Pse duhen dy satelitët shqiptarë në orbitën e Tokës? Mendime pro dhe kundër
Juristi Kreshnik Spahiu tha se emisionin Review në Euronews Albania se mungesa e transparencës lidhur me satelitët e marrë me qira nga Shqipëria është problemi më i madh se ai lidhur me koston e tyre financiare.
Sipas Spahiut, qeveria shqiptare është treguar arrogante, pasi në mungesë të plotë informacioni dhe transparence po shkel ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Unë mendoj se problemi financiar për satelitët është më i vogli. Problemi më i madh i të gjithë qeverive ka qenë mungesa e kontrolli i territorit. Kjo masakër që është bërë në territorin shqiptar nuk është parë në asnjë vend tjetër që ka dalë nga komunizmi. A vjen mungesa e kontrollit nga mungesa e teknologjisë? Në komunizëm territori kontrollohej në çdo cep, nuk kishte kamera nuk kishte satelitë kontrollohej me autoritetin e shtetit. Kjo situatë ka ndryshuar sepse nuk ja dolëm të krijojmë një shtet të ligjit. Nuk them që Shqipëria të mos monitorohet me satelitë, por duhet të informosh individët. Është e sanksionuar me ligj që kur shteti monitoron diçka ku përfshihen të dhënat personale qytetarët duhet të informohen dhe të bëhet transparencë. Edhe një kamera në ashensor kur e vendos ti informon përdoruesit e ashensorit. Këta vendosin satelit dhe nuk bëjnë transparencë”, tha Spahiu.
Ndërkohë inxhinierja gjermane Sina Kaufmann tregoi në emisionin Review në Euronews Albania, se me dy satelitët e parë në orbitë, Shqipëria do të jetë në gjendje të jetë pjesë e industrisë hapësinore evropiane.
Ajo u shpreh se ky është vetëm hapi i parë që Shqipëria të ketë më shumë funksione dhe të punojë në më shumë projekte të mëdha.
“Të dy këta satelitë që ka porositur Shqipëria janë të pajisur me kamera të cilat do të sigurojnë pamjet më të mira të territorit. Do të jetë e mundur që Shqipëria të regjistrojë në mënyrë precize dhe të ketë pamjet e veta të territorit. Është vëzhgimi i terrenit tokësor që ndihmojnë në sektorin e energjisë, minierave dhe mjedisin”, shpjegoi ajo.
Kurse gazetari Bardhi Sejdarasi thotë se shërbimet më të mëdha të satelitëve do t’i marrë Ministria e Mbrojtjes, por edhe agjenci të tjera.
Sejdarasi u shpreh se çmim që i është dhënë Shqipërisë për këtë shërbim është më i ulëta që është dhënë ndonjëherë nga kjo kompani, ndërsa shërbimet që mund të përfitojnë institucionet shqiptare janë të shumëllojshme.
“Ne kemi sot një digë që është me probleme, po e them për herë të parë se nuk dua ta hap këtë çështje. Por satelitë mund të identifikojnë probleme të tilla. Përmes satelitëve merren pamje reale me një imazh shumë të mirë që mund të na sinjalizojnë për zjarret. Kjo është më e thjeshta, po të lexosh kontratën jepet zgjidhje për shumë çështje të rëndësishme”, tha gazetari. Sipas tij, kontratat thotë që satelitët ofrojnë edhe pamje të nëntokës. Satelitët japin edhe informacion për cilësinë e plazheve dhe ujërave, të dhëna gjeodezike për territorin ku do ndërtohet, tha gazetari.
Por ka mendim krejt të kundërt ish-zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka tha në emision Review në Euronews Albania se kryeministri Edi Rama nuk është treguar transparent lidhur me qëllimin e blerjes dhe përdorimit të dy satelitëve nga Shqipëria.
Peka u shpreh se blerja e këtyre satelitëve është një projekt politik i Ramës dhe në vazhdën e megalomanisë për të bërë gjëra të mëdha.
Sipas tij, mungesa e transparencës tregon se as qeveria vetë nuk e di çfarë ka firmosur dhe për çfarë do përdoren satelitët.
“Nga mënyra si Rama e ka paraqitur duket si një projekt politik se sa teknik, sikur Shqipëria ka kapacitet t’i prodhojë vetë satelitët ndërkohë është thjesht një kontratë për t’i marrë me qira. Satelitë të tillë edhe më të rëndësishëm i ka çdo vend i Evropës. Janë mburrur se jemi vendi i parë në rajon, që s’është e vërtetë. Jo çdo gjë e re është e mirë. Duhet të shikojmë për çfarë i shërbejnë Shqipërisë, kostot e këtyre satelitëve, a mund të përdoreshin më mirë këto para. Mungesa e transparencës është defekt politik. Por në të vërtetë as ata vetë s’e dinë se për çfarë kanë firmosur dhe për çfarë iu duhen. Qeveritarët nuk bëjnë transparencë sepse nuk janë të trajnuar, nuk kanë informacion të tregojnë specifikimet e kontratës”, tha Peka.
Por satelitët janë lart në orbitë, duke u sjellë Tokës me fokus Shqipërinë, por besohet edhe për shtetet fqinje.