PD-PS-Lu dhe Shullazi në mes

Çështja “Shullazi” nuk ka përfshirë vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën. Nga salla e gjykatës ku dje iu dha masa e “arrestit me burg”, emri i Shullazit është bërë temë qendrore e politikës. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për pengimin e hetimeve ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për 6 vepra penale të rënda. Në një reagim të ashpër, të parin e këtij lloji që prej arrestimit të Shullazit ditën e shtunë, Basha akuzoi direkt Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij, Tahiri është person i lidhur me Emiljano Shullazin. Ndërsa shtoi se fakte tronditëse do të publikohen në ditën në vijim dhe që lidhin Shullazin me Saimir Tahirin dhe politikanë të mazhorancës. Ndërkohë nuk ka munguar reagimi i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai hodhi poshtë çdo akuzë që e përfshin emrin e tij me Emiljano Shullazin dhe aktivitetin e grupit që ai drejton. Për ministrin e Brendshëm në hetimin e këtij grupi nuk ka pasur mosmarrëveshje mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “Ajo që mund t’ju garantoj është se as Shullazi dhe askush nuk është mbi ligjin për Policinë e Shtetit”,- tha prerë Saimir Tahiri.

Që prej së shtunës kur Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi u arrestuan nga policia deputetë të opozitës janë përpjekur ta lidhin aktivitetin e dyshuar kriminal me përfaqësues të mazhorancës. Si shembull merret fakti se gjatë tre viteve të fundit, Shullazi dhe emra të tjerë me precedentë penalë kanë rritur ndjeshëm aktivitetin, duke kaluar nga trafiku i drogës në gjobëvënien dhe grabitje pronash, bile duke u bërë edhe “biznesmenë”. Nga ana tjetër, mazhoranca pretendon se Shullazi është një emër i njohur për Policinë dhe Prokurorinë edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Gjatë viteve 2005-2008 ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë duke marrë dënime shumë të lehta, ose duke u shpallur i pafajshëm. Nënkuptimi mbetet se ka qenë kontigjent kriminal i PD-së, e cila kishte për 8 vite pushtetin.

Debati i ditëve të fundit nuk është fokusuar tek gjetja e arsyeve se përse Shullazi ka qenë i lirë deri dje, por në mënyrë ironike PS dhe PD duket se shqetësohen se çfarë tesere partie ka patur i dyshuari kryesor. Në fakt duket se Shullazi si fenomen ka shfrytëzuar të dyja kampet politike. E kanë përdorur për fushata elektorale dhe ai ka përdorur miqësitë për të bërë para dhe për t’ja hedhur pa u lagur nga drejtësia.

Ndërsa politika ka hyrë në qerthullin e akuzave të ndërsjellta se cilin ka mik dhe kush është garantuesi i paprekshmërisë së deridjeshme të Shullazit, Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu ka kërkuar dje nga drejtësia që të veprojë. Duke përshëndetur arrestimin e Shullazit, Ambasadori amerikan ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë të shqyrtojnë këtë çështje në mënyrë të pavarur. Palët politike deri disa kohë më parë kujdeseshin që të mos e përmendnin asnjë herë me emër Emiljano Shullazin. Por dje Ambasadori Lu nuk ka hezituar ta quajë atë një bos krimit të organizuar. “Gjatë vitit të kaluar kemi parë të arrestohen gjykatës, prokurorë, parlamentarë, ish-ministër dhe tashmë shikuam arrestimin e shefit të krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. I mirëpresim këta hapa pozitivë dhe presim që këto çështje të ecin përpara në një mënyrë të pavarur dhe serioze. Duhet një sistem gjyqësor mjaft transparent dhe të bëjë ndryshimin me atë çfarë ka qenë përpara”,- tha Ambasadori i SHBA-ve.

Dhe realisht të vërtetën e akuzave për veprat penale të Shllazit nuk mund ta dëshmojë as PD dhe as PS. Mes të dyja palëve fenomeni “Shullazi” qëndron në mes si një minë të cilën asnjëra palë nuk e prek nga frika se mos ai nxjerr ndonjë emër VIP nga qelia, e cila duket se do të rrijë shumë vite, nëse akuzat e prokurorisë provohen.

Por nga sherbime intelegjente perendimore dhe nga SHISH ka rrjedhur një informacion mbrëmë vonë se prokuroria ka në dosje përgjime ku tre politikanë të rëndësishëm dhe një zyrtar policie kanë folur disa herë me Shullazin në një numër që ai përdorte nga grupi i tij për të mos u regjistruar nga sherbimet. Por ja që shërbimet paskan patur shumë numra telefoni celular nën përgjim.

SHKARKO APP