Parlamenti i BE-së voton për fundin e makinave me naftë dhe benzinë
Parlamenti Evropian dëshiron që pas 13 vjetësh në Evropë të mos regjistrohet më asnjë makinë e re me benzinë a naftë. Por përpara se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, nevojiten negociata me shtetet e BE-së.
Në luftë për një mbrojtje më të madhe të klimës Parlamenti i BE-së dëshiron të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme duke filluar nga viti 2035. Parlamentarët votuan me një shumicë të qartë pro një propozimi përkatës të Komisionit të BE-së. Sipas këtij propozimi duke nisur nga mesi i dekadës së ardhshme, prodhuesit pritet të lejohen të hedhin në treg vetëm makina dhe furgonë që nuk lëshojnë gazra që shkaktojnë efektin serrë dhe që janë të dëmshëm për klimën.
Para se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, Parlamentit i duhet të negociojë me shtetet e BE-së. Ende nuk është ende e sigurt, nëse vendet anëtare të BE-së do të bien dakord, por kjo konsiderohet si e mundshme. Deri në fund të muajit vendet anëtare duan të përcaktojnë qëndrimin e tyre për ndalimin e shitjes së makinave me benzinë dhe naftë dhe pastaj dy institucioneve të BE-së do t’u duhet të gjejnë një kompromis në mënyrë që rregullorja të hyjë në fuqi.
Gjermania dhe koncernet e mëdha të automobilëve janë gati
Gjermania ka deklaruar prej disa kohësh se duke filluar nga viti 2035 do të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme. Këtë e bëri të qartë në mars në Bruksel edhe ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke, e cila theksoi në emër të qeverisë federale, se Gjermania mbështet ndalimin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme në Evropë duke filluar nga viti 2035.
Edhe një numër prodhuesish të mëdhenj automobilësh, si Mercedes, Ford dhe Volvo, e kanë mbështetur publikisht ndalimin e shitjes së makinave me djegie të brendshme duke nisur nga viti 2035. Kurse prodhues të tjerë si Volkswagen kanë njoftuar se nga ky vit nuk do të ofrojnë më në tregun evropian motorë me djegie të brendshme.
Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Michael Bloss tha pas votimit, se ne vendosëm pro të ardhmes së Evropës, sepse në të ardhmen makinat elektrike më të mira dhe bateritë më moderne do të prodhohen në Evropë.
Kurse eurodeputeti demokristian, Jens Gieseke, e kritikoi vendimin duke thënë se: “Për fat të keq të Gjelbrit, Liberalët dhe Social-Demokratët preferojnë t’i vendosin të gjitha në kartën e elektro-mobilitetit”. Ai u shpreh se ka frikë për aftësinë konkurruese të Evropës si dhe për sigurinë e shumë vendeve pune, por pranoi se ndalimi i motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 duket se nuk do të mund të pengohet më.