Përplasje të ashpra dhe gaz lotsjellës në Dibër. Ka të plagosur nga dyja palët

Incidente të rënda janë shënuar sonte në KZAZ n.r 19 në Dibër. Qindra qytetarë kanë dalë në rrugë dhe kërkojnë të mos lejohet zhvillimi i votimeve ditën e dielë. Qytetarët janë përplasur me policinë, ndërsa kjo e fundit ka përdorur dhunën dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e qytetarëve. Informacionet flasin se ka të plagosur.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit njoftoi se po dërgonte në Dibër trupat speciale operacionale. Ndërkohë u bën thirrje organizatorëve që të tërheqin qytetarët protestues. Opozita zyrtarisht u ka bërë thirrje ditëve të fundit gjithë mbështetësve që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos provokojë.

Sipas dëshmitarëve, bomba molotov janë në ambientet e  KZAZ. Protestuesit janë përleshur me policinë.  Burime jo zyrtare flasin se është plagosur një gazetar, disa protestues dhe janë lënduar disa efektivë policie.

Njoftimi i Policisë së Shtetit: “Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku  rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore”.

SHKARKO APP