Presidenti Meta: Më 13 tetor zgjedhje vendore, të përgjithshme dhe zgjedhje për Presidentin
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, fill pas votimeve moniste të 30 qershorit, tha se votimet e socialistëve janë të turpshme dhe skandaloze, të cilat edhe bota i dënoi.
Presidenti pohoi se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës është ”Rama kthjellohu”. Kreu i Shtetit, theksoi se dekretin e Presidentit mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese dhe rikujtoi se zgjedhjet lokale janë më 13 tetor. Kreu i Shtetit propozoi që më 13 tetor të ketë zgjedhje lokale, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje presidenciale.
“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lizi e mund të tallen. Në 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe vendore dhe unë garoj për President. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat pë president Edi Rama ta bëjë. Asnjë propozim që dhunon të drejtën nuk e pranoj. Të mos tallet askush me kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”, tha Meta.
Gjatë konferencës për shtyp, Kreu i Shtetit kritikoi të huajt dhe sjelljen e tyre ndaj votimeve moniste të 30 qershorit dhe për të gjithë situatën e rëndë politike. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk po reagojnë siç duhet me krizën politike, shkeljen e Kushtetutës dhe akzoi disa prej tyre se po mbështesin qeverinë. ”Mos të tallen me kushtetutën tonë. U tallën në 2008 njëherë që i mbanin ison doktorit dhe Edit. Njëri nga ata ambasadorët është ende këtu dhe diskuton për Idajetin dhe hallet e atyre të Unazës. Duhet të jemi komb seriozë. Unë e zgjidha atëherë krizën. I thashë dhe kriza u zgjidh. Kam bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos bëhej qesharak. Kush janë këta ambasadorë që dalin një ditë para zgjedhjeve, e thonë që prisni të bëhet Gjykata Kushtetuese. Kush bëri lojë përsëri me KED kur isha kryetar Kuvendi dhe president? Ambasadat po nxisin sherr në Shqipëri. Unë këtu i kam letrat dhe komunikimin me ndërkombëtarët, dhe me evropianët dhe ta shohim pse u kthye reforma në Ramaformë. Demokracia e panegociueshme, e dyta integrimi i Shqipërisë në BE”.
Presidenti Ilir Meta foli për një grup të strukturuar që funksionin në Shqipëri dhe që sipas tij, bazohet në parimet e ”deep state” dhe ”state capture”. ”I përqafoj të gjithë shqiptarët që evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht përplasjen civile. Nuk është një kurth i ri, është i hershëm, është një komplot që bazohet jo në parimet e demokracisë dhe as të vlerave të Bashkimit Evropian dhe as të NATO-s, e cila siç tha Sekretari i Përgjithëshëm ka në themel demokracinë. Kjo bazohet në parimet e ‘deep state’ dhe ‘state capture’. Ekziston edhe në vendet tjera që vuajnë nga agjendat e nëndheshme dhe janë komplot ndaj demokracisë. Prej kohësh i kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhit dhe mikut tim Doktor, që të jenë të kujdesshëm të mos bien pre e provokime të një grupi të strukturuar PPP dhe d e vogël. Ëshë një grup i strukturuar që punon në Shqipëri”.
Meta i është drejtuar edhe miliarderit George Soros. Kreu i Shtetit, tha se është i gatshëm të mbrojë Shqipërinë sepse është politikan i racës së Avni Rustemit dhe Mic Sokolit, jo si Nikolla Gruevski, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut. ”Kam edhe dy fjalë për George Soros. Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orbanin kur më tha të keni kujdes sepse nuk është aq demokrat sa duket. George Sorosit i uroj jetë të gjatë dhe i uroj suksese, t’i gëzojë ato miliardat e veta. Ilir Meta nuk është i racës së Gruveskit dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Jam i racës së Avni Rustemit dhe Mic Sokolit”.
Gjatë konferencës për shtyp, Kreu i Shtetit, Ilir Meta i pyetur nga gazetarët për qëndrimet e tij ndaj SHBA-së, tha se kryeministri Edi Rama kërkon ta bëjë atë antiamerikan por këtë gjë theksoi Presidenti, nuk e arrin dot. ”Nuk më nxjerr nipi i Spiro Kolekës antiamerikan. Po qe se erdhi dita që nipi Spiro Kolekës të më heqë vizën mua amerikane jam i lumtur që erdhi kjo ditë, por unë vizës demokracisë në Shqipëri nuk ja heq kurrë, pluralizmit politik jo e jo, interesave të shqiptarëve as që bëhet fjalë në këtë botë, në botën tjetër nuk e di. Me përfaqësuesen e SHBA unë kam pasur një takim të veçantë”.
Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli për një strukturë të organizuar që e quajti ”PPPd”, e që sipas tij është kundër interesave të vendit me në krye kryeministrin Edi Rama. Gjatë pyetjeve nga gazetarët, Kreu i Shtetit tregoi se çfarë kuptimi ka secila nga gërmat. Në mesin e tyre janë edhe ndërkombëtarët, për të cilët Presidenti i Shqipërisë tha se janë disa që punojnë për interesa të ngushta për kryeministrin Edi Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse po flet si kryetar i opozitës në kushtet kur kriza është mes opozitës dhe mazhorancës, tha se kjo nuk është krizë politikë por krizë e shtetit. Kreu i Shtetit, zbuloi se nëse opozita do ta kishte dëgjuar, as 5% e qytetarëve nuk do të kishin shkuar për të votuar. ”Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës. Kryetari i shteti është presidenti jo kreu i qeverisë. Presidenti ka përgjegjësi për pluralizmin politik dhe të bëjë më të mirën që shqiptarët të mos përplasen. Opozita ka axhendë Rama ik, unë e kam Rama reflekto. Opozita do zgjedhje të përgjithshme, të gjitha bashkë, ndërsa unë them se pa zgjedhje me standarde më të mira se ato që kishim nuk na çelen negociatat. Më duket absurd kushti që të hetohen ata të Dibrës. Ky është gabim. T’i kërkosh të hetojë veten. Dhe Bashës i kam thënë të mos i shmangin institucionet. Nëse do i dëgjonin këshillat e mia opozita që në vend të fishekzjarrëve të përdornin dajre as 5% s’do kishin shkuar të votojnë. Nuk i kërkoj Edit të japë dorëheqjen. Ne nuk kemi frikë nga populli. Ne nuk do asistojmë demokracinë se kemi frikë nga populli”.
Kuptimi i PPPd
Politikanët!
Propaganda!
Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë).
Diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës.
Në fund të konferencës që zgjati 1 orë e 5 minuta, Presidenti ju drejtua gazetarëve se do të takohen më shpesh, pasi Presidenti do të paraqesë të tjera rrugë për zgjidhjen e krizës politike.