Rama dhe PS vetë votojnë, por po vetë numërojnë!
Këto votime po kundërshtohen nga qytetarët e revoltuar dhe ka patur përplasje në shumë qytete, kur policia përdori gaz lotësjellës dhe shkopinjë gome. Në Shkodër dhe në Dibër përplasje ishin të forta. Nesër pritet ditë e keqe për vendin.
Pas 29 viteve pluralizëm, Shqipëria kthehet ditën e dielë, si në kohën e viteve të kohës së komunizmit, kur votohej për një kandidat dhe kur partia vendoste për gjithçka. Kjo e dielë do mbahet mend gjatë si E DIELA E TURPIT. Mos heshtni shqiptarë përballë këtij votimi të paligjshëm ku kryeministri po përlan, dhunshëm, gjithë pushtetet.
Nga Mili Xhani
Partia Socialiste, forca që dikur mbronte parimet demokratike dhe standardet e votës, do të hyjë në histori si partia që riktheu votimet fasadë, si në kohën e komunizmit. Në 61 bashki që ka vendi, në 35 prej tyre ka vetëm një kandidatë të Partisë Socialiste. Në 26 të tjerat, kandidatë janë krejt formal, pa parti dhe njerëz që nuk marrin dot as votat e familjes së tyre. Praktikisht në gjithë territorin e vendit garon vetëm PS-ja, kundër vetvetes! Por çmenduritë në këto zgjedhje që s’quhen më zgjedhje nuk kanë fund. Votat, nëse do të ketë njerëz që votojnë, do të numërohen po nga Partia Socialiste. KQZ-ja nuk pranoi anëtarë në KZAZ apo qendrat e votimit të PD dhe LSI, por vetëm të PS-së.
Këto votime mund të cilësohen që sot si turpi më i madh për Shqipërinë. Pas 30 vitesh, standardet demokratike arrijnë në të njëjtin nivel me Korenë e Veriut duke u kthyer në shtetin me qesharak të Europës. PS po shkon drejt këtij procesi pa datë të ligjshme zgjedhjesh, pasi Presidenti i Republikës ka dekretuar 13 tetorin si ditën e zgjedhjeve lokale. PS po shkon drejt kutive të votimit pa kundërshtarë, duke shkelur si asnjëherë më parë standardet më minimale të një demokracie. Nëse në raportet e Komisionit Europain kanë qenë problem për Shqipërinë zbatimi i ligjit dhe krimi, me 30 qershorin do të kthehemi në fazën kur Shqipëria do cilësohet si shtet me regjim dhe jo me demokraci. Opozita, për një mijë arsye bojkotoi procesin dhe refuzoi një votim fasadë. Për pasojë, komisionet e votimit, komisionet e numërimit, të gjitha KZAZ dhe deri të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve janë të gjithë me anëtarë socialistë. Gjithë trupa e komisionerëve zgjedhorë është njëngjyrëshe, fiks si në kohën e komunizmit. Sipas Kodit Zgjedhor duhet të jenë 42 mijë burra dhe gra që do dalin nga shtëpitë për të ruajtur standardet e zgjedhjeve. Të gjithë janë të PS-së dhe nuk kanë çfarë ruajnë dhe as çfarë monitorojnë. Madje ka mundësi që një pjesë e tyre i kanë mbyllur që sot votimet. Gjithë sistemi zgjedhor i 30 viteve në Shqipëri është ngritur mbi parimin se zgjedhjet nuk i bën më të mira ligji, por kontrolli nga partitë politike. Vëzhguesit ndërkombëtarë, edhe sikur me qindra të vijnë, nuk mbulojnë dot 6 mijë qendra votimi në gjithë vendin. Ndaj dhe KQZ është me anëtarë politikë të opozitës dhe opozitës. Ndaj dhe gjithë komisionet e tjera janë sipas këtij parimi, gjysma e anëtarëve të opozitës dhe gjysma të shumicës parlamentare. Sistemi funksiononte sepse gjithmonë mes palëve gjendej marrëveshja.
Në këto votime ky parim ka rënë dhe për herë të parë PS dhe Edi Rama do të votojnë vet dhe do t’i numërojnë vet votat. KQZ dhe më pas Kolegji Zgjedhor që u provuan që janë të PS, në fund do t’i certifikojnë njëlloj si të ishin kryesia e Partisë Socialiste. E gjithë një maskaradë të bën të ndjehet i turpëruar çdo shqiptar. Vetëm kryeministri nuk e ka problem nga gjithë kjo kosto që i ka sjellë vendit, madje duket i kënaqur që do të marrë dhe gjithë pushtetin lokalë. Frika më e madhe e 30 qershorit është që të jetë një ditë konflikti dhe dhune. Opozita zyrtarisht është distancuar nga dhuna dhe ka kërkuar nga mbështetësit e saj që të mos bëhen pjesë e asnjë skenari. Arsyeja është e thjeshtë; a ja vlen që shqiptarët të vriten me njeri-tjetrin për një palë zgjedhje qesharake dhe maskaradë? Megjithatë qytetarët që këto muaj janë përballur jo me shtetin, por me një regjim, ndjehen më të revoltuar dhe të fyer nga ky proces i shpifur votimesh. Ndaj dhe në qytete të ndryshme, megjithë thirrjet e opozitës, një pjesë e tyre po reagojnë ashpër. Nuk mungojë dhe raste si ai i Shkodrës, ku ishin socialistët ata që dhunuan ambientet dhe sulmuan policinë. Është një situatë konflikti ku askush nuk mund ta mbajë më nën kontroll. Ky është kaosi që të gjithë e kishin frikë dhe u munduan ta shmangin, përveç një njeriu kryeministrit Edi Rama, që gjithmonë thotë se është tre lëvizje para. Por tashmë, pasi e Edi Rama që e çoi vendin në zgrip, tani është shumë vonë që të kthehet pas. Përkundrazi, pasi ka bërë çdo shkelje ligjor, pasi ka burgosur mbi 1 kundërshtarë politikë dhe pasi po bën zgjedhje si në Korenë e Veriut, Edi Rama e shesh shpëtimin vetëm te dhuna. Gjithë kjo shëmti elektorale, kjo rënie morale e PS dhe degradim i qeverisë, mund të shpëtojë në sytë e ndërkombëtarëve vetëm duke akuzuar opozitën për dhunë dhe ndalim të qytetarëve të votojnë. Është një skenar sa kriminal aq dhe anti-kombëtar që po realizohet me dinakëri nga kryeministri Edi Rama. Opozitës dhe qytetarëve të ndërgjegjshëm sot mund t’u bëhet vetëm një apel. Denonconi çdo manipulim të zgjedhjeve dhe farsës elektorale, sepse edhe në garë me veten PS-ja po i manipulon. Lëreni Ramën dhe Rilindjen në çmendurinë e tyre për një ditë. Le të bëjnë ato dreq votimesh që si duhen askujt dhe do jenë turpi më i madh i tyre, pasi vetë po votojnë dhe vet po numërojnë. Ruajeni revoltën për më pas, regjimet nuk bien për një ditë dhe as vetëm me një protestë.