur ndonjëherë diçka është diskutuar, ju keni qenë pjesë e këtij diskutimi, të këtij projekti apo jo?
– Do të shtoja vetëm diçka është thënë nga kryeministri i vendit Edi Rama dhe nga ata që mbështesin idenë që kanë mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të BE-së dhe të SHBA-ve, ju keni një informacion konkret si President i Republikës në lidhje mbështetjen me dy qendrat e rëndësishme të politikës shqiptare, Uashingtonin dhe Brukselin i kanë dhënë këtij projekti?
Së pari mua më duket edhe si alibi sepse ai politikan që thotë këtë gjë e mbështet SHBA-ja dhe BE-ja, e shoh si një alibi për pafuqinë, për të bindur, për seriozitetin apo për qëllimet e mira dhe të shëndetshme të një projekti apo të një ideje, unë shikoj Kushtetutën edhe nuk shikoj që të thotë se këtë e thotë Kushtetuta, por këtë e thotë ambasada se e kanë thënë partnerët, e fut në tërësi. Këto janë histori pa asnjë pikë kuptimi, partnerët e kanë thënë qartë ne duhet të plotësojmë ato kushtet e Bundestagut Gjerman që të forcojmë perspektivën tonë europiane, kjo është ajo për të cilën kemi rënë të gjithë dakord në Shqipëri dhe për të cilën është i angazhuar populli shqiptar. Çdo iniciativë që i shërben kësaj perspektive pse jo, por ne kemi kaq shumë iniciativa rajonale dhe aq më tepër një iniciative rajonale që nuk po merret vesh se çfarë po bëhet, ju më pyesni mua, unë ju them që e kam vështirë të komentoj sepse për vetë pozicionin që kam nuk mund komentoj si analist, unë si president kam kërkuar informacion nga ministria e Jashtme, meqenëse është bërë i ditur fakti që do të bëheshin këto samitet dhe kam marrë një përgjigje vetëm një paragraf, që nuk janë marrëveshje, por janë takime të 6 vendeve, tek i pari janë mbledhur 3, tek i dyti do mblidhen 6, kaq edhe asnjë informacion tjetër deri më sot. Nuk mund të gjykoj mbi deklarata, për sa i takon kompetencave kushtetuese ato i përcakton mjaft qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kur u mor atëherë për çështjen e detit, ajo është një çështje tjetër. Sigurisht që kemi të bëjmë me veprime të pan konsultuara mirë me dëshirë për protagonizëm të shfrenuar, i cili na sjell këto konflikte dhe debate se sa rezultate. Përsa i takon marrëdhënies me Serbinë, Shqipëria i ka hequr vizat me Serbinë dhe i ka hequr të njëanshme, i ka hequr Shqipëria për Serbinë se nuk pranonte ajo, pas një viti i hoqi edhe Serbia për Shqipërinë se u detyrua në vitin 2010. Shqipëria ka dorëzuar 18 marrëveshje që ne vitin 2002-2003 në Serbi, marrëveshje bilaterale, nga ato as ¼ nuk është firmosur sot e kësaj dite.
Shqipëria ka dorëzuar marrëveshjen për arsimin që synonte dhe në ekuvalentimin e diplomave të të gjithë të rinjve të luginës së Preshevës që studiojnë në Shqipëri. Sot e kësaj dite u bë 16 vjet nuk është bërë dhe ka kaq vite që është premtuar do bëhet tani do bëhet pastaj. Kemi pastaj lidhjen energjetike me Kosovën, interkoneksionin me KFV që paguajmë dhe ne paguan dhe Kosova, paguajnë interesat e KFV dhe ata vazhdojnë dhe e mbajnë të bllokuar. Janë gjithë ato marrëveshje Kosovë-Serbi që janë nënshkruar në prani të BE-së, pothuajse implementimi është zero. Pra mungesa e vullnetit nga vjen në këtë bashkëpunim rajonal deri tani, atëherë këto janë fakte, unë po flas për fakte.
-Z. President ju po flisni për një projekt për të cilën ju nuk keni asgjë në tryezën tuaj si kreu i shtetit.
Nuk është ky shqetësimi im, shqetësimi im është që Shqipëria dhe politika e Shqipërisë dhe institucionet e Shqipërisë dhe qytetarët e Shqipërisë duhet të vazhdojnë të jenë të fokusuar tek anëtarësimi në Bashkimin Evropian, te plotësimi I atyre detyrimeve të cilat nuk duhet të shtohen por të cilat duhet të marrin drejtim deri në pranverën që vjen. Nisma të tilla më shumë shmangin vëmendjen nga ky objektiv madhor, sepse ky është objektivi madhor gjithçka tjetër duhet të jetë në funksion të këtij objektivi.
-Më kujtohet në korrik kemi realizuar një intervistë bashkë, ne flisnim serish për raportet e Kryeministrit Shqiptar me atë Serb po në konotacionin krejt të kundër. Pra në qoftë se sot flitet për një mini-shengen mundësinë e krijimit të një zone të përbashkët asokohe flitej për shkëmbime kufijsh. Pra të ndërtoheshin mure të rinj të cilat preknin territoret respektive. Janë 2 platforma krejt të kundërta Brenda një kohe shumë të shkurtër, ajo që I bashkon z. President është emri I Xhorxh Soros dhe ajo që lidhet me ju është se vetëm pak ditë më para ju në zyrën tuaj e keni pritur Alex Soros, djalin e filantropistit të madh keni zhvilluar një takim me të dhe kjo ka ndodhur fiks në kohën kur ai ndodhet edhe në takimin e mini-shengenit. Meqenëse këtu është një emër që I lidh të dy projektet, ju e keni takuar në zyrën tuaj, është kuptuar nga publiku si një dorëzim Presidentit përball akuzave shumë të forta që I ka bërë këtij emri. Mund të na jepni një shpjegim sot të plotë dhe shterues.
E dramatizuat mjaft këtë takim. Që Ilir Meta të dorëzohet kjo më duket pak naive. Por që Ilir Meta të ketë frikë të takojë dikë dhe t’ia thotë atë që mendon mbasi ja ka thënë publikisht e ka për detyrë apo jo. Aq më tepër kur dikush e kërkon një takim me insistim, dhe aq më tepër kur unë e kam thënë dhe kur kam bërë akuzat lidhur me kapjen e sistemit të drejtësisë në korrik, kam thënë që është I mirëpritur në Shqipëri për çdo gjë por jo për këto gjëra. Pra në qoftë se ti vjen merresh me shoqërinë civile, me të drejtat e njeriut, me aktivitetet të cilat janë të lejueshme, janë të ligjshme patjetër që nuk ka asnjë gjë të keqe. Shqipëria është një vend I hapur por në qoftë se ti ndikon pastaj për kapjen e shtetit dhe të kundërtat e asaj që predikon atëherë këtu ka përplasje. Unë I kam shprehur mendimet e mia sikurse I ka bërë të qarta zëdhënësi im për të treja këto çështje, për kapjen e drejtësisë, ja kam sqaruar dhe situatën më të fundit të Gjykatën Kushtetuese, për çështjet e tjera që kanë të bëjnë për lirinë e shprehjes dhe të medias me zhvillimet më të fundit dhe përkeqësimin e tyre në Shqipëri dhe e treta për shoqërinë civile. Sigurisht u diskutua dhe për situatën e tërmetit ishte më shumë një temë që e ngriti zotëria dhe kaq. Nuk ka pasur asnjë diskutim as për mini-shengenin as për këto çështjet e tjera. Këto kanë qënë 3 pikat.
–Rastisi që takimi u zhvillua ekzaktësisht që Sorosi ishte këtu.
Ky ka qenë një takim I kërkuar ka qenë i kërkuar edhe në gusht, unë nuk kam qenë këtu.
-Pra ka qenë i planifikuar si takim dhe rastisi me prezencën e liderve rajonal.
-Dua të rri tek marrëdhënia Shqipëri-Kosovë dhe rritja shumë e madhe e tensionit.
Çdo gjë është artificiale
-Mirë pra artificiale por reagimi ka qenë shumë real. Sepse janë ndjerë shumë të fyer.
Jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri janë ndjerë mirë, sepse nuk dëshirojnë këtë raport.
-Në Kosovë ka patur një ndjeshmëri shumë të lartë sepse e njohin Vuçiçin më mirë se ne.
Nuk është problemi që e njohin Vuçiçin, por çfarë tha Vuçiçi para 2 javësh, tani ti themi gjërat siç janë. Tha që Reçaku ishte një trillim, një mashtrim I ambasadorit Amerikan të OSBE.
-Tha që edhe Serbia do na ndihmojë për tërmetin.
Edhe të na ndihmojë, në kuptimin ata na dërguan njerëz erdhën, faleminderit shumë por kjo është tjetër gjë. Kjo është krejt tjetër.
-Do rindërtojë një pjesë të Durrësit tha, e pa ai shumë mirë dhe tha do e ndërtojmë Serbia.
Dëshiron të na ndërtojë në pjesën humanitare, faleminderit. Patjetër sepse nuk kemi arsye, mos kthehemi në kohën e Enver Hoxhës që thonim nuk kemi nevojë I bëjmë vet, faleminderit. Mos kenë hall nesër dhe ne do përpiqemi ti ndihmojmë sat ë kemi mundësi. Kjo është tjetër gjë, ndërsa kur flasim për një proces bashkëpunimi në rajon dhe ti thua që Reçaku ishte një trillim I ambasadorit të OSBE-së pra ishte një mashtrim. Domethënë kjo është të rehabilitosh një gjenocid, të provokosh një raport bashkëpunimi që po pretendohet që po zhvillohet midis Serbisë dhe Kosovës por ajo kuptohet sepse kjo prek edhe shqiptarët sepse në qoftë se kështu për Reçakun nesër mund të thuash edhe për Srebrenicën pasnesër dhe për një gjë tjetër. Që Millosheviçi tha në Mitrovicë ishte një udhëheqës I madh, kishte qëllime të mira por nuk I realizojë dot dhe ndërkohë vete dhe bisedon me partnerin tënd për dialogun për normalizim, nuk shkon. Unë nuk po them që ai të dali dhe të denoncojë Millosheviçin sepse kjo mund të jetë shumë për ngaqë kanë qenë dhe pranë. Por të paktën mos provokojë, përmbaju atyre parimeve të një klime konstruktive për të arritur një rezultat pozitiv, në qoftë se do një rezultat pozitiv.
-Unë mendoj se ka nevojë për një analizë historike, meqë kaluam atje. Në fakt Vuçiçi ka qenë Ministër i propagandës dhe kuptohet që informacioni. Por në thirrjen e parë në qoftë se nuk gaboj, Vuçiç tha që do ti drejtohem kombit Serb me një plan pra në qoftë se do ma kuptojnë dhe për ta zbatuar, ka një perspektivë për këtë komb Serb dhe kam përshtypjen që ajo që po ndodh nuk janë ngjarje të shkëputura. Se na duket që njëherë diskutohet për kufinjtë pastaj diskutohet për mini-shengenin. Më duket se janë pjesë e një plani të vetëm. Pra ai thotë të krijojmë Serbinë e madhe, ashtu siç kuptohet tani, dhe ajo është një mini-serbi brenda Serbisë së madhe, këtu nuk përfshihen vetëm shkëmbime të territoreve me Kosovën por ndoshta edhe me Bosnjën. Nga ana tjetër si kundër shpërblim për të qetësuar atë pjesë të opinionit serb që është gjithmonë anti-shqiptar, që është gjithmonë shovinist, i premtohet Shqipërisë si Shqipëri e Madhe ku neglizhohet Kosova dhe i thonë Shqipërisë merrni atë që i’u takon dhe merrni ju Kosovën pa pyetur ju që është një shtet i veçantë. Kjo është analiza që kam bërë gjithmonë. Pra është një mënyrë për të shpjeguar që është karakteri i njeriut që do të personifikohet në politikë por nuk mendoj se është strategjia jonë, është strategji e përgatitur në Beograd.
Dakord është strategjia e tyre, këta kanë këtë strategji, është punë e tyre. Interesi jonë është forcimi i shtetit të Kosovës, është forcimi i nismave ku Kosova është pjesë në nismat rajonale dhe Kosova është pothuajse në të gjitha nismat rajonale. Nëse do të krijohet një nismë e re, ku Shqipëria është në një rol të barabartë me të tjerët, pra nuk e tërheq dikush nga hunda, apo jo? Kushti i parë është që Kosova dhe të gjithë vendet e tjera, për shembull 6 vendet duhet të jenë bashkëthemeluese të një nisme e cila duhet të jetë e qartë, për të cilën takon grupet e punës më parë, cilat janë qëllimet, cilat janë parimet, etj. etj.. Por të thuash që, “Ne kemi nisur këtë punë dhe hajdeni këtu…”, kjo pa dyshim që është një provokim për gjithçka çfarë ata përfaqësojnë si shtet, këtë gjë mund ta bëjë Beogradi sepse nuk i njeh dhe gabim e bën edhe Beogradi nëse e bën këtë gjë sepse edhe Beogradi është angazhuar për tu sjellë në mënyrë konstruktive për sa i përket bashkëpunimit rajonal me Kosovën po ti si Shqipëri kurrë nuk mund të biesh në këtë lloj pozite, nuk ka as sens. Nuk mund të jetë më i ndërgjegjshëm, po them, kryetari i opozitës në Maqedoni sot që thotë, ‘Nëse kjo është bërë për të zgjidhur problemin politik të Kosovës e kuptojmë por për të tjerat mos na ofendoni.” Pra nëse kjo bëhet për të zhvlerësuar Kosovën,ka një kuptim dhe ka një kuptim politik por këto të tjerat nuk është se nuk bëhen edhe pa u bërë kjo. Kush na ka penguar ne për të lëvizur me marrëveshje, me ID card me Serbinë? Nuk ka dashur Serbia deri tani, kur të dojë, lëvizim.
Marrë me shkurtime nga emisioni “360 Gradë” në “RTV ORA”
(Vijon…)