Sami Repishti iku, la pas një monument!
Nga Agron Gjekmarkaj-
Sa keq që ka ndërruar jetë Sami Repishti! Si një zë nga qielli shfaqej ai në Botën Shqiptare, herë pas here, kur urtia e tij përkufizohej si shpresë! Diku në faqet e para të librit “Nën hijen e Rozafës”, Repishti na rrëfen se si teksa mësuesi i historisë u fliste studentëve për Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, një shok klase ofshan e plot pafajni thotë: “Sa keq që ka vdekë Skënderbeu!”.
Një keqardhje e tillë duket e shoqëron qysh në vogli edhe Sami Repishtin, sepse i vetëdijshëm Skënderbeu është për të “mbinjeriu” shqiptar që ndryshon rrjedhat e historisë! Kjo ofshamë duhet ti dalë sot çdo shqiptari që e ka shijen e kulturës, të lirisë, të dinjitetit njerzor, të një shoqërie pa dhunë e padrejtësi, apo atë sublimitetit të Atdheut!
Sami Repishti një nder intelektualët më të medhenj shqiptar futur në mes të dy shekujve, sot ndërroi jetë! Gjithë jetën e tij ja kushtoi dinjitetit njerzor, lirisë individuale e shoqërore! Shqiptar rracet e shkodran sojit, shkrimtar, disident, i burgosur politik, filozof, profesor në Amerikë, veprimtar pranë administratave të ndryshme të SHBA-ve, kohë e gjitha e shpenzuar për Shqiperinë e Kosovën, në konflikt të pareshtur me tiraninë komuniste e shtypjen nacionale!
I formuar në perëndim, për 10 vjet i burgosur pas perdes së hekurt! I arratisur si në legjenda mbërrin në vendin e lirive! Mundësinë personale e kthen në përspektivë shqiptare! Bashkëkohës e mik i të mëdhenjëve, Koliqi, Camaj dhe Pipa, i madh sa ata!
Ideolog i identitetit europian të shqiptarve, po kaq i mendësisë dhe standardeve demokratike!
‘’Gjithë rininë e kam kaluar në vendin tim të lindjes, Shqipëria, ku kam parë tërë skenat çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore. I ri, pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945 përballë një ideologjie totalitare dhe një qeverie që e quanin ‘’pushteti i popullit’’. Realiteti që përjetova dërrmoi tërë shpresat e mija, dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën ‘’rebel’’. E pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat që rrodhën; dhjetë vjet tortura, burg, kamp përqendrimi dhe punë të detyruar. Më 1959 kalova me armë kufirin …Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtëroi të burgosur në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, me mënyra nga më të llahtarshmet… Të jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri. Të përballosh torturën, të sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason dhe këtë për dhjetë vjet më radhë, është një agoni shumë më e thellë se ajo e vdekjes’’! Kjo pjesë autobiografike gjindet tek “Dialektika e rendit dhe e rebelimit’’, tek Andre Malraux”, një kryvepër e llojit në sociologji e filozofi!
Në paqe mes Islamit dhe Krishtërimit, i fisëm në qëndrime, i paepur në bindje, magjepës në vepra të shkruara e të folura, ndikues i madh atje ku çdo njëri prej nesh ndihet i vogël, pranë Presidenteve të SHBA-së apo në katedrat historike të qytetërimit perëndimor, sot shkoi në amshim, një nga Ata që i lind rrallë shoqi!
Iku dhe la një monument të shqiptarit që mblodhi në vete valencat e historisë, e ka shqisat e modernitetit, la monumentin e intelektualit të kalibrit, atë të klerikut të lirisë e dinjitetit në përballje me tiraninë, të patriotit që e do vendin e tij edhe kur ai të vret! Iku Gega i fundit madhështor!