Pesë mashtrimet e paskrupullta të Lulzim Bashës në çadren e protestës
Gjatë tre muajve të ngujimit në çadër kreu i PD hoqi disa vija të kuqe që tani pas arritjes së marrëveshjes me Ramën rrezultojnë të kenë qenë thjeshtë demagogji. Falë presionit të jashtëm dhe të të vetve, falë kërcënimit të aleatëve dhe mospërfilljes së Ramës, ai u detyrua të tërhiqet nga ato që kishte shpallur si themelet e “republikës së re”.
1 – Basha u zotua se nuk do të zhvillohen zgjedhje me Ramën kryeministër. Por tani megjithëse i rrëzoi pothuajse të gjithë kabinetin, PD po futet në zgjedhje pa e nxjerrë Ramën nga zyra. Nuk u morr vesh kurrë se si Basha u tërhoq nga ky kusht të cilin e kishte shpallur si ta panegociueshm. Ai pretendonte se Rama ishte epiqendra e republikës së vjetër që mbante lidhjet me trafikantët, kriminelët, me oligarkët dhe bosët e mediave dhe se pa u prerë këto lidhje nuk mund të bëheshin zgjedhje. Nuk kuptohet nëse ka gënjyer kur thoshtë këtë në çadër, apo tani kur thërret fitore pasi janë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
2- Basha u zotua se nuk ulet në dialog pa pasur më parë në tryezë dorëheqjen e Ramës. Një dialog të tillë ai e konsideroi fasadë dhe farsë duke e krahasuar me të parin takim të përbashkët për reformen në drejtësi kur kryeministri u paraqit në bisedime me fjalimin e gatshëm të dështimit të negociatave në xhep. Madje për këtë arsye Basha nuk pranoi të takohej me Ramën edhe kur erdhi në Tiranë ndërmjetësuesi McAllister. Por më pas nuk u mor vesh pse Basha u thye. Pse ai e harroi këtë kusht kur u ul në tryezën e thirrur nga presidenti Nishani. Aty për herë të parë u mor vesh se lideri i PD do të zbythej nga objektivat e tij. E vetmja gjë që mbetet e panjohur lidhet me faktin se kush i kapi kokën me derë dhe e detyroi të dorëzohet?
3 – Basha u zotua se nuk do të fuste ministra teknikë në një qeveri Rama. Ai qe i prerë në arsyetimin e tij se ky kryeministër që ka blerë deputetë, madje edhe parti opozitare nuk e ka për gjë të fusë në xhep edhe ministrat e rinj të miratuar nga PD. Por Basha po bën pikërisht të njëjtën gjë tani dhe atë që deri dje e konsideronte të pamundur, sot po mundohet ta shesi si sukses. Dilema është nëse kjo ishte e vetmja rrugë që i mbeti për të shpëtuar fytyrën apo nëse ai vërtet është aq naiv sa të mendojë se këta ministra më pak se një mujorë do të jenë garanci për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
4 – Basha u zotua se zgjedhjet nuk mund të bëheshin kurrë brenda qershorit. Me Ramën jo e jo, por edhe nëse ai do të largohej, kjo qe një kohë e pamjaftueshme që një qeveri e re të pastronte vendin nga krimi dhe droga që mund të ndikonin në zgjedhje. Por kreu i PD edhe këtu u dorëzua pavarësisht se edhe ekspertë të tij si Bylykbashi argumentuan se zgjedhjet mund të mbaheshin fare mirë deri në fund të korrikut. Kjo ishte një nga dështimet e tij më të mëdha dhe një nga fitoret më të mëdha të Ramës që e ktheu datën e zgjedhjeve në gogol.
5- Basha u zotua se “Republika e re” nuk do të bëjë marrëveshje kulisash si përgjate republikës së vjetër. Por sa i’u dha rasti të testohej për këtë zotim, ai e shkeli atë. Gjatë marëveshjes me Ramën, ata ranë dakord që jo vetëm partitë e tyre të hynin pa koalicione në zgjedhje, por vendosën që këtë të drejtë t’ua hiqnin në mënyrë absurde edhe partive të tjera të vogla. Kjo padyshim përbën anën më të fëlliqur të këtij pakti okult dhe e nxjerr Bashën ashtu sikurse është, një bir të denjë të republikës së vjetër për të cilën ai kontribuon prej 13 vitesh. (Lapsi)