Presidenti Meta: Nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit ka vetëm një fajtor

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar sot nga qeveria përgjegjshmëri për integrimin në BE dhe stabilitetin e vendit lidhur me miratimin e reformës zgjedhore.

Kreu i shtetit tha se e ardhmja europiane e Shqipërisë është më e rëndësishme sesa axhendat politike. Presidenti i shpreh se për reformën zgjedhore palët duhet të zbatojnë marrëveshjen e 5 qershorit të arritur me ndërkombëtarët. Meta shtoi se nëse kjo marrëveshje shkeljet nuk ka 2 fajtorë apo tre, por vetëm një palë duke nënkuptuar mazhorancën.

“Gjërat janë të qarta. Unë mendoj se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori. Nuk do të ketë dy fajtorë në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, nuk do të ketë as 4 fajtorë, do të ketë vetëm një fajtor, i cili për fatin e tij personal, kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 mln shqiptarëve. Jo vetëm kaq. Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshëm dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rëndësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim dhe është në kohë për të reflektuar dhe ndryshuar opozitën e vet”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.

I pyetur nëse ishte çështja e listave pjesë e diskutimit me ambasadorin e BE, Kreu i Shtetit tha se çështja e hapjes së listave është çështje që i takon palëve. Meta deklaroi se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar, përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori.

“Për mua si President ka qenë dhe mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit, për të cilën falënderova dhe ambasadorët për kontributin që ata dhanë ku dhe unë u përpoqa të jap kontributin tim sidomos në drejtim të insistimit që opozita të mos vendoste si kusht, qeverinë teknike për zgjedhjet e ardhshme edhe pse janë të gjitha provat që nga dosja e Shijakut, që nga dosja e Dibrës dhe sjelljet e tjera se kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale. Opozita bëri lëshimin shumë të madh duke pranuar të mos vërë një kusht të tillë, me qëllim që të mbyllej kjo marrëveshje dhe të jepej një mesazh pozitiv dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët por dhe për të gjithë ata që punojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda partnerëve tanë”,- tha kreu i shtetit

VIDEO/Deklarata e Presidentit Ilir Meta për mediat

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/2822316194679639/?vh=e&extid=wBWaO02OeFdmKzdj&d=n

SHKARKO APP