“Monitor”: Ja me fakte si po jepet e shitet Shqipëria për 1 euro!
Vendi është një shembull i gjallë i “mallkimit të pasurive”, një term i njohur në botë që i referohet paradoksit që vendet në zhvillim me burime të shumta natyrore, veçanërisht ato jo të rinovueshme si minerale dhe lëndë djegëse, tentojnë të kenë më pak rritje ekonomike dhe zhvillim më negativ në raport me shtetet që kanë më pak burime natyrore…
Nga Ornela Liperi
Mania e qeverive për koncesionet ka qenë e dukshme në 20 vitet e fundit, ndërsa po kthehet deri në marrëzi së fundmi. Pas shfrytëzimit të naftës, kromit e bakrit, pasaportave për jashtë, të aeroportit apo të terminalit të trageteve në Durrës, pullat fiskale, e deri në skanimin e mallrave në dogana, tashmë po jepen me partneritet publik-privat edhe shërbime për të cilat shteti funksionon në thelb (të cilit i paguajmë taksat) si administrimi i TVSH, shërbimeve spitalore e të tjera.
Ndërsa ishte e pashmangshme që disa pjesë të ekonomisë të jepeshin me koncesion, sidomos në vitet e para të tranzicionit, kur sipërmarrjeve vendase u mungonte kapitali, përvoja dhe njohuritë e nevojshme, pak është folur dhe analizuar se sa vlerë të shtuar i ka dhënë ekonomisë kjo sjellje për të “shitur” gjithçka këto 25 vitet e fundit. Përshpejtimi i ritmeve të kësaj manie e bën të domosdoshme të ndalemi e të kthejmë kokën pas për të bërë një raport kosto-përfitim të koncesioneve të dhëna deri tani.
Të dhënat nga bilancet e 14 operatorëve kryesorë koncesionarë në vend, disa prej të cilëve janë aktivë prej vitesh, tregojnë se teksa ata realizuan një xhiro prej rreth 700 milionë eurosh në 2014-n (rreth 6-7% e asaj që ekonomia prodhon në një vit), kanë paguar vetëm 2.7% të totalit të tatim fitimit të vitit në fjalë, ndërsa kanë rreth 3000 të punësuar, vetëm 1% e totalit të të punësuarve në vend, sipas INSTAT (shiko skedën e koncesioneve). Renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, së gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit. Shifrat tregojnë qartë se është absurde sa pak përkthehet pesha e stërmadhe që zënë koncesionet në ekonomi, në rritjen e mirëqenies për qytetarët shqiptarë.
Vendi është një shembull i gjallë i “mallkimit të pasurive”, një term i njohur në botë që i referohet paradoksit që vendet në zhvillim me burime të shumta natyrore, veçanërisht ato jo të rinovueshme si minerale dhe lëndë djegëse, tentojnë të kenë më pak rritje ekonomike dhe zhvillim më negativ në raport me shtetet që kanë më pak burime natyrore. Shqipëria është në fakt shteti më i pasur me burime në rajon, por renditet e fundit në pothuajse të gjithë treguesit, të ardhurat për frymë, mjedisin për të bërë biznes, konkurrueshmërinë, novacionin, sofistikimin etj.
Dy absurditete ekstreme u konstatuan. Kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit qarkullojnë shuma të mëdha, por vijojnë të rezultojnë me humbje të larta. Sipërmarrjet e tjera, që i gëzohen avantazhit të një tregu monopol apo të kufizuar, po rriten me ritme të shpejta e në disa raste të papenguara nga kriza, duke rezultuar me norma të larta fitimi. Dhe janë këto fitime që, në pjesën më të madhe nuk riinvestohen në vend, por transferohen te mëmat.
Qeveritë në vite nuk kanë qenë të afta të negociojnë që në fillim dhe kompanitë koncesionare kanë arritur të marrin lëshime të majme dhe që në më të shumtën e rasteve, po vjelin fitimet e kësaj situate të mirëkopsitur. Dhe qeveria gjendet duarkryq, teksa shumë marrëveshje koncesionare janë pothuajse e pamundur të prishen, për shkak të kostove të larta të zgjidhjes së tyre në arbitrazh apo gjykatat ndërkombëtare.
Në më të shumtën e rasteve, koncesionet jo vetëm që nuk kanë shtuar vlerë, por janë kthyer në një barrë për konsumatorët dhe bizneset. Kujtojmë këtu pagesën absurde të skanimit në dogana, biletat e shtrenjta të avionëve, tarifa të tjera që paguhen, për të cilat nuk merren mbrapsht shërbime (markimi i karburanteve). Ndërsa mallkimi i pasurive natyrore na ndjek nga pas, teksa burimet po shterojnë dhe vendi gjendet në udhëkryqin e domosdoshmërisë së zhvillimit të qëndrueshëm.
Më e keqja është se askush nuk po vë mend. Përkundrazi, koncesionet – apo partneriteti publik-privat, siç preferohet termi modern nga qeveritarët- po shndërrohen në burimin kryesor të rritjes, duke rrezikuar seriozisht të na kthehen shumë shpejt në një bumerang.
Ministria e Ekonomisë ka futur në proces më shumë se 70 koncesione me partneritet publikë privatë që kalojnë vlerën e 3 miliardë dollarëve. Vetëm Ministria e Shëndetësisë dha vitin e fundit katër koncesione, Check UP, kontrollin bazë mjekësor, shërbimin e hemodializës, sterilizimin dhe përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërsa është në proces dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik. Rasti më i fundit, që hapi shumë debat është ai i partneritetit publik privat në administrimin e TVSH-së, një koncesion që vetë Ministria e Financave kishte argumentuar se rrezikohet keqpërdorimi i të dhënave dhe shkelet Kushtetuta.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se tashmë, 55 partneritetet Publike dhe Private zënë 7% të PBB dhe të tjera janë përfshirë në proces.
Më poshtë jepen disa shembuj se si koncesionet kryesore në vend, në pjesën më të madhe, nuk kanë arritur të gjenerojnë as të ardhura në buxhet dhe as shërbime të përmirësuara për konsumatorët e bizneset, por përkundrazi ka pasur raste kur ato kanë cenuar dhe sigurinë kombëtare.
Koncesionet e naftës, asnjë me fitim
Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar, për shkak të investimeve të larta për kërkim. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është e njohur se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuara.
Patos Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17.8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë.
Pas viteve ‘90, kompanitë e huaja kanë treguar interes të vazhdueshëm për të investuar në fushat e naftës në Shqipëri, përmes marrëveshjeve koncesionare me qeverinë shqiptare dhe kompaninë shtetërore Albpetrol, të angazhuar në zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe gazit.
Duke filluar nga viti 2004, në territorin e Republikës së Shqipërisë veprojnë 5 kompani (Bankers Petroleum Albania Ltd; Sherwood International Petroleum Ltd; Transoilgroup sh.a; Transatlantic Albania-ish Stream Oil; Phoenix Petroleum sh.a,) të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh.a. Ndërkohë një “joint venture” e krijuar nga Petromanas dhe Royal Dutch Shell ka lejen për kërkim në zonën e Shpiragut, Berat.
Bankers Petroleum prodhon naftë që prej vitit 2014, ndërsa Transatlantic Albania ka filluar aktivitetin prodhues gjatë viteve të fundit. Kompanitë e tjera janë ende në fazë shfrytëzimi për rezerva të reja nafte, në tokë dhe në det.
Por, sa ka fituar deri tani vendi nga shfrytëzimi i kësaj pasurie mjaft të madhe natyrore që mbart nëntoka shqiptare?!
Asnjë nga kompanitë nuk ka rezultuar ende me fitim dhe Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë pothuajse asgjë nga vitet e arta 2011-2014 kur ari i zi në tregun ndërkombëtar luhatej në 120 dollarë për fuçi (nga rreth 30 dollarë që luhatet sot). Ndërsa renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftë dhe pasuri të tjera nuk i ka kaluar 100 milionë eurot,
Bankers Petroleum, operatori kryesor i nxjerrjes së naftës në vend, me mbi 90% të totalit, që shfrytëzon burimin e Patos Marinzës (më i madhi mbi tokë në Europë) prej vitesh ka deklaruar humbje të mëdha. Sipas të dhënave nga bilanci, qarkullimi vjetor i kompanisë (i rakorduar me deklarimet tatimore PDF të kompanisë për efekt të TVSH-së) ishte 67.3 miliardë lekë në vitin 2014, me një rënie fare të lehtë në raport me 67.7 miliardë lekë një vit më parë. Bankers ka paguar 9 miliardë lekë rentë minerare në 2014-n, nga 9.8 miliardë lekë një vit më parë.
Kompania ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 100 mln USD), nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të kompanive komerciale, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori).
Bankers Petroleum Albania muajt e fundit u përfshi në një konflikt me tatimet, pasi këto të fundit, bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi. Ndërsa çështja është ende në shqyrtim nga një auditues i huaj i pavarur, kompania ka rënë dakord ta paguajë me këste këtë shumë dhe në rast se auditi i jep të drejtë Bankers, shuma do t’i kthehet mbrapsht kompanisë.
Transatlantic Albania-ish Stream Oil, shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, në bazë të një kontrate koncesionare 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje 5-vjeçare. Kompania nuk ka dalë gjithashtu asnjëherë me fitim dhe operatori turk e ka nxjerrë degën shqiptare në shitje në fund të vitit të kaluar.
Së fundmi, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se kontratat do të rinegociohen duke vendosur për herë të parë në Shqipëri, atë që quhet tavan për shpenzimet. Deri sot, gjithë nafta që prodhohej shkonte për të mbuluar shpenzimet e kompanive, derisa ato të rikuperonin faktorin “R” dhe pastaj fillonte shteti të merrte të ardhura të tjera përveç rentës, ka shpjeguar Gjiknuri.
“Për herë të parë po vëmë një tavan, që do të thotë se një pjesë e naftës, para se kompania të rikuperojë kostot, të futet si naftë e ndashme për fitim. Nafta e vlefshme për t’u ndarë mes shtetit dhe privatit të fillojë që në momentin e parë që del fuçia e parë. Që tek fuçia e parë, shteti do të marrë më shumë se çfarë ka marrë deri tani. Do të rinegociojmë edhe një pjesë të kontratave që janë në fuqi, përfshirë edhe kontratën më të madhe të Shqipërisë siç është Bankers Petrolium. Kemi objektivin të rinegociojmë termat, pas mbylljes së disa elementeve kontradiktore ose konfliktuale që kanë të bëjnë me pagesën e tatim fitimit”.
Më pak të punësuar në industrinë nxjerrëse
Kontributi i industrisë nxjerrëse në punësimin total në vend është pothuajse i papërfillshëm, kjo sipas të dhënave të Raportit të Transparencës së EITI-s (për vitet 2013 dhe 2014) i cili përmban një analizë të prodhimit dhe kontributit të sektorit të naftës e gazit, sektorit minerar dhe sektorit të hidroenergjisë, ashtu sikurse rakordimin e flukseve kryesore që operatorët në këta sektorë kanë paguar ndaj shtetit.
Referuar të dhënave të AKBN-së, kompanitë e licencuara në sektorin e naftës, gazit dhe minerar, kanë punësuar në total më pak se 1% të totalit të fuqisë punëtore të regjistruar në vend në vitin 2013 dhe 2014.
Në vitet ‘70–‘80 kur sektori ishte tërësisht në pronësi të shtetit, numri i të punësuarve llogaritej në rreth 25,000.
Ndërsa në fund të vitit 2014, sipas raportit të EITI (referuar deklarimeve të Albpetrol dhe AKBN) në sektorin e naftës numri i të punësuarve arriti në rreth 3,109, ku rreth 66% janë të punësuar në Albpetrol.
Në katër vitet e fundit, numri i të punësuarve në sektorin e naftës dhe të gazit u ul me rreth 38%. Këto ndryshime erdhën për shkak të transferimit të operacioneve të prodhimit nga Albpetrol në kompanitë private të naftës. Sektori privat nuk mundi të thithte forcën e “tepërt” të punës që rezultoi e tillë gjatë këtyre transfertave.
Rinasi, më të shtrenjtët në rajon
Që prej datës 23 prill 2005, Tirana International Airport “Nënë Tereza” menaxhohet dhe operohet nga shoqëria private e quajtur Tirana International Airport SHPK (TIA). TIA mori përsipër menaxhimin dhe operimin e aeroportit nga qeveria shqiptare, e cila ka qenë pronarja e vetme e aeroportit që nga koha e ndërtimit të tij. Si një firmë koncesionare, TIA do të drejtojë të gjitha aktivitetet e aeroportit për 20 vjet.
Kjo marrëveshje, që në atë kohë dukej si zgjedhja më e mirë, sepse aeroporti kishte nevoja modernizimi dhe përmirësimi me qëllim që të përballonte fluksin e madh të pasagjerëve që rritej që prej vitit 1990, po rezulton sot me pasoja për ekonominë shqiptare. Së pari, tarifat e larta aeroportuale bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon, duke qenë vendi i vetëm që nuk po arrin të tërheqë kompani low cost, si EasyJet apo Air Berlin apo WizAir që veprojnë si në Maqedoni, Mal të Zi apo edhe në Kosovë, kur të tre fqinjët kanë një trafik më të ulët pasagjerësh se Rinasi. Së dyti, ekskluziviteti që TIA fitoi në marrëveshjen koncesionare po e bën të pamundur vënien në punë të dy aeroporteve të tjerë, ai në Kukës, që është gati prej shumë vitesh dhe ndërtimin e një tjetri në Sarandë, që do të ishte mjaft i rëndësishëm për tërheqjen e turistëve në Jug të vendit.
Për kompaninë, marrëveshja ka rezultuar mjaft fitimprurëse, teksa ajo gjithë këto vite i është gëzuar një rritjeje të shpejtë (përjashtim bën vetëm viti 2012) dhe normave të larta të fitimit. Sipas bilancit të saj, në vitin 2013, kompania rezultoi me një qarkullim vjetor prej 4.2 miliardë lekësh, me një rënie 8% me bazë vjetore.
TIA rezulton një ndër kompanitë fitimprurëse më të mëdha, me një normë fitimi 35% në vitin 2014 dhe ndryshe nga të ardhurat që janë tkurrur, fitimet u rritën 9% në të njëjtën periudhë.
Ministria e Ekonomisë ka deklaruar vazhdimisht gjatë vitit të kaluar se ka arritur marrëveshjen për rishikimin e kontratës koncesionare me Aeroportin e Rinasit, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Koncesioni i pasaportave, shiten identitetet
Shqipëria është ndër të paktat vende, që të dhënat personale të qytetarëve të saj ua ka besuar të huajve. Në korrik 2008, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka përzgjedhur konsorciumin e formuar ndërmjet Morpho (më parë Sagem Sécurité) dhe Fondit të Zhvillimit Shqiptar Amerikan, për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Elektronike. Në prill 2013, koncesioni u zgjat deri në korrik 2023, sipas të dhënave zyrtare në faqen e Ministrisë së Brendshme.
Për vitin 2014, kompania deklaroi të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie 8.6% me bazë vjetore, dhe një normë fitimi prej 11%.
SICPA, barrë shtesë, nuk ka të dhëna për rolin në luftën ndaj evazionit
Koncesionari i pullave fiskale, SICPA, është krijuar më 20 shtator 2010 dhe veprimtaria e saj konsiston në implementimin e Marrëveshjes së Koncesionit për printimin, prodhimin dhe furnizimin e pullave fiskale.
SICPA Security Solutions Albania sh.p.k. zotërohet nga SICPA Security Solutions SA me vendndodhje në Zvicër.
Në vitin 2014, xhiro e kompanisë ishte 890 milionë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore, ndërsa operatori është me humbje.
Bizneset janë ankuar se pullat fiskale për mallrat e akcizës aktualisht kushtojnë tre herë më shumë se kur printoheshin nga shteti. Importi total i cigareve vitin që shkoi ishte rreth 3,000 tonë ose 150 milionë paketa. Vlera totale e pullave është 3.2 milionë euro dhe kompania e SICPA ka fituar diku te 2 milionë euro vitin e kaluar vetëm nga industria e duhanit. Kostot janë transferuar totalisht te çmimet e konsumatorit, – pohojnë grosistët. Pulla e re fiskale mbi industrinë e cigares, me qëllim uljen e evazionit, nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë drejtim, pasi importet e cigareve qysh nga viti 2013 kanë rënë me 27%.
Rapiscan, skanimi i kontejnerëve, shumë kosto, përfitimet nuk dihen
E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania (Rapiscan) ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e kontejnerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes. Ndërsa zbatimi filloi vetëm në shtator të vitit të kaluar, pasi qeveria e re arriti vetëm të rishikonte kontratën, jo ta anulonte atë, problemet që e kanë shoqëruar kanë qenë të shumta. Ajo është shndërruar pa diskutim në një barrë shtesë për bizneset (për disa eksportues është e barabartë dhe me tatim fitimin që ata paguajnë), ndërsa nuk ka të dhëna se sa efektiv ka qenë në zbulimin e kontrabandës.
Tarifa e skanimit është 22 euro mbi të gjitha deklaratat doganore me vlerë 1000 euro e sipër, ndërsa deklaratat doganore nën 1000 euro do të tatohen me 5 euro. Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që bizneset do të paguajnë në 2016-n llogaritet nga 7-9 milionë euro (disa biznese u përjashtuan nga pagesa dy herë e kësaj tarife) dhe 2-4 milionë euro do të paguhen nga buxheti (indirekt sërish taksat tona), pasi koncesionari në bazë të marrëveshjes do të marrë 11.3 milionë euro në vitin e parë.
Në bilancin e vitit 2014, kompania nuk ka deklaruar të ardhura, por vetëm humbje prej 111 milionë lekësh.
GFI ALBANIA, shërbimi që cenon sigurinë kombëtare
Kontrata e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Fluids International dhe Petroleum Consulting Partners u miratua në maj 2013 dhe synonte uljen e evazionit fiskal në tregun përkatës.
Ndërsa llogaritet në 0.1 lekë për litër në çmimin e naftës, nuk po kryhet funksioni themelor për të cilin ka kontratën me qeverinë shqiptare.
GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund, shmangien e taksave. Mirëpo Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kompania nuk po plotëson asnjë nga këto detyrime, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncesionare është shkelur në të gjitha pikat.
Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve ka lajmëruar Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë në mënyrë të paligjshme mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, kompania, në mënyrë të paprecedentë, ndërpreu për disa orë punën, duke bllokuar aktivitetin e tregtuesve të naftës në Porto Romano. Ky veprim nxori në pah sa fuqi i ishte dhënë koncesionarit. Në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari. Kjo pengoi daljen e autoboteve nga zona e lirë doganore, por tregoi se marrëveshja cenon deri sigurinë kombëtare, pasi nëse bllokimi vazhdonte, vendi rrezikohej të mbetej pa karburant. GFI kërkonte që të mundësohej markimi i naftës bruto, një veprim që operatorët e nxjerrjes së naftës nuk e kundërshtojnë, por askush nuk merr përsipër investimin për të bërë të mundur këtë markim, që do t’i siguronte GFI 10 milionë euro të ardhura në vit.
Më herët, më 4 shtator të vitit 2015, (Global Fluids International S.A. – GFI) ka transferuar pothuajse të gjitha kuotat që kishte te GFI Albania (fillimisht kishte 75%), duke mbajtur vetëm 0.7% (përqindja në kapital ishte “75,00” u bë “,07″) tek aksioneri i dytë Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), i cili kishte fillimisht 25% të kuotave. Si rrjedhojë përqindja në kapital e PCP nga “25,00” u bë “99,93”. Transferimi i kuotave nga GFI ka ngjallur debate për faktin se koncesioni i markimit të karburanteve u miratua nga qeveria e djathtë në vitin 2011, me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Nuk ka pasur asnjë lloj transparence lidhur me këtë lëvizje të aksioneve, nga një kompani e specializuar tek një e panjohur.
Për vitin 2014, GFI deklaroi humbje prej 183 milionë lekësh.
Lotaria Kombëtare, me humbje të larta
Një tjetër koncesion, ai i Lotarisë Kombëtare, ka qenë në vitin e dytë operativ të plotë të aktivitetit në 2014-n. Të dhënat e raportuara në bilancin e kompanisë tregojnë për të ardhura në nivelin e 586 milionë lekëve, me një rritje prej 57% me bazë vjetore. Por humbjet kanë vijuar të jenë të larta, duke rezultuar në 483 milionë lekë në 2014-n, sa 84% e të ardhurave./monitor/