Rama: Do të ndalohet për 30 vite ndërtimi në zonat e djegura. I djegin kastile….
Kryeministri Rama deklaroi sot: “Kemi bërë një ndërhyrje ligjore shumë të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vjet, pra nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar, digjet, për 30 vjet aty nuk do jepet leje ndërtimi”.
Është ky paralajmërimi që kreu i qeverisë Edi Rama bëri sot në takimin me shërbimet zjarrfikëse, sepse shumë zona janë djegur nga element kriminalë me porosi të kompanive të ndërtimit apo biznese që paguajnë për ti djegur pyjet e me pas thonë se “nuk është zonë pyjore e mund të ndërtojmë”.
Janë djegur dhjetra hektarë në këto dekada për të përfituar leje ndërtimi pasi i djegin, ndaj Edi Rama vazhdoi duke thënë se “Që ta kenë të qartë të gjithë që djegia nuk të sjell në kushtet që ti pastaj të vish të thuash nuk është pyll, nuk ka pemë aty kështu që kjo është toka ime dhe unë dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do të rimbillet dhe për këtë jemi duke punuar me ministrinë e Mbrojtjes dhe për të sjellë dhe dronet mbjellës që janë një forcë e re e teknologjisë që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura, gjë për të cilën është përfshirë dhe Ministria e Mjedisit drejtpërdrejtë”, deklaroi ai.
Në bregdet, kryesisht, kështu ka vepruar mafia e tokave dhe disa oligarkë; i kanë djegur duke rrezikuar nga zjarri edhe familje dhe me pas kanë aplikuar për leje ndërtimi e ku ministritë bënin letrat në favor të tyre se “nuk janë zona pyjore”.
Kësaj rruge kriminale sot kryeministri i tha prerë se “nuk do të merren leje për 30 vite”.
KOHA JONË SONDAZH

