Radio “Europa e Lirë” apo mediat e qeverisë Rama duhen besuar për negociatat?

Endri Fuga, njeriu kryesor i kryeministri Rama, po përpiqet që të zhbëjë fjalën e ministrit gjerman Roth. Sipas radios “Europa e Lirë” ministri gjerman nuk tha se do ketë Konferencë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Ai theksoi se vetëm me Maqedoninë e Veriut do të fillojmë.

Por Endri Fuga, natyrisht me urdhër të kryeministrit, po ndryshon fjalët e ministrit gjerman, duke thënë se pala gjermane do të fillojë konferencën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në dhjetor 2020. Te Agjensia Telegrafike Shqiptare dhe mediat proqeverisë thuhet se ministri gjerman tha se edhe me Shqipërinë do fillojnë negociatat.

Por po të lexosh se ç’shkruan radio “Europa e Lirë” kupton fare mirë se vetëm me Maqedoninë e Veriut është vendosur negociatat.

Pra kush duhet besuar radio e BE apo mediat e Ramës?!

Ja se ç’shkruan radio Europa e Lirë:

Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, duke folur për punën e presidencës gjermane në Bashkimin Evropian, tha të martën para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian se BE-ja “duhet të angazhohet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor”.

Ky rajon është “oborr i brendshëm i BE-së, e jo oborr i jashtëm”, tha Roth.

Ai kërkoi që BE-ja ta dëshmojë përkushtimin e saj në përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve të këtij rajoni, duke thënë se perspektiva evropiane e tij është e domosdoshme për paqe dhe stabilitet.

Roth konfirmoi se presidenca gjermane e BE-së është duke punuar për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut para fundit të muajit dhjetor të këtij viti.

Ai kërkoi që vendet anëtare të mos paraqesin kushte shtesë ndaj Shkupit, duke aluduar këtu në disa kërkesa të Bullgarisë që në kornizën negociuese të përfshihen edhe disa çështje dypalëshe.

Bullgaria ka kërkuar që fqinjësia e mirë midis saj dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet po ashtu pjesë e kritereve në procesin e negociatave.

Përderisa për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut thuhet se po punohet në mënyrë aktive në BE, gjasat për Shqipërinë që së shpejti t’i nisë këto negociata duket se nuk janë të mëdha.

Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia është vend anëtar i BE-së.

Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Ja se ç’shkruan Agjensia Telegrafike Shqiptare:

BRUKSEL, 22 shtator /ATSH/ – Gjermania, që mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, kërkon që brenda muajit dhjetor të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pa asnjë kusht shtesë për të dyja vendet, deklaroi sot në një konferencë shtypi ministri gjerman për Çështjet Europian, Michael Roth.

“Presidenca gjermane i kushton shumë rëndësi situatës në Ballkan dhe ne dëshirojmë të shohim angazhim të shtuar dhe të thelluar të BE-së te vendet e rajonit, me qëllimin që popujt e tij të kenë besim tek ne”, deklaroi Roth.

“Gjatë presidencës kroate ne dërguam një sinjal mjaft pozitiv për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe njësoj me Maqedoninë e Veriut, dhe në momentin që flasim po punojmë në mënyrë intensive që në dhjetor të mund të organizojmë konferencat e para ndërqeveritare, që puna të nisë në mënyrë konkrete”, theksoi ai.

“Është në interesin e të gjithë vendeve të BE-së, dhe në veçanti në interesin e fqinjëve më të afërm që vendet e Ballkanit të kenë një perspektivë të vërtetë europiane”, shtoi ai.

“Ne dëshirojmë të jemi ndërmjetës të ndershëm mes partnerëve të ndryshëm dhe dëshirojmë të ndërtojmë ura të sigurta e të besueshme, ndër të tjera, edhe me partnerët bullgarë, pasi duhet të punojmë mbi bazat që kemi vendosur të gjithë, pasi nuk është çështja të shtojmë kritere reja apo kushte të reja, përtej atyre që figurojnë në përfundimet e këshillit dhe në parimet e përbashkëta”, tha Roth, i pyetur veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, që për momentin është e bllokuar nga një kërkesë shtesë nga Bullgaria për përfshirjen e zbatimit të Traktatit të Miqësisë në kuadrin negociues.

Roth tha se vendi ka punuar shumë për të arritur deri në pikën aktuale, si me Marrëveshjen e Prespës ashtu edhe me Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë.

SHKARKO APP