Presidenti: Vendi shpëtoi nga kurthi i përplasjes, do miratoj dekoratën ”Heroi i votave socialiste”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur mirënjohje për qytetarët shqiptarë që iu larguan konfliktit dhe dhunës gjatë votimeve njëpartiake, moniste të PS-së. Përmes një postimi në facebook, Kreu i Shtetit, thekson se Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile.
”I falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre”. Nga ana tjetër, Presidenti thotë se do të miratojë një dekoratë të re, ”Heroi i votave socialiste” dhe këtë e ka për votimet në grup, siç e demostron përmes një videoje.
Shkrimi i plotë i Kreut të Shtetit
Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama.
Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre.
Përsa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha. Tani me duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”. Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video.