Përplasja e deklaratave në Tiranë. Kurti: Na duhet makroshengen shqiptar. Rama: Shengen ballkanik

Kundërshtitë mes qëndrimit të Tiranës dhe Prishtinës për mini shengenin rajonalë janë shfaqur në vizitën e parë të Albin Kurtit si kryeministër në Tiranë.

Në konferencën për mediat me kryeministrin Edi Rama edhe pse dy krerët e qeverive të shteteve shqiptare tentuan të tregoheshin miqësorë, u vu re se për çështjen e mini shengenit rajonal kishin qëndrime të kundërta.

I pyetur nëse qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në shengenit ballkanik, Albin Kurti deklaroi se me kryeministrin Edi Rama do të donte të fliste për bashkëpunimin mes shteteve shqiptare dhe jo për bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit. Madje bashkëpunimin mes shteteve shqiptare ka preferuar ta quajë diçka të madhe (makro) dhe jo me etiketimin mini. “Ky ishte takimi i parë ka dhe shumë tema që do të trajtojmë në të ardhmen. Kjo ishte një temë që trajtuam shkurtimisht meqë takimi ynë i parë ishte më parë për makroshengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik”,- deklaroi Albin Kurti.

Por teksa Kurti flet për rritje e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe zbatimin real të rreth 20 marrëveshjeve që kanë firmosur kabinetet qeveritare në të kaluarën, kryeministri Edi Rama nuk ka hequr dorë nga ideja e shengenit ballkanik me Serbinë.

Në këtë pikë kemi një temë për të çuar përpara. Nuk ka marrëveshje shengen shqiptar pa minishengen ballkanik. Makroshengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal sepse nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, gjë që e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos që të jemi, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve ç’ka deri dje ishte e paimagjimueshme për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë por dhe të gjithë vendeve të tjera”,- deklaroi kryeministri Edi Rama.

Nga deklaratat në konferencën për mediat duket se Edi Rama dhe Albin Kurti kanë rënë dakord që të mos bien dakord për çështjen e minishengenit rajonal. Në parim Kosova nuk është kundër bashkëpunimit me asnjë vend të rajoni, por kur vjen fjala te Serbia duhet që minimalisht Beogradi të pranojë shtetin e Kosovës. Ndërkohë Edi Rama mendon se shengeni rajonal i shërben integrimit të Ballkanit në BE. Qëndrimi i qeverisë shqiptare duke përkrahur politikën e Serbisë deri më tani i ka sjellë favore vetëm Beogradit dhe e ka izoluar Kosovën në zhvillimet rajonale.

Në vizitën e tij të parë në Tiranë si kryeministër, Kurti dha sinjalin e shengeni rajonal nuk është prioritet kryesor i tij dhe praktikisht ka kundërshtuar idenë e Edi Ramës.

SHKARKO APP