Bullgaria miraton planin francez, hap driten jeshile, por Maqedonia e Veriut refuzon!

Ndërkohë që sot parlamenti i Bullgarisë miratoi sot planin francez dhe lejoi hapjen e negociatave te BE me Maqedoninë e Veriut, dhe indirekt drita jeshile u çel edhe për Shqipërinë, ishte qeveria e Maqedonisë së Veriut e cila i dha shqelmin vendimtar negociatave. Pra nuk pranon planin francez.

Ndaj sot Shkupi zyrtar i ktheu shpinën propozimit francez. Ai është i papranueshëm për vendin, bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi e njoftoi presidencën franceze për vijat e kuqe të Shkupit.

“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se propozimi francez në formën siç është tani, është i papranueshëm për të si kryeministër, për presidentin e vendit si dhe për Maqedoninë e Veriut në tërësi.

“Bullgaria  vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të bllokojë procesin, gjë që nuk shpie askund. Ne si Maqedoni e Veriut kemi bërë shumë, tani radhën e ka Bashkimi Evropian”, tha Kovaçevski.

Grubi: BE duhet të kalojë reformë të thellë pa asnjë vonesë

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi e përkrah qëndrimin e Kryeministrit Kovaçevski në lidhje me dialogun bilateral me Bullgarinë dhe procesin eurointegrues. Sipas tij procesi integrues nuk duhet të bëhet peng i çështjeve bilaterale dhe të rrëmbehet nga mendësia e shekullit të XIX. Vendimmarja në Bashkimin Europian duhet të reformohet thellësisht pa asnjë vonesë.

“Ne nuk heqim dorë, sepse rrugë tjetër s’kemi, por as eksperiment në shekullin XXI nuk bëhemi”, thotë Grubi.

Osmani: Miratimi i rezolutës në Parlamentin bullgar e bllokon gjatë procesin evropian

Ministri i Punëve të Jashtme i MV, Bujar Osmani ka reaguar në lidhje me miratimin e propozimit francez në Parlamentin bullgar. Sipas Osmanit në rezolutën franceze u vendosën ndryshime pikërisht pikat më delikate të cilat nuk ishin definuar nga propozimi francez, marrë parasysh ndjeshmërinë.

“Dy fjalë qëndrojnë ndërmjet suksesit dhe mossuksesit të Bashkimit Evropian në rajon. Fjala “protokoll”, në kornizë, si paradigmë e çështjeve historike dhe fjala “hapje” në paragrafin gjashtë nga përfundimet e Këshillit. Që të dyja fjalët nuk janë në propozimin francez si vendime finale, por janë të vendosura si çështje për ta cilat nuk mund të arrihet pajtueshmëri për shkak pozicionit të Republikës së Bullgarisë. Miratimi…i rezolutës në Parlamentin bullgar, do të bllokojë procesin evropian në periudhë afatgjate”, ka deklaruar Osmani.

Partitë në pushtet kërcënojnë me prishjen e koalicionit

Deputeti Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike kërcënon se nëse Qeveria pranon propozimin francez, ai do të largohet nga shumica.

“Ne duhet të protestojmë që t’i tregojmë Evropës se këtu ka kundërshtime dhe qytetarët nuk pajtohen me këtë propozim”, tha Pavle Trajanov.

Me një veprim të tillë kanoset edhe Partia Liberal Demokrate e Goran Milevskit e cila ka marrë vendim që të largohet nga qeveria nëse pranohet propozimi francez.

“PLD-së e hodhi poshtë propozimin francez. Kërkojmë që ai t’i jepet për shqyrtim ministrave dhe deputetëve. Presim që të gjithë ta hedhin poshtë. Nëse pranohet propozimi francez në këtë version si është tani, PLD do ta largohet nga Qeveria”, tha Milevski.

Po çfarë ndodhi paradite në Bullgari?

Parlamenti i Bullgarisë i dha të premten dritën jeshile qeverisë së këtij vendi, për të miratuar kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Një ditë pasi blloku u dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, votimi në parlamentin bullgar shënon një tjetër hap drejt zgjerimit të BE-së, duke hequr një veto që ishte vendosur në vitin 2020 për shkak të mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës.

Ligjvënësit votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Sipas ligjvënësve kuadri gjithashtu nuk duhet të ketë ndonjë referencë që mund të sugjerojë se Bullgaria njeh gjuhën maqedonase.

Kompromisi u propozua nga Franca, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

“Kjo është oferta më e mirë që Bullgaria ka marrë deri më tani. Ajo ofron garanci evropiane se interesat bullgare do të mbrohen”, tha Elisaveta Belobradova, një ligjvënëse partisë Bullgaria Demokratike.

Kryeministri Kiril Petkov e cilësoi “vendim historik” votimin në parlamentin bullgar, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor është interes strategjik i Bashkimit Evropian.

Qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit në lindje ka ndryshuar që nga agresioni rus në Ukrainë, pas vitesh refuzimi për zgjerim me anëtarë të rinj.

Aleatët e Bullgarisë në BE dhe NATO kanë bërë trysni për një zgjidhje që do të përforcojë ardhmërinë evropiane të Shkupit dhe do të kufizojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Hezitimi i BE-së për zgjerimin ka ngadalësuar përparimin drejt anëtarësimit për një grup vendesh të Ballkanit – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbis, duke nxitur zhgënjim mes tyre në lidhje me shpresat për t’u bashkuar me bllokun.

Shqipëria përgëzon Bullgarinë.

“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit”, shkroi presidenti shqiptar Ilir Meta pak pas votimit ne parlamentin bullgar. “Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkroi ai.

Kryeministri Edi Rama tha ndërkaq se partia e ish kryeministrit bullgar, Boyko Borissov “shpëtoi fytyrën” e Bullgarisë dhe BE-së”.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoj sa duhet për mendimin e tij të mirë të më telefonojë, por mund ta falënderoj për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, udhëheqës i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët, shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, shkroi kryeministri Rama.

Një ditë më parë, ai kritikoi ashpër Bashkimin Evropian dhe Bullgarinë, duke theksuar se “një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”.

Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut e kishte bllokuar procesin e anëtarësimit edhe për Shqipërinë.

SHKARKO APP