Presidenti Meta me fanellën e Celtic tërheq vëmendjen e “The Sun”

Fotoja me fanellën e Celtic FC e postuar mëngjesin e sotëm nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në profilet e tij në rrjetet sociale ka tërhequr menjëherë vëmendjen e medias ndërkombëtare.
Prestigjiozja “The Sun” ia kushtuar një artikull të zgjeruar postimit të Metës, që shoqërohej edhe me videon e një goli të Rudi Vatës me Celtic, duke theksuar afeksionin e tij të veçantë me tifozët skocezë, sidomos që pas takimit të bujshëm në rrugët e Sarajevës dy ditë më parë.
“Presidenti shqiptar, Ilir Meta ka postuar një foto të tijën me fanellën e Celtic dhe ka ndarë më ndjekësit e tij në rrjetet sociale videon e një goli të Rudi Vatës në derbin ndaj Rangers. Politikani i njohur shqiptar u shfaq duke festuar me tifozët skocezë në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, në fillim të javës pak para ndeshjes së vlefshme për turin kualifikues të Champions League”, shkruan “The Sun”, që thekson se afeksioni i papritur i kreut të shtetit shqiptar për klubin e famshëm skocez zor se do të venitet shpejt.
Tabolidi britanik nënvizon se fanella me të cilën pozon Presidenti Meta është një dhuratë e ish-yllit të Celtic dhe ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Rudi Vata.
Në postimin e tij, Meta shkruan: “Mirëmëngjes! Kjo foto sot u dedikohet të gjithë tifozëve të jashtëzakonshëm të Celtic FC anë e mbanë botës. Kjo bluzë është dhuratë nga miku im Rudi Vata. Pas takimit në Sarajevë besoj në: “Once you’re a Celt you’re always a Celt … Hail Hail”.

President Meta ka shpërndarë edhe videon e golit të famshëm të Vatës në fitoren 3-0 ndaj rivalëve të përjetshëm, Glasgou Rangers në vitin 1995.

“Ju uroj tifozëve të Celtic FC vetëm fitore dhe ju përshëndes me këtë gol të paharruar të Rudi Vatës në derbin e jetës suaj!”, shkruhet në postimin e Metës, që siç raporton edhe “The Sun” ka marrë menjëherë komente pozitive nga tifozët skocezë të Celtic, që kanë shkruar në profilin e kreut të shtetit shqiptar ndër të tjera: “Mirëseerdhët në familje zoti President!”, “E adhurueshme, ju shkon shumë brohoritjet tona Hail hail!” apo edhe “Brilante”.
Në fund, “The Sun” kujdeset të saktësojë se President Meta ndodhej në Bosnje-Hercegovinë për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, që po u zhvillua në Sarajevë. “Por siç duket qartë ai u largua nga ky qytet me dashurinë e tij të re për Celtic”, shkruan ndër të tjera “The Sun”.

SHKARKO APP