Protesta kombëtare për largimin e Edi Ramës. Opozita: Asnjë hap pas!
Opozita do të mbajë sot protestën kombëtare kundër qeverisë “Rama”. Tubimi do të nisë në orën 20:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Drejtuesit e partive opozitare kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje masive të gjithë qytetarëve. Në shesh pritet të jenë jo vetëm militantë dhe simpatizantë të partive të opozitës, por edhe qytetarë që e shohin protestën si të vetmen mënyrë për largimin e qeverisë “Rama”.
Protesta zhvillohet në një klimë të acaruar politike. Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, përveç se është e akuzuar për korrupsion, zhvilloi dhe votimet e 30 qershorit pa opozitën. Një vendim i tillë cilësohet si goditje përfundimtare e demokracisë dhe zyrtarizon kthimin e Shqipërisë në një shtet ku një parti kontrollon çdo gjë.
Pak orë para nisjes së protestës, kreu i PD-së, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sot në shesh.
Përmes një video-mesazhi të postuar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebok”, kryedemokrati bën thirrje për pjesëmarrje masive, në emër të “Shqipërisë së mundësive për të gjithë”.
“Arrogancës dhe shpërfilljes, iu përgjigjëm me refuzim Padrejtësisë, do t’i përgjigjemi me qendresë! Pamundësinë, varfërinë, papunësinë nuk do t’ua lëmë trashëgim fëmijëve. Ne treguam se jemi më të fortë se e keqja. Ne duam një të ardhme me mundësi për të gjithë Bashkë për të ardhmen! Bashkë për Shqipërinë!”- janë mesazhet në videon e shpërndarë nga lideri i opozitës.
Basha ka ftuar qytetarët që të jenë në shesh me familjet. “Padrejtësinë, pamundësinë, varfërinë dhe papunësinë nuk do tua lemë trashëgim fëmijëve! Sonte në orën 20:00, në Tiranë të gjithë bashkë për familjen dhe fëmijët tuaj, për Shqipërinë e mundësive për të gjithë! 8 korrik Shqipëria si Europa! Asnjë hap pas! Rama Ik”, shkruan Basha bashkëngjitur në postimin e tij.