Ministria e Shëndetësisë: 59 numri i të prekurve nga koronavirusi. 4 raste të reja sot

Ka shkuar në 59 numri i personave të prekur nga COVID-19. Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë 30 pacientë ndodhen të shtruar në Infektiv.

Eugena Tomini, përgjegjëse e departamentit të inteligjiencës epidemiologjike në ISHP deklaron se në 24 orët e fundit janë 4 raste të reja me COVID.

“Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT. Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 59 raste:

Tiranë 42 raste
Durrës 5 raste
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste

30 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina). Prej tyre, tre pacientë janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”,- tha Tomini.

Përfaqësuesuesja e MSH dha detaje dhe për pacientin e dytë që ka ndërruar jetë sot. “Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjecare në spitalin Infektiv, që vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient“,- tha Tomini.

SHKARKO APP