Pandemia, refuzimi i shkencës dhe izolimi “ekstrem” i shqiptarëve!

Nga Petrit Vasili

Përballja me koronavirusin si sfidë botërore kërkon pashmangshmërisht veprime, që rrjedhin vetëm pas vlerësimeve të thella shkencore.

Sa më e komplikuar dhe më e paqartë struktura e sjellja e virusit aq me fort do te jetë shkenca ajo, që do të bëjë diferencën dhe do të sigurojë racionalitetin për evitimin e veprimeve të gabuara, të panevojshme e groteske.

Ka vetëm dy rrugë në qasjen ndaj një pandemie: ose t’i dalësh përpara me veprime të shpejta dhe në kohën e duhur ose të zvarritesh pas pandemisë kur ajo shfaqet dhe të marrësh masa në rrugë e sipër.

Shqipëria është vendosur në rrugën e dytë e cila mjerisht kërkon financime shumë më të mëdha, prodhon panik te paevitueshëm, i bën qytetarët mosbesues ndaj masave, që merren dhe prodhon pasoja shendetësore dukshëm më të rënda.

Përse Shqipëria u bë viktimë e rrugës së dytë?

Arsyet janë të qarta.

Establishmenti qeveritar i prirë nga kryeministri ndoqën rrugën empirike të pritjes dhe ushqimit të shpresës e iluzionit të rremë dhe antishkencor: “ishallah nuk na bie neve si Shqipëri corona virusi”.

Një qëndrim i tillë ishte tërësisht antishkencor, disfatist dhe çmobilizues në një moment kur duhej të ishte krejt e kundërta.

Afërsia e jashtëzakonshme me një vatër eksplozive pandemike si Italia, kontaktet masive me të si dhe shfaqja e pandemisë në mjaft vende të rajonit gjithshtu me kontakte të shumta si Greqia, e bënte pandehmën antishkencore të qeverise që të kishte zero shanse që Shqiperia të mos prekej. Pra realisht Shqipëria ishte fortësisht e paralajmëruar pas valës së parë të pandemisë në Kinë dhe Kore dhe pas valës së dytë në Itali.

Qeveria refuzoi të degjonte sugjerimet e shumta kundër këtij qëndrimi ashtu si edhe detyrimin që të merrte masa për t’i dalë përpara pandemisë, që po vinte.

Pa asnjë dyshim një konsultim pa paragjykime me një komunitet shkencor të gjerë do ta evitonte ndjekjen e një strategjie të tillë te gabuar.

Po në rastin kur pandemia ndodhi?

Edhe ne momentin kritik kur pandemia ndodhi veprimet e qeverisë ishin refuzuese ndaj opinionit shkencor, i cili është dhe mbetet ai që po udhëheq vendimet edhe në vendet me të zhvilluara të globit.

Në vend të një strategjie efikase, që vë në eficiencë të gjithë shërbimin shëndetësor si dhe orientimin e logjistikës mbështetëse drejt një qendrimi aktiv, që synon të jetë një hap përpara në përditshmërinë e përballjes me pandeminë, sërish u zgjodh në mënyrë antishkencore e kundërta.

Logjika ta kërkonte që të zbuloje situatën në terren përmes instrumentit të vetem testimit si instrument i provuar dhe shkencërisht i mbështetur.

Në këtë mënyrë zbulimi aktiv dhe i shpejtë i vatrave lejonte neutralizimin e tyre në kohë dhe pengimin e përhapjes së gjerë të pandemisë si dhe duke reduktuar pasojat e rënda shëndetësore. Gjithashtu kjo orientonte skenarët e mundshëm e për pasojë përgatitjen e të gjithë infrastrukturës shëndetësore, spitale e qendra shëndetësore për t’u përballur me pasojat eventuale të pandemisë.

Testimi i kryer në Shqipëri ishte shumë i pakët, jo përfaqësues, anemik dhe i prirë vetëm nga qëllimi që të fitonte kohë pasi sasia e tamponave ishte shumë shumë e pakët.

Ideja për të kryer vetëm disa testime në ditë, kryesisht për të mbajtur gjallë propagandën e ditës ishte jo vetëm antishkencor por edhe antihuman për pasojat, që prodhonte.

Gjithashtu aktivizmi vetëm i një mundësie komunikimi të qytetarëve me sistemin shëndetësor përmes të famshmit dhe “çudibërësit” numër 127 solli atë që figurativisht mund ta konsiderojmë futjen e lumit, që po përmbyt në një hinkë të ngushtë.

Ndëkohë duhet të ndodhte e kundërta. Aktivizimi me detyra të qarta i Kujdesit Shëndetësor Parësor, pra mjekëve të familjes dhe të përgjithshëm, do të siguronte mijëra porta shkarkimi, që do të na mbronin nga permbytja e pandemisë.

Edhe këtu kokëfortësia antishkencore e qeverisë prodhoi pasojat, që i shohim me sy, pasi zëvendësoi punën aktive dhe profesionale të mjekëve, me kontaktin përmes telefonit, që mundëson gabime dhe nënvleftësime praktike pa fund dhe për pasojë përhapjen e pandemisë.

Pandehma antishkencore se përmes telefonit 127 do të mund të bëhej diagnoza diferenciale apo dyshime të shpejta e të bazuara për coronavirusin ishte kryekëput e gabuar dhe vrastare, pasi pacienti shndërrohej njëherazi në objekt dhe subjekt, në një moment ku çdo gabim sillte pasoja komunitare për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit nga njerëzit e infektuar, por të panjohur si të tillë.

Veprimet pasuese përmes izolimit karantinues ishin thjesht reagime të improvizuara dhe emotive.

Përshkallezimi i izolimit, skemat e aplikimit dhe ndryshueshmëria e tyre e vazhdueshme dëshmuan konfuzion dhe vendime pa asnjë bazë shkencore.

Aplikimi i izolimit absolut dhe i hapjes pasuese thuajse totale, me fasha orare të kufizuara me kohë, prodhoi në mënyrë të paevitueshme efekte krejt të kunderta me qëllimet, sepse shkaktoi përqendrim të qytetarëve dhe dendësim të tyre duke pamundësuar realizimin e distancës sociale, që ishte edhe qëllimi i vetëm i të gjithë këtij izolimi ekstrem.

E gjithë eksperienca europiane përfshirë edhe Italine tregoi qartë se modeli i vetëm realist dhe i aplikueshëm ishte ai i mbajtjes hapur gjatë gjithë kohës të dyqaneve të ushqimeve dhe farmacive si dhe një shërbimi të kufizuar të taksive ndërkohë që mbaheshin norma të forta të kufizimit të lëvizjeve të popullatës.

Kjo ishte mënyra më efektive, që evitonte grumbullimet dhe dendësimin e popullatës, por edhe realizimin e nevojave bazë pa konfuzionin dhe ankthin e mbetjes pa furnizimin me artikujt bazë.

Në Shqipëri u zbatua me kokëfortësi e kundërta, duke i mbyllur të gjitha dyqanet ushqimore dhe farmacitë gje që solli grumbullime të pashmagshme qytetarësh që zhbënin realisht efektet e izolimit ekstrem.

Të njëjtat qëndrime pasive pritëse antishkencore u mbajtën edhe për sigurimin e ventilatorëve mekanikë dhe barnave kundër pandemisë.

Vendosja e fondeve si dhe Prokurimi i tyre ndodhi shumë vonë, vetëm pasi pandemia ishte fakti i kryer dhe natyrshëm përfshirja e shumë vendeve prej saj veshtirësonte tepër sigurimin e këtyre artikujve.

Megjithë propozimet e shumta edhe për sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin mjëkësor edhe në këtë pikë veprimet, që duhej t’i paraprinin pandemisë nuk ndodhen.

Është e qartë për këdo që refuzimi nga qeveria i konsultimit të gjerë me komunitetin shkencor ka prodhuar veprime me pasoja për shëndetin dhe ekonominë, që mund të evitoheshin apo limitoheshin dukshëm.

Asnjë komunikim qeveritar, qoftë ky edhe plot teatralitet sipërfaqësor e propagandistik, nuk mundet kurrën e kurrës të zëvendësojë opinionin shkencor, i cili është dhe mbetet udhërrëfyesi i vetëm në këto ditë të vështira.

SHKARKO APP