Papa: Lufta është një fyerje ndaj Zotit
Një mesazh i qartë kundër dhunës së të fuqishmëve, por edhe kundër apatisë ndaj shkatërrimit të luftës nga Papa në mesazhin e tij të Pashkëve Urbi et Orbi.
Papa LeoXIV, me mesazhin e tij Urbi et Orbi sot, iu drejtua qartë besimtarëve katolikë dhe veçanërisht “të fuqishmëve” që qeverisin planetin tonë. Ai theksoi se është detyrim i çdo të krishteri të bëjë gjithçka që mundet për të ndaluar luftërat, për të braktisur përdorimin e dhunës që sjell vdekje dhe dëshpërim.
“Në dritën e Pashkëve, le ta lejojmë Krishtin të na surprizojë! Le ta lejojmë të na ndryshojë zemrat, me dashurinë e pafundme që na tregon! Le t’i lënë armët ata që mbajnë armë! Le të zgjedhin paqen ata që kanë fuqinë për të shkaktuar luftëra! Jo një paqe që kërkohet me forcë, por me dialog! Jo me vullnetin për të dominuar të afërmin tonë, por duke iu afruar atij!”, theksoi Papa.
Jo “globalizimit të indiferencës”
Papau bëri thirrje besimtarëve të mos e pranojnë indiferencën në mënyrë pasive, por të reagojnë përballë shkatërrimit të luftës. Ai kujtoi se paraardhësi i tij, Françesku, kishte tërhequr vëmendjen e të gjithëve një vit më parë, duke denoncuar “globalizimin e indiferencës” gjithnjë e në rritje.
Kjo referencë është gjithçka përveçse e rastësishme. Leo përdori ndoshta një gjuhë të ndryshme nga ajo e Françeskut, por thelbi mbetet i njëjtë. “Nuk duhet të lejojmë që luftërat të na privojnë nga asnjë iniciativë”, tha Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ashtu si Françesku, edhe ai përsëriti se “lufta është një fyerje ndaj Zotit”.
Fati i të krishterëve në Lindjen e Mesme
Gjatë gjithë Javës së Shenjtë Katolike, shqetësimi i Leos mbeti i pazvogëluar, me referenca të vazhdueshme për vështirësitë dhe të ardhmen e pasigurt të të krishterëve në Lindjen e Mesme, duke filluar me Libanin, Gazën dhe Betlehemin. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi fundin e menjëhershëm të luftës në Iran.
“Në këtë ditë festive, le të braktisim vullnetin për t’u përballur, për të ushtruar pushtet ose për të shtypur, dhe le t’i kërkojmë Zotit të japë paqe të gjithë botës”, tha Papa amerikan.
Ai vazhdon të besojë se dashuria e pakufizuar është e aftë të ndryshojë edhe zemrat e atyre që janë përgjegjës për tragjeditë e sotme, për supremacinë e vdekjes mbi jetën.
KOHA JONË SONDAZH

