Presidenti Meta: Është e papranueshme që të themi më mirë pa gjykata fare
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në qytetin e Shkodrës në kuadër të nismës për dhurimin e gjakut. Gjatë vizitës në Shkodër, kreu i shtetit ha një intervistë eksluzive për Televizionin “TV1 Channel”, ku komentoi zhvillimet politike dhe ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi.
Kreu i Shtetit, nënvizoi se është i domosdoshëm bashkepunimi, edhe për këtë çështje, mes palëve mazhorancë-opozitë për ti thënë fund paralizimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Meta e quajti “të papranueshme” deklaratën e Kryeministri Edi Rama “më mirë pa gjykata fare sesa me gjykata të korruptuara”. Kreu i Shtetit paralajmëron se nëse partitë nuk do lënë mënjanë konfliktet atëherë rrezikohet që Shqipëria të mos çelë negociatat as në 2019.
Intervista e plotë e Presidentit:
Gazetari: Kam kënaqësinë të kem në rubrikën “I ftuari i ditës” Presidentin e Republikës, i cili vetëm para pak minutash ishte në mjediset e Bashkisë së Shkodrës, atje ku “Alenca për Dhurimin e Gjakut” ka mbërritur në këtë qytet. Një nismëmjaft interesante dhe që vjen në një periudhë kur nevojat e Shqipërisë për dhurim të gjakut janë të larta. Zoti President, faleminderit që jeni në studion e TV1 Channel!
Presidenti Meta: Është kënaqësia ime. Faleminderit për ftesën tuaj dhe mundësinë për të komunikuar me të gjithë qytetarët e Shkodrës!
Gazetari: Nisma “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” është një nismë që e keni mbështetur fuqishëm dhe besoj të jetë e rëndësishme, aq më shumë kur nevojat për gjak sidomos në këtë periudhë janë më të larta. Sa rëndësi merr mesazhi që përcillet aq më shumë nga krerët e të lartë të shtetit, por dhe nga qytetarët që i bashkon kjo nismë?
Presidenti Meta: Besoj që kjo është një kauzë mjaft humane dhe është një Aleancë sa e domosdoshme, aq edhe e vendosur për t’i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme problemit të dhurimit të gjakut. Ky është një proble serioz ku ne ende kemi mangësi të theksuara përsa i takon përballimit të gjithë atyre detyrimeve të cilat janë jetike për gati 2% të popullsisë që e ka nevojë të përhershme për gjak, si përsa i takon të gjithë atyre qytetarëve, fëmijëve që janë të prekur nga talasemia apo nga sëmundje të tjera të gjakut, ashtu dhe gjithë të tjerëe të cilët për shkak të operacioneve, ose aksidenteve kanë nevojë të menjëhershme për të marrë gjak.
Në këtë drejtim, për ne është mjaft e rëndësishme të japim një përgjigje të shpejtë situatave të tilla afatshkurtra, kritike sikurse ëshë periudha e verës, ku bie numri i dhuruesve të zakonshëm për shkak të pushimeve, të të nxehtit, disa faktorëv të tjerë. Por, t’i japim një zgjidhje afatmesme dhe afatgjatë që do të thotë që brenda vitit 2020 ne të garantojmë plotësisht dhurim vullnetar të gjakut që plotëson nevojat e domosdoshme të përhershme për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për këtë çështje.
Kjo do të arrihet jo vetëm përmes seancave të dhurimit të gjakut, sikurse u organizua sot në Shkodër, për të cilën unë dua të falënderoj edhe njëherë Kryetaren e Bashkisë, znj. Voltana Ademi dhe të gjithë qytetarët që u përgjigjën kësaj thirjeje. Por, edhe përmes strategjive, përmes një aktiviteti mirëinformues, një veprimtari ndërgjegjësuese, promovuese në mënyrë që të gjithë të jenë të qetë përsa i takon sigurisë të procesit të dhurimit të gjakut, një proces mëse i sigurt, i standardeve më bashkëkohore. Të gjithë të jenë të qartë është një proces i shëndetshëm. Pra, dhurimi i gjakut është një procesi i shëndetshëm edhe për atë që dhuron, jo vetëm që është një kontribut human për të gjithë qytetarët që kanë nevojë dhe në fund fare secili prej nesh, prej familjarëve dhe të arfërme tanë gjithmonë do gjesh raste që kanë patur ose kanë nevojë për këtë proces. Ne duke u bërë pjesëmarrës aktivë dhe duke u bërë dhurues të rregullt, duke filluar nga unë i pari dhe të gjithë me radhë, mendoj që përmbushim një detyrim njerëzor dhe shoqëror ndaj njerëzve dhe shoqërisë sonë, por dhe ndaj vetvetes sepse e kam thënë që kur dikush dhuron gjak, edhe ai vetë më pas ndihet akoma më mirë.
Gazetari: Nuk kisha si mos të shfrytëzoja praninë tuaj në studio për të parë dhe pak zhvillimet kryesore që kanë të bëjnë dhe keni qenë në qendër të vëmendjes si Institucion për shkak se njëri pas tjetrit keni kthyer dy ligje në Kuvendin e Shqipërisë: së pari “Për Teatrin” dhe më pas i “Mbi tatimit mbi të ardhurat”, shkaktoi shumë debate – Ka patur ndikim edhe politika, zhurma e madhe që u krijua në këtë kthim të këtyre dy ligjeve?
Presidenti Meta: Po bëhet saktësisht një vit nga fillimi i detyrës sime si President, nga momenti i betimit, dhe unë theksoj që numri i ligjeve të kthyera janë vetëm tre. Një për “Tarifat gjyqësore”, për të cilën u reflektua nga Kuvendi dhe që ishin në interes të qytetarëve, pasi tarifat rriteshin shumë, ishin mjaft të papërballueshme dhe rrezikonin që qytetarët për shkak të tarifave të larta, të mos ndiqnin të drejtat e tyre nëpër procese gjyqësore të rregullta. Natyrisht kemi dhe dy aktet e fundit; që shkurtimisht quhen “Për Teatrin” dhe “Lojërat e Fatit”. Në arsyetimet e bëra ne bazohemi tërësisht në Kushtetutë, në ligj, në marrëveshjet ndërkombëtare dhe në interesin kombëtar dhe në interesin e publikut. Kështu që Kuvendi ka të drejtën e tij t’i rishqyrtojë, të reflektojë ose jo, në varësi të gjykimit të tij përfundimtar. Pa dyshim që Institucioni i Presidentit nuk mund të qëndrojë indiferent apo të kalojë në heshtje çështje, të cilat i konsideron që jo vetëm krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese, me objektivat që kemi Kushtetutë përsa i takon shtetit, shoqërisë sonë por njëkohësisht dhe me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë ku vendi dynë është palë, apo që mund të krijojnë precedentë shqetësues në të ardhmen sidomos përsa i takon aleancës midis pushteteve apo cenimit të ekonomisë së pushtetit vendor sepse do të heqim dorë nga ligësitë… demokratike dhe të funksionimit demokratik të shtetit dhe të shoqërisë.
Gazetari: Ju personalisht jeni për ta prishur Teatrin, në gjykimin tuaj, sepse ka një ndarje edhe të vetë artistëve, edhe të klasës politike. Zoti Veliaj tha – Na shtynë me 40 ditë këtë çështje, – në momentin që ju kthyet këtë ligj. Sa qëndron realisht pretendimi i mazhorancës? Rrezikohet edhe jeta e artistëve nga ajo godinë, dhe nga ana tjetër opozita po flet përherë e më shumë për çështjen e kullave, për përvetësimin e një pjese të kësaj sipërfaqeje?
Presidenti Meta: Unë mendoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është një detyrë e të gjithëve. Për fat të keq ne në të kaluarën ne nuk jemi treguar shumë të kujdesshëm ndaj ruajtjes së këtyre vlerave dhe kemi dëmtuar shumë prej tyre. Po kështu historia e shtetit tonë nuk është shumë e vjetër dhe kemi nevojë që të jemi shumë e më të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm për çdo vlerë kulturore, historike e muzeale që ne kemi nga e kaluara. Sot lexova dokumentet e një historiani shqiptar se gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Tiranës, edhe pse Mehmet Shehu kishte kërkuar, për të shpejtuar largimin e nazistëve nga kryeqyteti, të bombardohej qendra e Tiranës, anglezët nuk kishin pranuar të jepnin një urdhër të tillë, pra që avionët e tyre të bombardonin qendrën e Tiranës, për arsye sepse nuk kishin dashur të dëmtohej kjo pjesë e cila është një pjesë që mbart vlera të rëndësishme për kryeqytetin. Në këtë drejtim, unë besoj se kur ekziston vullneti i mirë, absolutisht që mundësia është edhe për të restauruar dhe për të mirëmbajtur Teatrin ekzistues apo kompleksin ekzistues, edhe për të ndërtuar një Teatër të ri, që pa dyshim që Tirana si kryeqytet që është shtuar disa herë në numër në këto tre dekada ka nevojë për Teatër të ri, ka nevojë për qendra të reja të zhvillimit të kulturës, të artit. Të gjitha këto mund të ndodhin absolutisht duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin aktual në fuqi në vendin tonë. Pra, nuk ka nevojë për një ligj të veçantë, për një ligj preferencial, për një precedent le të themi i cili na nxjerr nga shinat e funksionimit demokratik, kushtetues, ligjor të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Gazetari: Zoti President, u mbyll dhe ky sesion parlamentar dhe sigurisht ka patur protesta nga ana e opozitës, debate, bllokim të foltores së Kuvendit. Në të njëjtën kohë u shty dhe procesi i çeljes së negociatave. Si janë lexuar nga Institucioni i Presidentit të gjitha këto zhvillime të brendshme, por edhe të jashtme dhe përcilet me shqetësim nga ana juaj kjo frymë, që deri diku nuk u shërben proceseve të vendit?
Presidenti Meta: Pa diskutim që kjo është një frymë që nuk u shërben proceseve të vendit dhe nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë absolutisht që nuk do të ketë çelje të negociatave në qershorin e ardhshëm. Përkundrazi do të ketë përsëri përpjekje për të gjetur fajtorë, apo për të shpikur faktorë për këtë çështje. Unë e them shpesh që në të kaluarën kemi vuajtur shumë si popull nga një izolim idiot, se s’mund ta quajmë ndryshe. Të kishim qenë të izoluar, por “më butë” si disa vende të tjera të ish-Evropës qendrore dhe lindore, por izolimi ekstrem prodhoi dhe pasoja të cilat nuk mund t’i kuptojë dikush që nuk e ka jetuar atë periudhë dhe nuk arrijnë t’i kuptojnë apo perceptojnë as fëmijët tanë sot. Për fat të keq, pas 28 vitesh përsëri kemi një konflikt të pajustifikuar dhe kemi një pasion për konflikt të pajustifikuar dhe kemi një pasion për konflikt ku dialogu duhet të mbizotërojë, sidomos për çështje me rëndësi kombëtare, sikurse është çështja e integrimit evropian, sepse kjo është një platformë dhe një qëllim i gjithë forcave politike në vend dhe një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kështu që, në këtë drejtim duhet të bëhen përpjekje shumë të mëdha për të rivendosur dialogun. Duhen bërë përpjekje nga të dyja palët, por në qoftë se opozitës i kërkohet të bëjë një hap, mazhorancës gjithmonë i kërkohet të bëjë dy hapa sepse ajo ka përgjegjësi edhe më të madhe përsa i takon vendit dhe qeverisjes dhe drejtimit të tij. Shpresojmë që pas pushimeve të ketë një reflektim, për ndryshe dy muaj kanë ikur që nga vendimi i qershorit, kështu mund të ikin dhe dhjetë muaj të tjerë. Është e padobishme.
Gazetari: Pra, e shihni të vështirë realizimin e atyre pikave shtesë?
Presidenti Meta: Jo, unë nuk shikoj asgjë të vështirë nëse ka vullnet për përmbushjen e tyre dhe bashkëpunohet në mënyrë të qëndrushme për përmbushjen e atyre sfidave dhe standardeve që kërkohen nga vendet e BE-së.
Gazetari: U cilësua “një shuplakë e fortë” raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. U fol shumë për PPP-të, për krimin e organizuar. U fol gjithashtu dhe për çështjen që ka të bëjë me korrupsionin që ende mbetet në nivele të larta në Shqipëri. Nga ana juaj si Institucion i Presidentit të Republikës, besoj se e keni analizuar këtë raport. Keni ndonjë koment?
Presidenti Meta: Pa dashur të hyj në komente më të drejtëpërdrejta që u takon aktorëve të ndryshëm politikë apo analistëve dhe publicistëve, them që duhet një përpjekje shumë serioze dhe e qëndrueshme, edhe e mazhorancës edhe e opozitës për të garantuar besueshmërinë e reformës në drejtësi sepse kjo është kyçe për gjithë ecurinë e sundimit të ligjit dhe për gjithë suksesin, qoftë në luftë kundër krimit të organizuar, qoftë në luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm kaq. Këto janë dy fenomene që luftohen për një arsye tjetër; për të garantuar një ambient ekonomik e social shumë më të favorshëm për qytetarët tanë, për biznesin vendas, për investitorët e huaj, në mënyrë që këtu të jetë një ambient i besueshëm dhe të shtohen investitorët, të shtohen investimet dhe njëkohsisht dhe të rritet besimi dhe shpresa e qytetarëve tanë sidomos e të rinjve, se mund ta garantojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë.
Në këtë drejtim, unë besoj se duhet një reflektim i thellë sepse në këto kohë pak të trazuara në nivel global, evropian, ndërkombëtar. Ajo që ne na duhet është që ne të forcojmë më shumë përgjegjshmërinë dhe unitetin e brenshëm, kuptohet për ato çështje që janë jetike për të forcuar qëndrueshmërinë e një shteti dhe të një shoqërie pa cenuar funksionimin e demokracisë, aq më tepër të diferencave të ndryshme politike, programore, ideore.
Mendoj që hapësira për të shpalosur diferencat është shumë e madhe sepse fushat janë shumë të mëdha, por janë disa çështje kyçe të cilat janë të një rëndësie jetike dhe afatgjatë për qëndrueshmërinë e shtetit dhe për mosdështimin e shtetit, për qëndrueshmërinë e shoqërisë dhe për të ruajtuar kohezionin e saj social ku duhet bashkëpunim.
Gazetari: Vettingu u duk se shkaktoi një tërmet në sistemin e drejtësisë. Shumë prokurorë e gjyqtarë nuk po arrijnë të arsyetojnë pasurinë e tyre, kanë probleme përsa i përket dosjeve të gjykuara. Deri diku po shkohet drejt një kolapsi, nëse mund ta quajmë kështu me gjithë këto largime në radhët e drejtësisë. Si e keni parë ecurinë e këtij procesi? Po ju pyes se si e keni parë se opozita jo pak e ka sulmuar kohët e fundit, ndërkohë që nga ana tjetër mazhoranca po e quan si ai filtri i duhur, pasi për 28 vite drejtësi ka patur probleme të theksuara.
Presidenti Meta: Janë dy çështje të ndryshme. Funksioni i vettingut dhe njëkohësisht paralizimi, mosfunksionimi apo mosndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Askush nuk e ka mendu kur ka nisur reforma që do të ndodhi kjo e dytë, për arsye se janë bërë mjaft përcaktime dhe në Kushtetutë në mënyrë mjaft konkrete, të cilat parashikonin që këto institucione duhet të ishin krijuar me kohë, gjë që nuk ka ndodhur. Kjo e bën edhe më të domosdoshme rivendosjen e dialogut mazhorancë-opozitë në mënyrë që kjo anomali apo një kolaps i mundshëm i funksionimit të sistemit gjyqësor të evitohet dhe të krijohet mundësia që një mënyrë sa më të shpejtë jo vetëm procesi i vettingut të vazhdojë dhe të jetë edhe më i shpejtë dhe të mbështetet edhe më shumë administrata që kryen vettingun qoftë me staf apo me fonde, me mbështetje buxhetore. Po kështu dhe të bëhen të gjitha ato ndryshime që janë të domosdoshme për t’u reflektuar, që i hapin rrugën krijimit të besueshëm, me integritet të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk mund t’i vëmë fajin vettingut për këtë situatë, por mendoj që faji është i mosdëshirës për të parë problemet reale, kushtetuese dhe ligjore të cilat duhet të rishikohen për të tejkaluar këtë situatë dhe për të krijuar institucionet e reja. Nuk mund të themi dhe është e papranueshme të themi që më mirë pa gjykata fare se sa me gjykata të korruptuara. Absolutisht. Njerëzit nuk e kanë përkrahur reformën për këtë çështje, që të ngelen pa gjykata sepse janë mbi 30 mijë dosje që presin nëpër gjykata dhe këto janë probleme që kanë qytetarët me shtetin, me bashkinë, më njëri-tjetrin dhe kërkojnë drejtësi, kërkojnë zgjidhje. Zgjidhja është edhe vettingu dhe lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, dhe njëkohësisht dhe krijimi i institucioneve të reja, të besueshme, të pavarura të cilat do të japin atë drejtësi që qytetarët presin.
Gazetari: Meqenëse në politikë keni qenë shpesh mbi palët dhe i keni ftuar në tryezë, me cilësinë e Presidentit a jeni i gatshëm në rast se nuk ka një dakordësi mes gjuhës politike mes mazhorancës dhe opozitës? Pra, t’i ftoni, pse jo, për hir të këtyre reformave?
Presidenti Meta: Si President, përsa i takon reformës në drejtësi, unë do t’i përmbush të gjitha detyrimet e mia në mënyrë transparente, për aq sa Presidenti i Republikës ka detyrime në raport me Kushtetutën e vendit që është sot në fuqi.
Unë kam dhënë mesazhe herë pas here përsa i takon reformës në drejtësi duke evituar situatat konfliktuale, polarizuese, për aq sa i takon, duke evituar shtimin e problemeve, të cilat janë evidentuar dhe janë shtuar, janë politizuar më shumë se sa duhet. Natyrisht që u takon të dyja palëve të reflektojnë dhe të kuptojnë se shteti i drejtësisë nuk mund të politizohet në mënyrë ekstreme për çfarëdolloj arsyeje, dhe duhet sa më shpejt që përmes një dialogu të zgjidhen të gjitha ato ngërçe, ato vështirësi, të cilat kanë krijuar një paralizë në shumë institucione në instituticionet e drejtësisë për momentin.
Gazetari: Kam një pyetje: Ndoshta disa media të caktuara mund t’ju kenë paragjykuar në cilësinë e kreut të shtetit, sa ka ndikuar zonja Kryemadhi në vendimet që merrni apo në interpretimet e situatave politike? Realisht komunikoni për këto zhvillime apo aderoni me cilësinë e një drejtuesi të një force opozitare?
Presidenti Meta: Tani duhet të jeni të sigurt që në vendimet që marr si President i Republikës, unë ndikohem vetëm nga Kushtetuta, nga ligji, nga interesi kombëtar, nga interesi publik dhe nga askush tjetër për çfarëdolloj arsyeje.
Së dyti, kushdo që nuk ballafaqohet dot me ato argumente, që Institucioni i Presidentit mund të japë në një moment të caktuar, që nuk i interesojnë, për çdolloj arsyeje që nuk po e paragjykoj, sigurisht që ka të drejtë të gjejë alibitë e tij për të justifikuar këtë pozicion.
Unë i ftoj të gjithë që për të gjykuar një akt apo një veprim të Presidentit, të gjithë thjeshtë t’i referohen faqes zyrtare, t’u referohen argumentave, të lexojnë Kushtetutën, të lexojnë projektligjin, të lexojnë relacionin. Historitë e tjera pastaj, më duken pa kuptim, ashtu sikurse zonja Kryemadhi ka të drejtën e saj që për çdo problem të kaluar të vërë mua fajin, është çështje e saj.
Gazetari: Meqenëse mbërritën në fund, e lashë jo më kot këtë pyetje: Ishit në Plavë e Guci ku keni takuar bashkatdhetarët tanë, të cilët më së shumti vijnë nga jashtë. Pyetja ime lidhet me shqiptarët në të gjitha trojet ku jetojnë: Kanë kërkuar ndoshta një prani më të madhe të shtetit shqiptar, ndoshta ju në cilësinë e Presidentit, së fundmi me dekretimin e ligjit për zyrtarizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, keni dhënë një mesazh, që iu shërben atyre, por edhe klasës politike?
Presidenti Meta: Së pari jam shumë i lumtur që isha në Plavë e në Guci. Dhe që isha në ditën e duhur, sepse kam qenë para 15 vitesh kur kam qenë ministër i jashtëm. Kam qenë natën, ka qenë janar atëherë, por kam qenë në orën 2 të mëngjesit, dhe jam kthyer në orën 5 të mëngjesit, sepse kisha takimie në Podgoricë.
Ajo që kam parë ka qenë mahnitëse. Vërtet një bukuri përrallore, pak a shumë si bukuritë nga Valbona në Theth apo Lëpushë, Vermosh. Një diçka vërtet e jashtëzakonshme. Ajo që më ka mbetur më shumë në mendje përveç bukurisë së jashtëzakonshme, është atdhedashuria e pamatë, e pakufijshme e diasporës, sidomos e shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë dhe vende të tjera, por jo vetëm, duke menduar për vendlindjen. Ai përkushtimi i tyre, që jo vetëm në fund të korrikut deri në mes të gushtit lçka dhe vinë të gjithë me familjet, me nipër, me mbesa, me çdo gjë, për t’u kujdesur për shtëpitë e tyre, për t’u kujdesur për varret e të parëve të tyre, për të marrë pjesë në këto veprimtari shumë interesante, që ruajnë traditën, kanë vallet dhe gjithçka tjetër.
Vërtet që është një detyrim edhe më i madh i shtetit tonë për t’u kujdesur për shqiptarët kudo edhe më shumë. Për fat të mirë rruga e Vermoshit, që është një rrugë shumë e mirë dhe tashmë e përfunduar, por për të cilën kanë nevojë ta dinë edhe më shumë qytetarë, sidomos në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, pasi Palava dhe Gucia jo vetëm kanë një bukuri mahnitëse, por janë edhe nga vatrat më të zjarrta të atdhedashurisë dhe të çështjes kombëtare.