Pse po i rikthehet Gjermania qymyrit?
Nga radio gjermane DW-
Gjermania po përpiqet të mbushë depozitat e gazit që kur Rusia filloi të kufizojë furnizimin e saj. Zgjidhjet e mundshme përfshijnë rritjen e përdorimit të qymyrit për energjinë dhe stimujt për të reduktuar konsumin.
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck e përshkroi së fundmi politikën e tij aktuale të energjisë si “një lloj përballjeje” me presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo e fundit mund të ketë përparësi për momentin, tha ai të dielën, por kjo nuk do të thotë se “ne nuk mund të avancojmë me përpjekje”.
Habecku, anëtar i partisë ambientaliste të Të Gjelbërve, përballet me një skenar makthi. Me uljen e furnizimit me gaz nga Rusia si hakmarrje ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, siguria energjetike gjermane përballet me paqartësi.
Berlini po përpiqet të mbushë depozitat gjermane të gazit në 80% të kapaciteteve deri më 1 tetor dhe 90% deri në nëntor, për të përmbushur kërkesën për gaz për muajt e ftohtë të dimrit. Aktualisht, rezervat e gazit janë të mbushura vetëm 57% të tyre. “Përpjekja” të cilës i referohet zoti Habeck tani nënkupton kursimin e gazit kudo që është e mundur, duke përfshirë atë që përdoret për të prodhuar energji elektrike.
Si pjesë e luftës së gazit midis Gjermanisë dhe Rusisë, Robert Habeck shpërndau pilula të hidhura për të Gjelbrit e tij.
Energjia elektrike e prodhuar nga qymyri dhe linjiti
Energjia elektrike e prodhuar nga gazi përbën rreth 16% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Gjermani. Energjitë e rinovueshme, veçanërisht nga era dhe dielli, përfaqësojnë rreth 42% të prodhimit aktual, por është e pamundur që ato të rriten shpejt. Një alternativë e mundshme mund të jenë termocentralet ekzistuese me qymyr, nga të cilët rreth 151 janë ende duke funksionuar në vend, pavarësisht nga plani i qeverisë për t’i mbyllur ato deri në vitin 2038.
Përpara se Rusia të fillonte pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, partitë anëtare të koalicionit qeveritar, socialdemokratët e qendrës së majtë, Të Gjelbrit dhe liberalët madje vendosën që ta afrojnë braktisjen e qymyrit, me “synim ideal” në vitin 2030. Edhe pse tani është planifikuar të përdoret më shumë qymyr në plan afatshkurtër, Habecku dëshiron t’u përmbahet të dyja objektivave.
Një projektligj që ofron bazën ligjore për konsumin më të madh të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike është në pritje në Bundestag, me qëllim rritjen e prodhimit nga të ashtuquajturat termocentrale rezervë, të cilët përdoren në mënyrë të parregullt për stabilizimin e rrjetit dhe që do të çmontoheshin gjatë viteve të ardhshme.
Veç kësaj, termocentralet që janë prekur si pjesë e planit të mbylljes, por janë ende teknikisht funksionale, do të kthehen në shërbim. Këto të ashtuquajtura termocentrale si mjet i fundit, në përgjithësi djegin linjit, i cili është më ndotës, që vjen nga minierat në Gjermaninë Lindore.
Ringjallja e qymyrit është vetëm e përkohshme
Kerstin Andreae, drejtor i Shoqatës Gjermane të Industrive të Energjisë dhe Ujit, i tha transmetuesit publik gjerman ARD të hënën se termocentralet rezervë me linjit mund të rikthehen në funksionim “në një kohë relativisht të shkurtër”. Kjo mund të bëhet edhe me termocentralet që përdorin qymyrguri për të prodhuar energji elektrike, por në këtë rasti ai do të duhet të importohet nga jashtë.
Gjermania mbylli minierën e saj të fundit të qymyrgurit në vitin 2018 dhe që atëherë është varur nga Rusia për gjysmën e nevojave të saj për qymyrgur. “Qymyri rus mund të zëvendësohet plotësisht nga vende të tjera brenda disa muajsh. Në veçanti nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia dhe Afrika e Jugut,” tha Alexander Bethe, kryetar i bordit të drejtorëve të Shoqatës së importuesve të qymyrit, në një deklaratë për shtyp.
Me parlamentin që do të votojë për projektligjin e qymyrit deri në 8 korrik, qeveria e ka bërë të qartë se ringjallja e karburanteve fosile të Gjermanisë do të zgjasë vetëm deri në mars 2024. Deri atëherë, Berlini dëshiron që furnizimet me gaz rus të reduktohen në rreth 10%, nga 55% para luftës dhe 35% tani.
Pas marrjes së Gazprom Germania, ish-pronarët e tij rusë ngadalësuan furnizimin e qendrës së magazinimit Rehden.
Jo rikthim te energjia bërthamore
Një zgjidhje tjetër do të ishte energjia bërthamore, por përdorimi i kësaj energjie më miqësore me klimën është përjashtuar nga autoritetet qeveritare dhe operatorët bërthamorë. Gjermania po përgatitet të mbyllë tre termocentralet e mbetura bërthamore deri në fund të vitit dhe Markus Krebber, drejtori i kompanisë energjetike RWE, ka thënë se nuk do të ketë kthim në këtë formë të energjisë.
Kursimi i gazit me ankande industriale
Habecku tha se ringjallja e qymyrit ishte një vendim “i hidhur”, por ai shtoi se ishte “thjesht e nevojshme në këtë situatë të reduktohej konsumi i gazit”. Një nga mënyrat se si shpreson ta arrijë këtë Berlini është të reduktojë përdorimin e gazit nëpërmjet një modeli të ri të ankandit të gazit të bazuar në treg. Ai i ofron stimuj industrisë për të reduktuar konsumin dhe për të devijuar furnizimin e panevojshëm të gazit në magazinimin afatgjatë.
Këto masa të reja vijnë në mes të përpjekjeve të shtuara të Gjermanisë për të blerë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në tregun global – një treg gjithnjë e më i mbushur, pasi vendet e tjera gjithashtu duan të reduktojnë varësinë e tyre në lidhje me Rusinë. Për këtë, Gjermania planifikon të përdorë impiante të rigazifikimit lundrues, pasi nuk ka asnjë nga objektet e nevojshme për të importuar LNG.
Përveç kësaj, qeveria ka nisur një fushatë publike të diskutueshme për të kursyer gazin, duke u kërkuar gjermanëve që të reduktojnë ngrohjen e tyre në muajt e ardhshëm dhe të bëjnë dush me ujë të vakët.
Duket se ministri i Ekonomisë i Gjermanisë ka disa ide se si të forcojë muskujt e vendit të tij për përballjen me Putinin. Megjithatë, Rusia nuk e ka përdorur ende plotësisht fuqinë e saj, pasi gazi vazhdon të rrjedhë në tubacione, megjithëse jo në sasitë e zakonshme deri tani.