Protesta masive dhe të dhunshme në Francë, 441 policë plagosen. Shtyhet edhe vizita e Mbretit të Britanisë
Qytetarët francezë të pakënaqur me reformën e pensioneve të Presidentit Emmanuel Macron vazhduan protestat të premten dhe situata e tensionuar në të gjithë vendin i detyroi zyrtarët të shtyjnë një vizitë të planifikuar shtetërore të Mbretit Charles III i Britanisë.
Protestuesit kishin kërkuar që Mbreti Charles të anulonte udhëtimin që ishte planifikuar të fillonte të dielën. Protestat dhe grevat e punëtorëve kundër vendimit të zotit Macron për të rritur moshën e pensionit në Francë nga 62 në 64, pritej të ndikonin tek vizita, pasi punëtorët kishin refuzuar të shtronin tapetin e kuq për ceremoninë e pritjes së mbretit.
Presidenti tha të premten se “logjika e shëndoshë dhe miqësia” e donte që të shtyhej vizita e mbretit, duke shtuar se ka të ngjarë që ajo të bëhej objekt proteste dhe të krijonte një “situatë të pakëndshme”.
“Nuk do të ishim seriozë që të mbanim një vizitë shtetërore në mes të protestave,” tha udhëheqësi francez, duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel.
Presidenti Macron dënoi sjelljen e dhunshme në disa nga protestat kundër planit të tij për të rritur moshën e pensionit, duke thënë se “dhuna nuk ka vend në një demokraci.”
Megjithëse për të premten nuk ishin planifikuar protesta të mëdha, trafiku i trenave u ngadalësua, radhët e kamionëve bllokuan hyrjen në portin e Marsejës për disa orë dhe mbeturinat vazhdonin të mbulonin rrugët e Parisit pas demonstratave masive të një dite më parë.
Mbi 450 protestues u arrestuan të enjten në Paris dhe qytete të tjera në rreth 300 demonstrata ku morën pjesë më shumë se një milion vetë në mbarë vendin. Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve janë kundër rritjes së moshës së pensionit me dy vjet. Zoti Macron thotë se kjo është e nevojshme për të ruajtur sistemin e pensioneve.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se 441 oficerë policie u plagosën nga dhuna në disa nga marshimet. Ai shtoi se 1000 kosha plehrash u dogjën në kryeqytetin francez; Kazanët e tejmbushur të plehrave janë bërë simbol i protestave gjatë një greve njëjavore të punonjësve të kanalizimeve.
Mbreti Charles dhe bashkëshortja, Mbretëresha Camilla, kishin planifikuar të vizitonin Francën dhe Gjermaninë gjatë udhëtimit të parë të mbretit jashtë vendit si monark i Britanisë. Ai planifikon ta bëjë vizitën në Gjermani, por zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak tha se do të gjendej një datë tjetër për vizitën në Francë.
“Vizita shtetërore e mbretit dhe mbretëreshës në Francë është shtyrë,” tha zyra e kryeministrit në Downing Street. “Ky vendim u mor me miratimin e të gjitha palëve, pasi presidenti i Francës i kërkoi qeverisë britanike të shtyjë vizitën.”
Zjarret në Paris, që u ndezën qëllimisht në rrugica të ngushta ose pa qasje mbrëmjen e së enjtes, alarmuan si zyrtarët e qytetit ashtu edhe banorët. Zjarrfikësit dhe banorët punuan së bashku për të vënë nën kontroll flakët që arritën deri në katin e dytë të një ndërtese apartamentesh.
Rafineritë e naftës kanë qenë një tjetër objektiv i protestave. Të premten, protestuesit iu drejtuan depos së naftës Fos-sur-mer pranë Marsejës për të ndaluar kamionët të hynin dhe të dilnin. Megjithatë, furnizimet me karburant në Paris nga rafineria e madhe Gonfreville-L’Orcher në Normandi rifilluan të premten pas ndërhyrjes së policisë.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Francës ka kërkuar anulimin e një të tretës së fluturimeve në aeroportin e dytë të Parisit, Orly të dielën dhe për 20% të tyre të hënën.
Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta dhe greva të reja të martën./VOA/