Prezantohet Albana Koçiu si ministre e Brendshme, Rama: Jo më ministri vetëm e policisë. A na duhen më prefekturat?!
Është prezantuar Albana Koçiu si ministre e Punëve të Brendshme. I pranishëm në këtë ceremoni ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se Albana Koçiu nuk do të jetë kryepolici i vendit, por duhet të merret me punët e brendshme.
“Për herë të parë këtë ministri e merr një grua. Albana Koçiu vjen në krye të ministrisë së Brendshme me një mision shumë të qartë: ta kthejë këtë ministri nga një ministri tradicionalisht e policisë në një ministri të punëve të Brendshme sipas standardit evropian. Punët e Brendshme nuk janë kurrsesi vetëm punët e policisë. Pavarësisht se Policia e Shtetit mban peshën më të madhe të ministrisë.
Ministri i Brendshëm nuk është kryepolici, por është mbi të gjitha për një sërë nevojash serioze të paadresuara siç duhet. Ndryshimi i profilit të ministrit të Brendshëm është pikënisja që ministrja Koçiu duhet të sjellë në qasjen dhe impaktin e kësaj ministrie në mbarëvajtje e kësaj ministrie. Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie te policia, sot 35 vjet transformime demografike dhe fizike i vendbanimeve të Shqipërisë, që nga Tirana, nuk e kemi ende një sistem funksional integral adresash. Akoma sot na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë pallat me shigjeta, ose për shembull sot kemi një sistem të prapambetur me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur.Por me këtë mandat të katërt nuk më interesojnë dhe shpresoj të na interesojnë ndryshimet që kanë ndodhur. Zjarrfikësit janë lënë përherë në planin e dytë. Problemi në i madh sot i shfaqur në verën që po kalojmë dhe që do jetë një problem qendror për vitet në vijim janë zjarret“, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij para administratës dhe drejtuesve të kësaj ministrie, Rama pati kritike për mënyrën sesi ky dikaster është drejtuar deri tani.
Ai la dhe një detyrë tjetër për ministren Koçiu dhe ministrin e shtetit për pushtetin vendor që lidhet me prefekturat, teksa tha se do të behet një reformë për të parë a duhen apo jo prefekturat, dhe nëse po si duhet të funksionojnë.
“Ta shikojë 360 gradë fushën e punëve të Brendshme, se ndarja është shumë e qartë, dhe në ligjin shqiptar dhe atë europian, por ligji nuk mund të mbetet në letër në këtë aspekt që po flas dhe forca e zakonit shqiptar të na imponojë të njëjtin avaz.
Po ti referohesh inventarit të politikave dhe strategjive të punëve të brendshme inventari është i plotë, madje dhe paratë e harxhuara nga donator dhe buxheti i shtetit për angazhimin e strukturave janë goxha, por po të shikon veprimtarinë e përgjithshme, apo strukturave jo drejtpërdrejtë të policisë, kupton se këto strategji janë letra.
Prefekturat sot janë institucione që e kanë humbur peshën, kuptimin. Na duhet reformë për prefekturat, të cilën do ta bashkë udhëheqin ministrja e brendshme me ministrin e shtetit për pushtetin vendor. Do nxjerrin konkluzion a na duhen apo jo prefekturat. Dhe nëse po, çfarë forme duhet të kenë?”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

