Rama: Nëse çmimi i naftës kalon vlerën 220 lekë, do ulet me 20% akciza e karburantit
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një rritje të mëtejshme të çmimit të naftës në vend, duke theksuar se qeveria po përgatit masa për të zbutur ndikimin te qytetarët.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama deklaroi se çmimi i karburanteve jo vetëm që është rritur, por pritet të vijojë këtë trend edhe në vijim, si pasojë e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje. Ndaj kemi vënë në lëvizje bordin e transparencës, e kemi përdorur edhe më parë. Po ashtu kemi marrë një vendim për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do të ketë ulje me 20% të akcizës së naftës”, u shpreh Rama.
Sipas tij, kjo masë synon të amortizojë goditjen e çmimeve për konsumatorët, në rast të një rritjeje të fortë mbi pragun e përcaktuar.
Qeveria ka aktivizuar gjithashtu Bordin e Transparencës, një mekanizëm që synon të monitorojë dhe rregullojë çmimet e karburanteve në tregun vendas, në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe spekulimet.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur tregjet globale të energjisë po përballen me luhatje të forta, duke reflektuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e karburanteve në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

